Lidhje

Francë, myslimanët të shqetësuar nga projektligji i ri kundër seperatizmit


Francë, myslimanët të shqetësuar nga projektligji i ri kundër seperatizmit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:14 0:00

Qeveria franceze pritet së shpejti të paraqesë një projekt-ligj të ri kundër separatizmit, me Presidentin Emmanuel Macron që pritet të mbajë një fjalim të rëndësishëm mbi këtë temë javën e ardhshme. Detajet janë ende të paqarta, por pritshmëritë janë tashmë të mëdha dhe kanë shkaktuar shqetësim në komunitetin mysliman të Francës, më i madhi në Evropën perëndimore.

Në Francë këtë muaj është kthyer vëmendja në të ashtuquajturin gjyqi "Charlie Hebdo" kundër bashkëpunëtorëve të dyshuar të ekstremistëve islamikë që sulmuan një gazetë satirike franceze dhe një supermarket hebre në vitin 2015.

Ky ishte i pari i një numri sulmesh terroriste, së bashku me kryengritjen islamike në Lindjen e Mesme dhe gjetkë që çoi në përqëndrimin e vëmendjes së publikut francez tek islami radikal. Ky është pjesërisht sfondi i legjislacionit të pritshëm mbi të ashtuquajturin separatizëm.

Detajet nuk janë të qarta, por njoftimet sugjerojnë se ligji do të godasë imamët e huaj dhe financimin e huaj të shkollave private dhe do të rrisë mbikëqyrjen e grupeve të dyshuara.

Qeveria thotë se qëllimi i legjislacionit është luftimi i të ashtuquajturve "armiq të Francës", vlerave franceze dhe mënyrës franceze të jetës. Zyrtarët thonë se në mesin e këtyre armiqve janë edhe grupet si supremacistët e bardhë.

Alexandre Del Valle e mirëpret legjislacionin. Ai është bashkëautor i një libri rreth pretendimit se Vëllazëria Myslimane synon të infiltrojë dhe pushtojë perëndimin.

"Unë mendoj se së pari është e nevojshme që të ndalojmë çdo organizatë që rrezikon vlerat tona perëndimore, franceze, republikane dhe laike. Vëllazëria Myslimane është në mesin e organizatave radikale islamike më fanatike.”

Zyrtarët qeveritarë thonë se ligji nuk synon të vendos në shënjestër myslimanët e moderuar.

Një sondazh i fundit i organizatës “Odoxa” tregon se shumica e të anketuarve francezë mbështesin projekt-ligjin për separatizmin. Por disa udhëheqës dhe grupe myslimane janë të shqetësuar se ligji do të drejtohet padrejtësisht kundër tyre.

"Dhuna nuk i përket një komuniteti të caktuar. Terrorizmi nuk është problem i një komuniteti të vetëm. Nuk është e drejtë të stigmatizohet një komunitet i tërë sepse një anëtar i tij ka kryer sulme terroriste”, thotë Jawad Bachar, drejtor i organizatës “Kolektivi Kundër Islamofobisë në Francë”.

Organizatat si ajo që drejtohet nga Jawad Bachar citojnë një rritje të veprimeve anti-myslimane dhe shtim të mungesës së tolerancës ndaj tyre në vitet e fundit.

Disa vëzhgues thonë se politika qëndron prapa projektligjit të separatizmit, duke pretenduar se presidenti Macron dhe partia e tij e qendrës “Në Lëvizje” po anojnë nga e djathta përpara zgjedhjeve të vitit 2022.

Ndërkohë, partia kryesore e opozitës në Francë, Tubimi Kombëtar, një parti e ekstremit të djathtë, thotë se zoti Macron është shumë i butë ndaj ekstremizmit dhe po bën thirrje për t'i dhënë fund çdo sistemi që inkurajon komunitetet etnike të funksionojnë jashtë linjës kryesore të shoqërisë.

“Ajo që duam është një luftë pa mëshirë kundër ‘komunitarizmit ’dhe separatizmit. Por kjo nënkupton trajtimin e politikës në rrënjë, ndryshimin e politikës së imigracionit, mbylljen e xhamive salafiste, ndalimin e financimit për shoqatat e të dyshuarve. Ekzistojnë një numër mjetesh që deri më tani nuk janë përdorur”, tha Sebastien Chenu, zëdhënës i Tubimit Kombëtar.

Ekziston shumë pritshmëri dhe frikë rreth asaj se çfarë nënkupton luftimi i seperatizmit, veçanërisht për komunitetin mysliman të Francës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG