Lidhje

OKB: Biodiversiteti i planetit, në rënie 


Zjarret në Amazonë
Zjarret në Amazonë

Dhjetë vjet më parë në Aichi të Japonisë, 150 vende u takuan dhe hartuan 20 objektiva për të mbrojtur burimet natyrore të planetit. Më 15 shtator, Organizata e Kombeve të Bashkuara nxori Parashikimet e saj Globale mbi Biodiversitetin ku prezanton konkluzione bazuar mbi analizën e situatës gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Në bazë të konkluzioneve të OKB-së, shumica e objektivave të vendosura para një dekade nuk janë arritur dhe si rezultat specie bimore e shtazore rrezikojnë të zhduken.

Shfrytëzimi i tepruar i burimeve natyrore dhe ndryshimet klimatike po shkatërrojnë pyjet tropikale dhe ekosistemet jetike për mbijetesën e faunës. Në këtë përfundim arrin raporti i ri i OKB-së që analizon mbarëvajtjen e mjedisit në 10 vitet e fundit dhe bën parashikime për 10 vitet e ardhshme.

Paul Leadley, pedagog në Universitetin Paris-Sud thotë se situata është shqetësuese në zona kritike si pyjet e Amazonës në Brazil.

“Ndër problemet më shqetësuese, mendoj unë, është shpyllëzimi, sidomos në zonat tropikale. Mendoj se në 2010 përcaktuam objektiva të arsyeshme që mund të ishin realizuar, por nuk u arritën,” thotë Profesor Leadley.

Autori kryesor i raportit, Dr. David Cooper thotë se po t’u vinte notë këtyre përpjekjeve, do të thoshte se ato janë thuajse ngelëse.

"Ende vazhdon shpyllëzimi, po ashtu edhe keqësimi i cilësisë së shtresës së tokës. Ekosistemet pyjore janë keqësuar; po ashtu është rënduar situata në ekosistemet bujqëore,” thotë Dr. Cooper.

Një ndër problemet që u identifikuan 10 vjet më parë, thotë Dr. Cooper, ishin subvencionet qeveritare që e rëndojnë problemin, por nuk është bërë ndonjë përmirësim në këtë aspekt:

"Qoftë në subvencionet për lëndën djegëse, ashtu edhe për subvencionet që çojnë në mbi-peshkim, apo në përdorim të tepruar të plehrave kimike. Rreth 500 miliardë dollarë shpenzohen në vit për të mbështetur aktivitete që dëmtojnë biodiversitetin”.

Raporti nuk analizon në hollësi kërcënimin ndaj faunës në shkallë globale, por pohon se duhen marrë masa për të parandaluar zhdukjen e disa specieve. Pa vendosur objektiva konkrete, thonë ekspertët e OKB-së, zhdukja e kafshëve dhe shpezëve të egër do të përshpejtohet 2-4 herë krahasuar me dekadën e kaluar.

"Kur zhduken mjediset ku jetojnë gjallesat, zhduken edhe speciet që jetojnë aty. Kjo mund të mos ndodhë menjëherë, por fillimisht shfaqet një rënie në numrin e popullatës së këtyre specieve, si parathënie të zhdukjes,” thotë Dr. Cooper.

Prandaj, thotë Dr. Cooper nevojitet një investim më i madh në përmirësimin e ekosistemeve por edhe një analizë më e thellë e prodhimit bujqësor. Specialisti thotë se pandemia e koronavirusit i kujtoi njerëzimit një mësim të vlefshëm: rrezikun që shfaqet kur njeriu pushton hapësirat ku gjallon fauna dhe flora e egër.

Jeta e njeriut në planet është e lidhur në mënyrë të pandashme me biodiversitetin, thotë autori i raportit:

"Prodhimi i ushqimit dhe biodiversiteti na ofrojnë kulturat bujqësore, blegtorinë, peshkun që konsumojmë. Përveç këtyre, na duhen edhe bletët për polenimin e bimësisë, na duhen gjallesat që luftojnë në mënyrë të natyrshme insektet e dëmshme për bujqësinë. Biodiversiteti na shërben për të ruajtur pjellorinë e tokës,” thotë Dr. Cooper.

Ekipi i OKB-së thotë se raporti i 15 shtatorit nuk ka për qëllim të mbjellë panik, por për të mobilizuar qeveritë të marrin masa më të forta për të mbrojtur biodiversitetin e planetit.

Ekspertët nënvizojnë edhe disa suksese si shtimin e peshkut në zona më parë të varfëruara, pas masave mbrojtëse. Në Sejshele, autoritetet njoftuan në mars mbrojtjen e 30% të territorit detar për të ndihmuar rimëkëmbjen e brezave koralorë.

Autorët thonë se kur të vijë momenti për rihapjen e plotë të ekonomisë pas koronavirusit, vendet duhet të kenë parasysh edhe shqetësimet ambjentaliste në hartimin e politikave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG