Lidhje

Reagime të ashpra pas debatit të parë Trump-Biden


President Donald Trump, left, and Democratic presidential candidate former Vice President Joe Biden, right, with moderator Chris Wallace, center, of Fox News during the first presidential debate Tuesday, Sept. 29, 2020, at Case Western University…

Reagimet ndaj debatit presidencial midis Presidentit republikan Donald Trump dhe ish-Nënpresidentit demokrat Joe Biden, ishin të ndara në linja partiake. Por, ajo që bie në sy janë kritikat e ashpra për mbarëvajtjen e debatit, të shoqëruar me ndërhyrje të shpeshta në fjalët e njëri-tjetrit.

Ronna McDaniel, kryetarja e Komitetit Kombëtar Republikan, shkroi në Twitter pas debatit se "Për nëntëdhjetë minuta, @realDonaldTrump paraqiti argumente të forta dhe bindëse për rizgjedhjen e tij dhe sfidoi Joe Biden-in për mbështetjen që ai u ka dhënë politikave radikale që do të rrisnin taksat, shkatërronin vendet e punës dhe do t’i bënin komunitetet tona më pak të sigurta".

Tim Murtaugh, drejtori i komunikimit për fushatën e rizgjedhjes së Presidentit Trump, i tha korrespondentes së Zërit të Amerikës Carolyn Presutti se paraqitja e presidentit ishte "fantastike".

"Ajo që panë shikuesit ishte Presidenti Trump, i cili ishte në kontroll të çdo momenti të debatit. Joe Biden ishte dobët, në kërkim të dikujt që mund ta shpëtonte", tha Murtaugh.

Figurat e njohura të demokratëve, ndërkohë, thanë se debatin e fitoi ish-Nënpresidenti Biden dhe se paraqitja e presidentit Trump ofroi arsye të shumta për t'i mohuar atij një mandat të dytë.

"Donald Trump ka dështuar me gënjeshtrat, fanatizmin dhe udhëheqjen e tij të pamatur", shkroi në Twitter senatori Cory Booker nga Nju Xhërsi, i cili garoi kundër Biden-it në zgjedhjet paraprake të demokratëve në fillim të këtij viti. Senatori Booker në veçanti denoncoi presidentin për qëndrimin ndaj supremacistët e bardhë, që në vend që t’idënonte , u bëri thirrje që të "presin".

Shumë vëzhgues të debatit kritikuan ashpër shkëmbimet me zë të lartë dhe kaotike midis dy kandidatëve, duke përfshirë gazetaren eWashington Post-it, Karen Attiah, e cila e quajti debatin "një turp kombëtar".

Disa analistë, përfshirë historianin presidencial Michael Beschloss, kritikuan ashpër presidentin. "Demokracia u nëpërkëmb sonte nga një President i cili shkeli rregullat, refuzoi të dënonte supremacistët e bardhë dhe nuk toleroi asnjë formë të mospajtimit, një shenjë paralajmëruese e asaj që mund të shihet në një mandat të dytë," shkroi Beschloss në Twitter.

Të tjerët, si ish-senatori republikan Jeff Flake, shprehën keqardhje për të gjithë spektaklin. "Ne jemi një vend më i mirë se sa ajo që u shfaq sonte," shkroi Flake në Twitter.

Profesori i shkencave politike në Universitetin e Virxhinias, Larry Sabato, postoi një mesazh të prerë në llogarinë e tij në Twitter: "Anuloni debatet e mbetura presidenciale".

Por Tim Murtaugh i mbrojti shkëmbimet, duke i quajtur ato sqaruese. "Unë mendoj se një bisedë e lirë si ajo që bëri presidenti ishte në të vërtetë e mirë, lejon një shkëmbim më të mirë të ideve dhe i ofron shikuesit ndryshimin e vërtetë midis të dyve", tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG