Lidhje

Tiranë: Reforma zgjedhore po endet në disa tryeza politike


Tiranë: Reforma zgjedhore po endet në disa tryeza politike
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:08 0:00

Tiranë: Reforma zgjedhore po endet në disa tryeza politike

Forcat kryesore politike po diksutojnë reformën zgjedhore në Tiranë njëkohësisht në dy tryeza politike, duke shtuar paqartësitë mbi fatin e saj.

Komisioni parlamentar i ligjeve nisi diskutimin mbi ndryshimet e Kodit Zgjedhor të propozuar nga Partia Socialiste dhe nga deputetë të opozitës parlamentare.

Deputeti i opozitës Muslim Murrizi tha se “projekti i sjellë nga PS për listat, nuk sjell lista të hapura plotësisht dhe i ngjan më shumë një sondazhi brenda partisë, që dëmton garën e ndershme elektorale”.

Ai ka sjellë 4 amendamente për Kodin Zgjedhor, që janë për hapjen e plotë listave të kandidatëve për deputet, për një prag 3%, rillogaritje të mandateve në bazë të pragut, si dhe mbi mënyrën e numërimit.

Zoti Murrizi tha se, “meqë komisionet zgjedhore nuk u depolitizuan si kërkoi OSBE-ja, atëherë së paku të depolitiziohen grupet e numërit të votave”.

Sipas socialistëve, propozimi i tyre është për një listë të hapur, shoqëruar me një prag dhe me një mekanizëm të mbrojtjes së gjinisë, për të favorizuar kandidatet femra.

Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, tha se me ndryshimin e Kushtetutës formula e deridjeshme e koalicioneve dhe ndarjes së mandateve nuk mund të qëndrojë më.

Koalicionet, sipas konceptit që sjellin socialistët janë dy ose më shumë parti, që paraqesin një listë të përbashkët me vendet e përcaktuara qartë në të për secilin aleat.

Por sipas opozitës jashtëparlamentare, ato që propozojnë socialistët nuk janë lista të hapura por një spekulim me termat, në mënyrë që kryetari të ruajë kontrollin mbi kandidatët.

Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar dërguan mbrëmë në Këshillin Politik draftin për hapjen 100% të listave të kandidatëve, pa ndryshuar modelin e koalicioneve siç është në fuqi në Kodin Zgjedhor.

Opozita theksoi se me dekretimin e datës së zgjedhjeve procesi zgjedhor ka nisur, partitë mund të regjistrohen në KQZ dhe rregullat e garës nuk mund të ndryshojnë më.

Opozita përsëriti kërkesën për t’iu drejtuar ODIHR-it për mosmarrëveshjet, që partitë të paraqiten secila me listat e veta dhe të garojnë me koalicione.

Komisioni parlamentar i ligjeve miratoi sot në parim ndryshimet e Kodit Zgjedhor, ndërsa pritet të mbajë nesër një mbledhje tjetër për shqyrtimin e tyre nen për nen.

Po nesër pritet të mbahet një tjetër mbledhje e Këshillit Politik mbi draftet që janë atje mbi atë tryezë të dytë, dhe mbetet e paqartë se si projektet e diskutuara në Këshill do mund të zyrtarizohen e të përfshihen në procedurat parlamentare.

Ndërkohë që afati është ngushtuar në vetëm dy ditë dhe parlamenti mblidhet në seancë plenare më 1 tetor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG