Lidhje

SHBA njofton tërheqjen e trupave të tjerë nga Iraku


Trupat amerikane në Irak

Ushtria amerikane ka njoftuar tërheqjen e më shumë trupave të saj nga Iraku këtë muaj.

Kreu i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, Gjenerali Frank McKenzie, tha gjatë një vizite në Irak të mërkurën se prania ushtarake amerikane do të shkurtohet, nga 5,200 trupa në 3000.

“Ky reduktim na lejon të vazhdojmë të këshillojnë dhe ndihmojmë partnerët tanë irakianë në çrrënjosjen e mbetjeve të fundit të ISIS-it në Irak dhe për të garantuar se disfata e tyre është e pakthyeshme. Ky vendim është rezultat i besimit tonë në aftësitë e shtuara të forcave irakiane të sigurisë për të vepruar në mënyrë të pavarur.”

Trupat amerikane në Irak po kryejnë operacione kundër terrorizmit dhe po trajnojnë forcat irakiane. Ndërkohë në Afganistan, Shtetet e Bashkuara kanë 8,600 forca të tjera ushtarake.

Një zyrtar i lartë amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti për gazetarët që udhëtonin me Presidentin Trump mbrëmjen e së martës, tha se një tjetër njoftim për tërheqje të trupave amerikane nga Afganistani ka të ngjarë të dalë nga fundi i javës.

Zoti Trump gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 tha se dëshironte t’u jepte fund atyre që ai i quajti “luftëra pa fund” të vendit.

“Ne i kemi tërhequr trupat nga Iraku mjaft shpejt dhe presim ditën kur nuk do të na duhet të jemi atje”, tha Presidenti Trump muajin e kaluar ndërsa priti në Shtëpinë e Bardhë Kryeministrin Mustafa al-Kadhimi të Irakut. “Shpresojmë që Iraku të jetojë sipas mënyrës së vet dhe të mund të mbrojë vetveten, gjë që e ka bërë shumë kohë para se ne të përfshiheshim.”

Carla Babb kontribuoi për këtë raport.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG