Lidhje

A mund të ndikohet gara presidenciale nga kandidatët e partive të vogla?


Kanye West, kandidat për president

Kandidatët presidencialë republikanë dhe demokratë mund të dominojnë titujt kryesorë të lajmeve, por ata nuk janë të vetmit që garojnë për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Ata që njihen si kandidatë të partive të treta, partive të vogla që nuk njihen mirë nga publiku, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zgjedhjet e fundit presidenciale. Por, çfarë ndikimi pritet të kenë ata në zgjedhjet e ardhshme?

Në garën për Shtëpinë e Bardhë, dihet mirë që Presidenti Donald Trump po kandidon për një mandat të dytë si kandidat i republikanëve, dhe kundër tij është ish-nënpresidenti demokrat Joe Biden.

Më pak i njohur është numri i kandidatëve të partive të tjera që po garojnë për postin e presidentit amerikan.

"Partia e Paqes dhe Lirisë, Partia e Pavarur Amerikane, njerëzit me të vërtetë shpesh nuk e dinë se cilat janë këto parti", thotë Thad Kousser në Universitetin e Kalifornisë në San Diego.

Njerëzit që garojnë në emër të partive të vogla quhen kandidatë të partive të treta. Në garën presidenciale të vitit 2020, dy kandidatë nga partitë e treta më të njohura përfshijnë kandiden e Partisë Libertariane Jo Jorgensen dhe atë të Partisë së Gjelbër, Howie Hawkins. Një tjetër kandidat i kësaj kategorie që ka tërhequr vëmendjen e mediave është këngëtari Kanye West.

"Fushata më e çuditshme, por ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen është ajo e Partisë së Ditëlindjes. Ai shpesh ka folur për fenë hapur në këngët e tij, kështu që mund të tërheqë vëmendjen e votuesve fetarë më konservatorë", thotë Thad Kousser në Universitetin e Kalifornisë në San Diego.

Ndërsa kandidatët e partive të treta zakonisht nuk konsiderohen pretendentë seriozë për presidencën, ata mund të luajnë një rol në ndryshimin e dinamikës së zgjedhjeve. Një shembull është gara e vitit 2016 midis republikanit Donald Trump dhe demokrates Hillary Clinton.

“Nuk ka asnjë diskutim se në vitin 2016 kandidatët e partive të vogla dëmtuan shanset e demokrates Hillary Clinton. Rezultatet e anketave exit-poll treguan se votat që ata po hidhnin për kandidatët e palëve të treta ishin vota që në të kundërtën do t'u kishin shkuar demokratëve", thotë John Farmer nga Instituti i Politikave Eagleton në Universitetin Rutgers.

"2016 ishte një vit në të cilin kishte shumë amerikanë që nuk ishin të kënaqur me zgjedhjen mes Donald Trumpit dhe Hillary Clintonit, dhe ata votuan për kandidatët e partive më të vogla në shenjë proteste", thotë Thad Kousser nga Universiteti i Kalifornisë në San Diego.

Por ekspertët pajtohen se zgjedhjet e vitit 2020 janë të ndryshme.

"Është shumë e qartë tani se ka një lloj urgjence mbi atë se kush do të jetë presidenti i ardhshëm, Joe Biden apo Donald Trump. Askush nuk dëshiron që vota e tyre të mos ketë rëndësi. Kështu që ne po shohim që këta kandidatë të partive të vogla kanë mbështetje shumë më të ulët në sondazhe", thotë Thad Kousser nga Universiteti i Kalifornisë në San Diego.

Hillary Clinton mund të ketë humbur disa vota ndaj kandidatëve të partive të treta në vitin 2016 për shkak të mënyrës se si disa amerikanë e shihnin atë, por zoti Biden nuk përballet me të njëjtin perceptim.

"Hillary Clinton shihej si një e kandidate e preferuar e Wall Street-it, industrisë financiare dhe mbështetëse e marrëveshjeve të tregtisë globale që nuk i dhanë vëmendje të mjaftueshme jetës së njerëzve të klasës punëtore në të gjithë Amerikën. Unë mendoj se Joseph Biden vjen nga një familje e klasës punëtore në Skranton të Pensilvanisë dhe ai mund ta kuptojë këtë grup njerëzish, megjithëse është i lidhur me disa prej atyre që mbështesin marrëveshjet tregtare globale”, thotë John Farmer nga Instituti i Politikave Eagleton në Universitetin Rutgers.

Pandemia gjithashtu po i pengon kandidatët e partive të vogla që të tërheqin më shumë mbështetje këtë vit sepse është e vështirë për ata që të bëjnë fushatë personalisht. Kandidatët e partive të vogla gjithashtu nuk kanë fondet e nevojshme për të paguar për reklamat e shtrenjta politike që transmetohen në kanalet televizive.

"Demokratët do të përfitojnë nga mungesa e kandidatëve të fortë të partive të vogla këtë vit", thotë John Farmer nga Instituti i Politikave Eagleton në Universitetin Rutgers.

Por siç treguan rezultatet e vitit 2016, zgjedhjet presidenciale mund të jenë mjaft të paparashikueshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG