Lidhje

Izraeli sërish në izolim me rritjen e infeksioneve


Izraeli ka nisur zbatimin e një urdhri për izolim tre-javor në rang kombëtar, duke filluar nga sot (të premten) ndërsa numri i rasteve të reja me COVID-19 ka shënuar një nivel të ri të lartë, prej gati pesë mijë të infektuarish në ditë. Disa spitale raportojnë se nuk kanë më vende për pacientë të tjerë. Infeksioni është përhapur në të gjithë vendin, por komunitetet ultra-ortodokse hebreje dhe ato arabo-izraelite janë ndër më të goditurat.

Muri Perëndimor i Jeruzalemit, në ditët para Rosh Hashanahit, Vitit të Ri Hebre, zakonisht është i mbushur me mijëra adhurues. Por këtë vit, në vendin e shenjtë sheh një labirint ndarjesh për lutje, të distancuara nga njëra-tjetra, që të tregon qysh tani se si bllokimi tre javor do të ndikojë tek festat e ardhshme hebreje.

"Rosh Hashanahi është një ditë e cila kalohet ryesisht me lutje dhe shumica e tyre bëhen gjatë tubimesh masive. Tashmë të gjitha sinagogat kanë më pak njerëz sepse duhet të zbatojnë distancimin fizik. Bëhet fjalë për rregulla sipas të cilave vetëm 10 vetë lejohen në një zonë të mbyllur dhe 20 njerëz në një zonë të hapur. Ata që po planifikonin shërbime shumë të mëdha lutjejesh në ambiente të hapura po hasin vështirësi", thotë rabini Dov Lipman, i organizatës “Raportimi i ndershëm”

Prej fillimit të pandemisë komuniteti ultra-ortodoks ishte një nga epiqendrat e koronavirusit. Shumë prej tyre i kishin shpërfillur kufizimet mbi grumbullimet masive.

Arabët izraelitë, të cilët përbëjnë një të pestën e popullsisë, gjithashtu kontribuan në shifrën e lartë të të prekurve falë dasmave masive ku nuk respektohej distanca fizike.

Dasmat ishin burimi i infeksionit në Umm al-Fahm. Çdo ditë raportet tregonin rritje të rasteve me koronavirus. I paralajmëruam njerëzit, po ata nuk i kushtuan vëmendje. Ndaj u detyruam t'u kërkojmë autoriteteve të jenë këmbëngulës me njerëzit dhe kjo është për të mirën e tyre, në mënyrë që ta frenojmë këtë situatë", thotë Zaki Igbaria, Nënkryetar i Komunës së Umm al-Fahm.

Bazuar në masat e reja për bllokim kombëtar, janë mbyllur shkollat, qendrat tregtare, restorantet, zyrat qeveritare dhe shumë biznese. Njerëzit lejohen të largohen vetëm 500 metra nga shtëpitë të tyre përveç rasteve kur u duhet të blejnë ushqime dhe ilaçe. Policia thotë se është e përgatitur për gjoba të rënda për ata që nuk respektojnë rregullat.

"Përgatitjet e bëra nga policia kombëtare e Izraelit do të garantojnë zbatimin e vendimit të qeverisë sipas të cilit mijëra oficerë policie do të sigurojnë ndalim qarkullim të plota në të gjithë vendin", thotë Mickey Rosenfeld, zëdhënës i Policisë Kombëtare të Izraelit.

Masat e para izoluese në Israel u vendosën në muajt mars e prill, në një nga përpjekjet më të hershme dhe më të suksesshme për të vënë situatën nën kontroll në mbarë botën. Por me synimin për të rifilluar ekonominë e për t'i lehtësuar izraelitët, qeveria hoqi shumicën e kufizimeve në muajin maj, duke lejuar veprimtarinë e shumë bizneseve. Por kritikët thonë se nuk kishte ndonjë plan të përgjithshëm për menaxhimin e pandemisë.

Virusi nuk lodhet kurrë, rri në errësirë dhe pret rastin. Dhe menjëherë pasi rihapëm ekonominë me një ritëm shumë të shpejtë, duke mos i kushtuar vëmendje sinjaleve për një rritje problematike të rasteve, pra në thelb pa hedhur vështrimin pas, nisën dhe problemet”, thotë Ron Balicer, i organit Këshillimor për Ministrinë e Shëndetësisë për çështje të koronavirusit.

Duke u përballur me një skenar të përsëritur dhe pas disa muajsh protestash kundër një qeverie që është fajësuar për keqmenaxhimin e krizës, shumë izraelitë gjejnë pak arsye për t'u besuar sërisht politikanëve dhe autoriteteve shëndetësore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG