Lidhje

Parlamenti i BE-së: Nuk do ta njohim Lukashenkon pas 5 nëntorit


Parlamenti Evropian bëri të ditur të enjten se Aleksandër Lukashenko nuk do të njihet si President i Bjellorusisë kur mandati i tij të skadojë më 5 nëntor. Udhëheqësi autoritar u zgjodh për një mandat të gjashtë në detyrë më 9 gusht, në një proces që partitë e opozitës bjelloruse, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thonë se u manipulua. Parlamenti Evropian hodhi poshtë rezultatet e zgjedhjeve me një votim prej 574 votash pro, 37 kundër me 82 abstenime. Parlamenti gjithashtu i bëri thirrje Bashkimit Evropian të vendosë sanksione ndaj zotit Lukashenko.

"BE-së i duhet një qasje e re ndaj Bjellorusisë, e cila përfshin përfundimin e çdo bashkëpunimi me regjimin e Lukashenkos", tha ligjvënësi lituanez i qendrës, Petras Austrevicius. Refuzimi nga ana e Parlamentit Evropian i zgjedhjeve të gushtit në Bjellorusi nuk është ligjërisht i detyrueshëm, por mund të ndikojë në mënyrën se si BE-ja e mbështet këtë vend financiarisht. Zgjedhja si president e Aleksandër Lukashenkos shkaktoi protesta masive në Minsk e qytete të tjera të vendit.

Më shumë se 7,000 protestues janë arrestuar dhe janë ofruar prova të gjera mbi abuzime e tortura ndaj tyre. Të paktën katër persona raportohet të kenë vdekur gjatë demonstratave, gjatë të cilave policia i shpërndau në mënyrë agresive protestuesit paqësorë, duke përdorur plumba gome, shkopinj dhe granata trullosëse. Në fillim të kësaj jave organizata Human Rights Watch akuzoi forcat bjelloruse të sigurisë për ndalimin e mijëra njerëzve dhe torturimin e qindra të tjerëve në ditët pas zgjedhjeve.

Zoti Lukashenko i ka hedhur poshtë akuzat se procesi u manipulua dhe ka fajësuar për trazirat ndërhyrjen nga vendet perëndimore. Javën e kaluar agjencitë ruse të lajmeve duke cituar presidentin Lukashenko thanë se ai nuk ka asgjë për të diskutuar me opozitën dhe se do të jetë i hapur ndaj reformave kushtetuese dhe ndoshta zgjedhjeve të reja presidenciale. Gjatë takimit të tij të hënën me zotin Lukashenko në Soçi, Presidenti rus Vladimir Putin, një aleat i fortë i tij, mbështeti mundësinë që Bjellorusia të ndryshojë kushtetutën për të hedhur bazat për zgjedhjet e reja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG