Lidhje

Koreja e Veriut qëllon dhe djeg një zyrtar civil të Koresë së Jugut


SEUL, KOREJA E JUGUT - Ushtria e Koresë së Jugut njoftoi se Koreja e Veriut qëlloi, vrau dhe dogji menjëherë eshtrat e një zyrtari civil të Koresë së Jugut i cili u zhduk në fillim të kësaj jave pranë kufirit të debatueshëm detar mes të dy vendeve.

Ministria e Mbrojtjes e Seulit tha të enjten se personi në fjalë u mor në pyetje në ujërat e Koresë së Veriut, para se të qëllohej për vdekje, të lyhej me naftë dhe të digjej, me sa duket të gjitha me urdhër të një eprori. Zyrtarët e Koresë së Jugut nuk zbuluan se si i mësuan këto detaje, duke përmendur vetëm "inteligjencën e larmishme".

Incidenti vjen pas një momenti të qetë në marrëdhëniet ndër-koreane. Pheniani në fillim të këtij viti rriti tensionet me Seulin, por udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un në qershor ndërpreu papritur fushatën e presionit. Qysh atëherë, Koreja e Veriut ka qenë e përqendruar në çështjet e brendshme, të tilla si pandemia e koronavirusit dhe përmbytjet shkatërruese.

Tani ekzistojnë shqetësime se incidenti mund të përkeqësojë përsëri marrëdhënie ndër-koreane.

"Ushtria jonë dënon me forcë këtë akt brutal dhe nxit fuqimisht Veriun ta shpjegojë këtë dhe të ndëshkojë personat që janë përgjegjës," tha Gjeneral Lejtnant Ahn Young-ho me Shtatmadhërinë e ushtrisë së Koresë së Jugut në një konferencë shtypi. "Ne gjithashtu paralajmërojmë Korenë e Veriut se e gjithë përgjegjësia për këtë incident bie mbi të."

Sipas zyrtarëve të mbrojtjes të Koresë së Jugut, ushtria e Koresë së Veriut nuk i është përgjigjur kërkesës së Seulit për më shumë informacion. Pheniani nuk e ka komentuar publikisht incidentin.

Zyrtari 47-vjeçar i paidentifikuar, i cili punoi për Ministrinë e Oqeaneve dhe Peshkimit, u zhduk të hënën ndërsa ishte në detyrë në bordin e një anije patrulluese në afërsi të ishullit kufitar Yeonpyeong të Koresë së Jugut. Ai u raportua i zhdukur rreth 10 kilometra në jug të vijës kufitare veriore, de facto kufiri detar ndër-korean.

Rrethanat e zhdukjes së tij nuk janë të qarta. Zyrtarët ushtarakë të Koresë së Jugut besojnë se ai mund të ketë qenë duke u përpjekur të largohet në Korenë e Veriut, duke qënë se kolegët e tij gjetën vetëm këpucët e tij në anije. Sipas agjencisë së lajmeve Yonhap, burri ishte divorcuar së fundmi dhe kishte probleme financiare.

Incidentet e kaluara

Ai nuk do të ishte personi i vetëm i fundit që largohet nga Koreja e Jugut në Veri.

Më parë këtë javë, policia e Koresë së Jugut tha se arrestoi një dezertues i cili po përpiqej të kthehej në Korenë e Veriut përmes një vendi të manovrave ushtarake në qytetin kufitar Cheorwon.

Në korrik, një burrë 24-vjeçar që ishte arratisur nga Koreja e Veriut notoi përsëri mbrapsht, pasi u akuzua për përdhunim në Korenë e Jugut. Ky incident e shtyu Veriun të bllokonte një zonë kufitare, gjoja për shkak të shqetësimeve për koronavirusin.

Koreja e Veriut ka lëshuar urdhra "për të vrarë" për të parandaluar hyrjen e koronavirusit në vend nga Kina, tha komandanti i lartë amerikan në Korenë e Jugut, Gjenerali Robert Abrams, në fillim të këtij muaji.

Zonat e sigurisë që lidhen me koronavirusin u raportuan së pari nga Daily NK, një faqe elektronike lajmesh me bazë në Seul me burime në Korenë e Veriut. Aty thuhet se rregullat e reja përcaktojnë se kushdo "që shkel rregullat ose prish rendin publik pranë kufirit do të pushkatohet pa paralajmërim". Rregullat zbatohen për të gjitha zonat e vendit, thuhet në faqen e Daily NK.

"Koreja e Veriut është mbyllur pothuajse si në një situatë lufte për të parandaluar shpërthimet e COVID-19", tha Yang Moo-jin, një profesor në Universitetin e Studimeve të Koresë së Veriut në Seul.

Tensione të shtuara

Incidenti i të shtënave është koha e papërshtatshme për Presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in, i cili këtë javë përdori një fjalim përmes videos në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të bërë thirrje për shpalljen e përfundimit të luftës midis Koresë së Veriut dhe Jugut.

Zoti Moon me prirje të majta, i cili dëshiron dëshpërimisht të përmirësojë lidhjet me Phenianin para se të largohet nga detyra në vitin 2022, është përpjekur të bindë Veriun të kthehet në dialog dhe bashkëpunim.

Në një deklaratë, Shtëpia Blu e presidentit tha se "dënon me forcë" vrasjen, e cila "shkeli normat themelore ndërkombëtare dhe humanitare".

Koreja e Veriut në fillim të këtij viti ndërpreu kanalet e komunikimit me Jugun dhe hodhi në erë ambasadën de facto të dy vendeve pasi u ankua për aktivistët e Koresë së Jugut të cilët lëshuan balona të mbushura me propagandë anti-Phenianit përtej kufirit.

Kjo e bën më të vështirë qetësimin e situatës gjatë një krize, paralajmërojnë analistët.

"Tani që nuk ka asnjë kanal komunikimi midis dy Koreve dhe asnjë dialog, marrëdhëniet pothuajse nuk mund të ishin më keq", tha zoti Yang.

Të dy Koretë kanë qenë në një gjendje teknike lufte, pasi konflikti i tyre i viteve 1950 përfundoi në një armëpushim dhe jo një traktat paqeje.

Megjithëse tensionet shpërthejnë në mënyrë sporadike, vdekjet - veçanërisht të civilëve - janë të rralla. Hera e fundit që një civil i Koresë së Jugut u qëllua për vdekje në Korenë e Veriut ishte në vitin 2008, kur një ushtar i Koresë së Veriut vrau një turist të Koresë së Jugut i cili ishte endur në një zonë të kufizuar në një vendpushim malor.

Ishulli Yeonpyeong, ku thuhej se ishte vrarë zyrtari i Koresë së Jugut, ka qenë skenë e dhunës në të kaluarën. Gjatë një periudhe tensionesh të shtuata në vitin 2010, Koreja e Veriut përdori artilerinë në Yeonpyeong, duke vrarë disa njerëz.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG