Lidhje

Java e Artit në Berlin


Java e Artit në Berlin
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:42 0:00

Çdo vit Berlini është mikpritës i Javës së Artit, një veprimtari me ekspozita të shumëllojshme. Viti 2020 nuk është një vit i zakonshëm, sepse pandemia ua ka prishur jetën normale shumë njerëzve. Por megjithë sfidat për artistët, Java e Artit në Berlin nuk mungon as këtë vit.

Ky instalacion i madh është ekspozuar në Galerinë Berlineze si pjesë e Javës së Artit në kryeqytetin gjerman, e cila zhvillohet që nga viti 2012.

Gjatë pesë ditëve radhazi, galeritë e qytetit po organizojnë ekspozita dhe shfaqje. Është ngjarja e parë e madhe kulturore në Berlin që nga pandemia e koronavirusit.

Instalacioni i artistit zviceran Marc Bauer përmban fotografi të mëdha në muret e galerisë, ku përfshihen ato nga inaugurimi i Presidentit amerikan Donald Trump.

Por këtë vit procesi artistik ishte më i vështirë se më parë, sepse koronavirusi i pengoi udhëtimet dhe bashkëpunimi mes artistëve ishte një sfidë e vërtetë.

"Ky projekt kërkonte mjaft bashkëpunim me njerëz në vende të ndryshme dhe, gjatë periudhës së mbylljes ishte e pamundur të udhëtoje," shpjegon artisti.

"Në Paris gjendja ishte mjaft e vështirë, kështu që muzikanti nuk e pati të lehtë. Letra elektronike vjen nga Hollanda, programi kompjuterik është krijuar në Poloni. Ideja ishte të shkoja në Poloni dhe të punoja me inxhinierët e atjeshëm, por kjo nuk ishte e mundur. Pati edhe shumë vonesa. Prandaj jam mjaft i gëzuar që arritëm ta bëjmë, ashtu siç e kishim konceptuar".

Në Javën e Artit të Berlinit marrin pjesë mbi 130 galeri. Marc Bauer thotë se po përpiqet të pasqyrojë ndjenjën e krizës së vazhdueshme në artin e tij:

"Të jep ndjesinë e krizave që shpërthejnë njëra pas tjetrës. Ne thjesht përpiqemi të ndjekim ritmin e çmendur të botës."

Artisti gjerman Nik Nowak vjen me një instalacion që flet për propagandën dhe dezinformimin. Dy makineri gjigande me altoparlantë bëjnë një luftë zhurmuesish, të ndarë nga një gardh telash me gjemba.

Punimi i tij i bën jehonë Luftës së Ftohtë kur njerëzit në të dy anët e Murit të Berlinit vendosnin altoparlantë për t’i përçuar mesazhin anës tjetër të qytetit të ndarë.

Kjo ndodh ende në ditët tona, për shembull në kufirin midis Koresë së Veriut dhe Jugut, thotë artisti.Por në përgjithësi, thotë ai, sot është shpikur një mjet shumë më i fuqishëm i propagandës dhe dezinformimit.

"Gjatë Luftës së Ftohtë nuk kishte mjete teknike për t'i arritur të gjithë. Sot është shumë më komplekse, ka shumë më tepër gjëra të fshehura dhe shumë më tepër mënyra për të hyrë tek çdo individ. Interneti dhe mediat sociale janë sigurisht arma më e efektshme e propagandës e shpikur ndonjëherë."

Në galerinë IFA në lagjen Mitte të Berlinit, një instalacion i quajtur "Koha Kalon" mbush gjithë hapësirën e ekspozitës. Instalacioni, punë e artistes gjermane Rebecca Horn dhe artistit peruan Antonio Paucar, përmban disa skulptura lëvizëse dhe shiritat e filmit mbushin dyshemenë.

Inka Gressel, drejtore e galerisë, thotë se ky punim flet për fuqinë që njerëzit mund të fitojnë edhe në një kohë izolimi, si kjo e pandemisë.

"Gjatë kohës së izolimit, filluam të pyesim veten: çfarë do të thotë komunikim? Si mund të bashkëpunojmë, si mund të fitojmë mbi izolimin dhe të bëhemi të lirë?", tregon zonja Gressel.

Ky punim i dy artistëve, sipas saj, i ndihmon njerëzit të gjejnë një formë më të mirë për të jetuar së bashku dhe për t’u ripërtërirë pas izolimit që solli pandemia.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG