Lidhje

Ligjvënësit amerikanë shtojnë presionin ndaj regjimit bjellorus


Protestat në Bjellorusi
Protestat në Bjellorusi

Protestat paqësore pro-demokracisë vazhdojnë në Bjellorusi pas zgjedhjeve të kontestuara të 9 gushtit, ku Presidenti Alexander Lukashenko deklaroi fitore. Ligjvënësit amerikanë miratuan për të katërtën herë në 16 vjet, një variant më të zgjeruar të Ligjit për Demokracinë në Bjellorusi që vendos sanksione kundër udhëheqësit autoritar Lukashenko dhe aleatëve të tij.

Protestat në Bjellorusi vazhdojnë prej thuajse dy muajsh. Për të tetën herë gjatë fundjavës, dhjetëra mijëra vetë marshuan në Minsk dhe qytete të tjera të mëdha me thirrjet për dorëheqjen e Presidentit Lukashenko dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja dhe të drejta.

"Mendoj se pas 26 vjetësh në pushtet, Lukashenko e ka humbur plotësisht lidhjen me realitetin. Ai nuk e kupton se i ka ikur koha,” thotë një protestuese.

Protestues të tjerë kërkojnë lirimin e të gjithë të burgosurve politikë. Një prej tyre është Vitali Shkliarov me dy shtetësi, amerikane dhe bjelloruse. Zoti Shkliarov, analist në Uashington, u rrëmbye në rrugë në qytetin e tij të lindjes, Gomel në fund të korrikut kur kishte ardhur për të parë prindërit. Ligjvënësit amerikanë thonë për Zërin e Amerikës se Uashingtoni zyrtar po bën ç’është e mundur për të siguruar lirimin e tij.

“Mesazhi që i dërgojmë familjes është se nuk e kemi harruar. Se do të përdorim çdo formë presioni diplomatik për ta liruar dhe këtë e trajtojmë si çështje me rëndësi të madhe,” tha Senatori Jack Reed.

Çdo të dielë, mijëra vetë mblidhen para burgut famëkeq Okrestina në Minsk, ku qindra demonstrues paqësorë që kundërshtuan rezultatin e zgjedhjeve të 9 gushtit u rrahën e torturuan për ditë me radhë. Në qendër ka ende protestues të ndaluar.

Ligjvënësi republikan Chris Smith thotë se brutaliteti i policisë bjelloruse ka tronditur opinionin public dhe tani ligjvënësit kërkojnë llogaridhënie:

“Duam emrat. Kur të vëmë sanksione, sa më shumë emra të kemi, aq më mirë sepse këtë radhë nuk do ta lëmë problemin në harresë,” thotë ligjvënësi Chris Smith.

Ligjvënësi Chris Smith është autori i versionit të katërt të Ligjit për Demokraci në Bjellorusi, i miratuar javën e kaluar nga Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Çështjet e Jashtme. Ligji forcon dhe zgjeron aktet e mëparshme ligjore dhe kthen në zbatim sanksionet ekonomike dhe kufizimet e vizave “ndaj një numri më të madh zyrtarësh bjellorusë dhe rusë që kanë pasur lidhje me reagimin e ashpër ndaj protestave”.

“Do të jenë masa shumë të efektshme. Kemi arritur në pikë të fundit me Lukashenkon,” thotë ligjvënësi Smith.

Aktivistët thonë se sanksionet perëndimore i dërguan sinjalin e duhur zotit Lukashenko, por udhëheqësi bjellorus, të cilin kundërshtarët e tij e kanë quajtur “mjeshtër të balancës politike” u ka rezistuar me sukses krizave të ngjashme në të kaluarën.

“Masat e miratuara nuk mund të quhen të mjaftueshne, Ato nuk do ta detyrojnë Lukashenkon të ndryshojë sjellje,” thotë ish-diplomati bjellorus, Valery Kavaleuski.

Ajo që ndryshon këto ditë është niveli i revoltimit që po shprehin bjellorusët, gjë që duket qartë gjatë protestave. Ndërkaq, protestat paqësore si dhe reagimi i ashpër i forcave të rendit vazhdojnë përditë.

(Igor Tsikhanenka)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG