Rosa Parks ishte një afrikano-amerikane që ka mbetur në histori për aktin e saj në vitin 1955, kur ajo nuk pranoi të lironte vendin në një autobus të shtetit Alabama, në një kohë kur në Amerikë ekzistonte ndarja racore. Ajo u arrestua, u gjobit dhe kjo çoi në bojkotimin e autobusëve në qytetin Montgomeri të Alabamës. Rosa Parks u strehua në një shtëpi të Detroitit në Miçigan. Sot, kjo shtëpi është rindërtuar në Napoli të Italisë si një objekt arti. Kjo i ka bërë shumë njerëz të reflektojnë mbi historinë e zonjës Parks në një kohë që në Shtetet e Bashkuara tensionet racore janë rritur.
Në qendër të oborrit tërheqës të Pallatit Mbretëror në Napoli ndodhet një shtëpi e vjetër, boja e së cilës ka rënë vende-vende.
Është shtëpia e Detroitit, ku u strehua Rosa Parks, një prej simboleve të të drejtave civile amerikane, pas bojkotimit historik të autobusëve.
Ishte mbesa e zonjës Parks, e cila arriti ta shpëtojë shtëpinë nga prishja, pas krizës financiare të vitit 2008.
Ajo ia dhuroi shtëpinë një artisti amerikan i cili e rindërtoi për shfaqje publike në Gjermani dhe tani në Itali, pasi nuk arriti të gjente një mënyrë për ruajtjen e saj në Shtetet e Bashkuara.
"Anëtarë të familjes së zonjës Rosa Parks erdhën tek unë dhe më kërkuan të ruaj shtëpinë ku ajo banonte në vitin 1957," shpjegon artisti Ryan Mendoza.
"Ishte një shtëpi në listën e prishjes, një shtëpi që autoritetet në Amerikë ishin shumë të gatshme për ta shembur. Familja pagoi 500 dollarë për ta mbrojtur fillimisht nga prishja. Pastaj më pyetën, nëse do të isha i gatshëm të ndihmoja për shpëtimin e shtëpisë dhe unë thashë: sigurisht që po," tregon artisti.
Zonja Parks e cila vdiq në vitin 2005, jetoi aty për një kohë të shkurtër pas aktit të saj të bujshëm.
Ryan Mendoza bëri fushatë për më shumë se pesë vjet për të tërhequr vëmendjen për vlerën historike të shtëpisë.
Fondacioni Morra Greco me qendër në Napoli ndihmoi në organizimin e ekspozitës me mbështetjen e ministrisë italiane të kulturës.
Maurizio Morra Greco, president i Fondacionit, thotë se shtëpia është një simbol i rëndësishëm i padrejtësive racore.
"Jam i bindur se me këtë monument Napoli mund të kontribuojë në fenomenin e integrimit. Besoj se ekspozimi i kësaj vepre këtu është një dhuratë, por edhe një barrë, sepse na bën të reflektojmë," thotë ai.
Ndërsa në Shtetet e Bashkuara tensionet racore rriten, ekspozimi i shtëpisë merr një rëndësi të re.
"Më pëlqen që ata e kanë sjellë shtëpinë këtu, më duket një ide e shkëlqyer dhe me rëndësi nga pikpamja edukative, sidomos për brezin e ri,” thotë vizitorja Laura Bianchi.
Ekrani shoqërohet nga një kolonë zanore të titulluar "8:46", koha kur George Floydi humbi jetën në duart e policisë në muajin maj, çka u bë shkak për një lëvizje kundër padrejtësive racore.
Në vitet 1950 dhe 60, ndarja mes komuniteteve zezake dhe të bardha ishte ende normale në shtetet jugore të Amerikës.
Në vitin 1957 Rosa Parks u zhvendos nga Montgomeri iAlabamës në Detroit për t'u shpëtuar kërcënimeve me vdekje pas çështjes së saj gjyqësore. Ajo shkoi të jetojë në shtëpinë e të vëllait ku qëndroi dy vjet me familjen e tij.
Facebook Forum