Lidhje

Kosovë: Arrestohen kryetari dhe nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së


Prokuroria e Posaçme e Kosovës me seli në Hagë, tha të premten mbrëma se Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u arrestua nga kjo prokurori “në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuar nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Operacioni u krye nga njësitë e policisë së Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Në orët e pasdites, njësitë e policisë së EULEX-it, të Kosovës dhe pjesëtarë të Prokurorisë së Posaçme për krime lufte me seli në Hagë, arrestuan edhe nënkryetarin e kësaj organizate, Nasim Haradinaj.

Dhomat e Specializuara thanë në orët e mbrëmjes se zoti Gucati u transferua në objektin e paraburgimit të në Hagë.

“Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”, thuhet në një njoftim.

Organizata e Vetëranëve të Luftës në tri raste gjatë këtij muaji tha se ka marrë nga persona të panjohur mijëra dosje të Gjykatës së Posaçme, që dëshmojnë për bashkëpunim të saj me autoritetet e Beogradit dhe për siç thuhet, karakterin e saj të njëanshëm.

Prokuroria e Posaçme nuk e përmendi fare zotin Haradinaj dhe nuk dha asnjë hollësi për shkaqet e arrestimit të zotit Gucati, organizata e të cilit ënë tri raste gjatë këtij muaji tha se ka marrë nga persona të panjohur mijëra dosje të Gjykatës së Posaçme, që dëshmojnë për bashkëpunim të saj me autoritetet e Beogradit dhe për siç thuhet, karakterin e saj të njëanshëm.

Të martën kjo Organizatë tha se një person i panjohur ka lënë dokumente, që pretendohet se përmbajnë aktakuza të përgatitura ndaj udhëheqësve më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, që trajton pretendimet për krime lufte në Kosovë, tha të martën se është e angazhuar që të hetojë dhe të ndjekë ata që publikojnë identitetin e individëve që mund të thirren para Gjykatës së Posaçme.

Arrestimi i zotit Gucati u krye një ditë pasi që Prokuroria e Posaçme arrestoi ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Sali Mustafa, në bazë të akuzës për veprat: “ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë ndaj 6 personave dhe një vrasje të paligjshme” në muajin prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në Zllash, një zonë në lindje të Prishtinës.

Zoti Mustafa ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 ndërsa pas luftës kishte shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës e më pas edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ky është arrestimi i parë i kryer nga Gjykata e Posaçme e cila trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Gjykata e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.

Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 ndërsa më 24 qershor prokuroria publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Hetimet, sikurse edhe ngritja e gjykatës dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Organizata e Veteranëve u ka bërë thirrje deputetëve të parlamentit të Kosovës që të ndryshojnë ligjin për themelimin e Gjykatës dhe për t’i siguruar asaj një karakter gjithëpërfshirës duke ndjekur edhe krimet e kryera nga forcat serbe.

Reagime pas arrestimeve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të premten mbrëmë se “nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakulare” dhe se “integriteti dhe dinjiteti i secilit qytetar duhet të respektohet”.

Në një reagim ndaj arrestimeve ai tha se “qytetarët e Kosovës dhe tërë bota presin që Dhomat e Specializuara t’i japin përgjigjen e duhur, profesionale dhe transparente pretendimeve monstruoze, siç janë insinuatat për “trafikimin e organeve njerëzore nga UÇK-ja” apo për “Shtëpinë e verdhë”, në emër të të cilave ne ishim të detyruar që t’i themelojmë Dhomat e Specializuara”.

Në komunikatë thuhet mes tjerash se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte shembull i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare.

“E theksoj se rrjedhja e dokumenteve ka cenuar legjitimitetin e gjykatës në sytë e qytetarëve, ka dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës dhe të drejtat e të pandehurve potencialë. Publikimi i këtyre dokumenteve ka qenë i papranueshëm”, thuhet në komunikatë në të cilën nënvizohet se “veteranët e UÇK-së janë vlera më sublime e rezistencës dhe lëvizjes sonë për liri e pavarësi. Asnjë grackë e ngrehur nga kushdo nuk do ta vendosë Kosovën në anën e kundërt të drejtësisë”.

Kosovë: Arrestohen kryetari dhe nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:33 0:00

Presidenti Thaçi tha se Gjykata e Posaçme “është e obliguar që t’i përmbahet dhe të veprojë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe t’i respektojë të drejtat e të gjithëve. Asnjë i pandehur potencial nuk do t’i ikë drejtësisë. Prandaj, vlerësoj se nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakulare. Ndërsa integriteti dhe dinjiteti i secilit qytetar duhet të respektohet”.

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ritheksoi qëndrimin se “publikimi i dosjeve të Gjykatës Speciale ka qenë i gabuar dhe se do e dëmtojë më së shumti shtetin tonë, përfshirë edhe vet të akuzuarit. Tentimi për të krijuar imazhin se Kosova është e mobilizuar ta pengojë drejtësinë është i gabuar. Ne nuk kemi qenë e as nuk jemi në anën e kundërt të drejtësisë”.

Ai u bëri thirrje organeve vendase e ndërkombëtare të drejtësisë, që të respektojnë të drejtat e të gjithëve. “Asnjë i akuzuar nuk do t’i ik drejtësisë. Konsideroj se nuk ka arsye për operacione e bastisje, sepse secili do t’i përgjigjet vullnetarisht drejtësisë”, shkroi ai mes tjerash në llogarinë e tij në Facebook.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG