Lidhje

Shkëputet me leje zyrtari pasi akuzoi shkencëtarët për "rebelim" kundër presidentit


Michael Caputo

Një zëdhënës i lartë i përpjekjeve federale kundër koronavirusit do të marrë pushim dy mujor nga puna, pasi akuzoi shkencëtarë në institucione qeveritare për “rebelim” duke u shprehur se reagimi i tyre ndaj pandemisë synon të minojë Presidentin Trump.

Në një deklaratë të mërkurën, Departamenti amerikan i Shëndetësisë tha se Ndihmës Sekretari për Komunikim me Publikun, Michael Caputo do të jetë me leje për 60 ditë “për t’u kujdesur për shëndetin e tij dhe mirëqënien e familjes”.

Zoti Caputo u shpreh pa ofruar prova se “një ekip rezistence” i përbërë nga ekspertë mjekësorë “thellë në zemër” të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve po punon për të minuar presidentin. Zyrtari i bëri komentet të dielën, ndërkohë që numri i të vdekurve nga COVID-19 në SHBA ka shkuar në mbi 196,000 vetë.

Ai akuzoi shkencëtarët se hoqën dorë nga shkenca duke u bërë “aktorë politikë”.

Të martën ai u kërkoi ndjesë punonjësve.

Zoti Caputo është bërë objekt kritikash të forta pasi është përpjekur të ndryshojë raportet e përjavshme të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve mbi infektimet dhe viktimat e koronavirusit, duke u munduar t’ia përshtasë pohimeve të vazhdueshme të presidentit se pandemia është vënë nën kontroll dhe se së shpejti, ndoshta para zgjedhjeve të 3 nëntorit, një vaksinë do ta zgjidhte problemin.

‘Kujdesi mendor pa diskutim i mbaruar’

Zoti Caputo përcolli drejtpërdrejt në Facebook dhe në intervista për organe shtypi një numër akuzash të çuditshme, në dukje pa lidhje, duke thënë se kishte pësuar probleme të shëndetit fizik dhe se shëndeti i tij mendor “pa diskutim ishte i mbaruar’.

58-vjeçari Caputo u shpreh i shqetësuar për sigurinë personale në duart e armiqve të presidentit dhe iu drejtua dashamirësve të tij me fjalët “Nëse keni armë, blini municion sepse do të mbarojnë”.

Zëdhënësi i Departamentit të Shëndetësisë u emërua nga Shtëpia e Bardhë në prill për të mbikqyrur komunikimet lidhur me pandeminë. Disa muaj më parë, në biseda me gazetarin Bob Woodward, të regjistruara nga gazetari, Presidenti Trump pohon se ka shtrembëruar realitetin duke u munduar ta zbusë rrezikun nga virusi në komentet fillestare për publikun.

Pretendime për ‘kanale të fsheta brenda shtetit’

Akuzat e zotit Caputo se disa ekspertë qeveritarë po punojnë për të penguar rizgjedhjen e presidentit në 3 nëntor u bëjnë jehonë pretendimeve të presidentit prej vitesh se brenda strukturave qeveritare veprojnë ‘kanale të fshehta’ që përpiqen ta minojnë.

Zoti Caputo shprehet se shkencëtarët e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve “ndërrojnë rrobat e shtëpisë vetëm kur shkojnë tek kafeneja e lagjes për të ndjekur mbledhjet me kompjuter” për të planifikuar “si të sulmojnë Donald Trumpin herën tjetër. Këta janë shkencëtarë që punojnë për qeverinë, që në fakt nuk duan që Amerika të ecë mirë, deri kur të zgjidhet Joe Biden president”.

Zyrtari i Departamentit të Shëndetësisë përshkruan zhgënjimin që ndjen nga puna në qeveri.

“Nuk më pëlqen që jam vetëm në Uashington,” thotë ai, duke përshkruar “hijet që shoh në tavanin e apartamentit. Jam vetëm, shoh hijet,” thotë ai.

Ai tha se shtimi i vazhdueshëm i numrit të viktimave nga COVID-i e ka goditur rëndë.

Në komentet për gazetën Washington Post, ai thotë se “që kur filloi punën për administratën Trump, unë dhe familja ime jemi kërcënuar vazhdimisht dhe kemi qenë disa herë në gjyq lidhur me ndjekje penale për ngacmime e kërcënime. Kjo më ka rënduar shumë. Ia di shumë për nder Presidentit Trump që kujdeset për këto gjëra dhe për të garantuar sigurinë e fëmijëve tanë”.

Shtëpia e Bardhë nuk bëri komente lidhur me pretendimet e ngritura nga zoti Caputo. Ai çaktivizoi llogarinë në Twitter dhe Facebook të hënën, ndërkohë që Departamenti i Shëndetësisë e cilësoi zyrtarin “një element kritik, integral të ekipit të presidentit kundër koronavirusit, me një rol udhëheqës për të komunikuar me publikun informacionin e nevojshëm shëndetësor për mposhtjen e pandemisë”.

Thirrje për shkarkim

Të hënën në mbrëmje, disa ligjvënës demokratë, përfshirë Senatoren demokrate Patty Murray dhe ligjvënësen demokrate Rosa DeLauro, bënë thirrje për shkarkimin e zotit Caputo.

Në një deklaratë, Senatorja Murray tha se Sekretari i Shëndetësisë Alex Azar, eprori i zotit Caputo, “ka një përgjegjësi bazë për të garantuar se ekspertët tanë të shëndetësisë janë në gjendje të bëjnë punën dhe se përgjigja jonë ndaj COVID-19 nuk minohet nga dizinformimi apo teoritë e konspiracionit dhe se të dhënat që përdoren nuk janë të ngjyrosura nga politika”.

Demokratët në Nënkomisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Koronavirusin thanë se kanë hapur një proces hetimor mbi ndërhyrje politike në raportet shkencore mbi pandeminë të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG