Lidhje

OSBE-ja emëron ekip ekspertësh për hetimin e zgjedhjeve në Bjellorusi 


Belarus

Shtatëmbëdhjetë vende anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kanë emëruar një ekip të pavarur ekspertësh për të hetuar pohimet për shkelje në zgjedhjet presidenciale të gushtit në Bjellorusi, tha Danimarka.

"Në thelb, misioni ka të bëjë me kërkim llogarie ndaj autoriteteve të Bjellorusisë që janë përgjegjëse për shkeljet e rënda të së drejtës së popullit bjellorus për zgjedhje të lira dhe të ndershme, liritë themelore dhe një shtet funksional të së drejtës", thuhet në një deklaratë të Ministrit të Jashtëm danez, Jeppe Kofod.

Misioni pritet të publikojë një raport brenda gjashtë deri tetë javësh, tha ministria e jashtme daneze.

Ekipi i ekspertëve të pavarur do të hetojë njoftimet për përndjekje të kandidatëve, gazetarëve dhe aktivistëve si dhe përdorimin e tepruar të forcës kundër protestuesve paqësorë, ndalimet dhe torturat e paligjshme.

Presidenti Alexander Lukashenko thotë se ai i fitoi zgjedhjet në mënyrë të drejtë dhe është viktimë e një fushate të shpifjeve nga perëndimi.

Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab
Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab

Duke folur gjatë një vizite në Uashington, Sekretari i Jashtëm Britanik Dominic Raab tha se ai beson se plani i Lukashenkos dhe mbështetësit të tij kryesor, Presidenti rus Vladimir Putin, është që të presin dhe të mos bëjnë asgjë.

"Kur të marrim përgjigjet nga ekipi i ekspertëve të pavarur, mendoj se do të jetë shumë e vështirë për Lukashenkon që të vazhdojë sikur kemi të bëjmë me një situatë normale", tha Sekretari Raab në një diskutim në organizatën e Këshillit Atlantik, duke iu referuar misionit të sapoemëruar të OSBE-së.

"Unë dyshoj se ata do të përpiqen, dhe gjëja thelbësore në atë pikë do të jetë veprimi që bashkësia ndërkombëtare do të ndërmarrë", tha zoti Raab, duke shtuar se duhet të ketë hapësirë për dialog nën mbikqyrjen e OSBE-së, ose "regjimi i Moskës dhe ai i Bjellorusisë do të përballen me kosto nëse nuk lëvizin në këtë drejtim".

Misioni i OSBE-së nuk ka të ngjarë të ketë qasje në Bjellorusi. Minsku pengoi dërgimin e vëzhguesve të OSBE-së në zgjedhjet presidenciale, duke mos i ftuar ata dhe ka injoruar ofertat e përsëritura nga kryesuesi i radhës i OSBE-së, kryeministri shqiptar Edi Rama, për të vizituar vendin.

Vendet anëtare të OSBE-së që mbështesin misionin në Bjellorusi janë Danimarka, Belgjika, Kanadaja, Estonia, Finlanda, Franca, Islanda, Letonia, Lituania, Holanda, Norvegjia, Polonia, Rumania, Sllovakia, Britania e Madhe, Republika Çeke dhe Shtetet e Bashkuara.

OSBE-ja, një organizatë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe sigurisë, përbëhet nga 57 vende, përfshirë Rusinë.

Dënohet ndërperja e pajustifikuara e internetit

29 vende përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë lëshuan një deklaratë të përbashkët të enjten, në të cilën dënohen njoftimet për ndërprerjen e internetit nga qeveria e Bjellorusisë pas zgjedhjeve presidenciale “të manipuluara” të muajit të kaluar.

“Ndërprerja, bllokimi apo filtrimi i shërbimeve (të internetit) në mënyrë të pajustifikuar kufizon të drejtat për tubim paqësor dhe lirinë e shprehjes, veçanërisht kur ato nuk janë të bazuara në procedura të drejta dhe transparente”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG