Lidhje

Vdekja e gazetares ruse Slavina, pasojë e disa vite kërcënimesh


Shën Petersburg - Qindra njerëz u mblodhën të mërkurën në qytetin rus të Nizhni Novgorodit për t'i bërë nderimet e tyre të fundit Irina Slavinas, një gazetare ruse për të cilën kolegët thanë se ishte e përkushtuar ndaj së vërtetës.

Të premten, Slavina, kryeredaktore e faqes të lajmeve Koza Press në internet, u lidh në një stol pranë Ministrisë së Brendshme në Nizhni Novgorod dhe i vuri flakën vetes. Disa orë më herët, gazetarja 47-vjeçare kishte postuar në Facebook, "Në ditën time të vdekjes, ju kërkoj të fajësoni Federatën Ruse".

Slavina ishte e njohur gjerësisht në rajon për raportimin e ngjarjeve mbi qeverisjen lokale dhe lëvizjet pro-opozitës si dhe për ndihmën për të koordinuar tubime në kujtim të Boris Nemtsovit, politikani rus që u vra pranë Kremlinit në vitin 2015.

Miqtë dhe kolegët e saj thonë se Slavina u përball me vite të tëra frikësimi për punën e saj. Ata fajësuan veprimet kërcënuese nga forcat e sigurisë për vdekjen e gazetares.

Më 1 tetor, policia dhe anëtarët e komitetit hetimor të Rusisë bastisën banesën e gazetares si pjesë e një hetimi penal ndaj Mikhail Ioseleviçit, një biznesmen dhe aktivist pro-opozitës.

Ioseleviç akuzohet për kryerjen e aktiviteteve për një organizatë të shpallur si "të padëshirueshme" në Rusi – bëhet fjalë për grupin “Rusia e Hapur”. Autoritetet e akuzojnë grupin e opozitës, i cili financohet nga kritiku i Kremlinit Mikhail Khodorkovsky, për financimin e protestave në rajon.

Si Slavina edhe grupi Rusia e Hapur kishin mohuar ajo kishte lidhje me organizatën.

Të paktën 12 agjentë kontrolluan apartamentin e gazetares Slavina gjatë bastisjes në mëngjes herët, duke marrë telefona, kompjutera portativë dhe pajisje të tjera që i përkisnin gazetares, bashkëshortit dhe vajzës së saj. "Mbeta pa mjetet e mia të punës," shkroi gazetarja për bastisjen.

Autoritetet i kishin vënë më parë gjobë Slavinës mbi artikujt e botuar prej saj rreth lëvizjes “Rusia e Hapur”, si dhe për pjesëmarrjen e saj në tubimet e opozitës dhe raportimin mbi çështje të tjera, përfshirë pandeminë e koronavirusit.

Komiteti Hetues i Rusisë (SKR) tha se ka hapur një hetim mbi vdekjen e gazetares dhe do të kryejë një "ekzaminim psikologjik dhe psikiatrik pas vdekjes". Guvernatori rajonal, Gleb Nikitin, çoi lule në ceremoninë mortore dhe gjithashtu premtoi një hetim, njoftoi gazeta Current Time.

Humbje e madhe

Vdekja e gazetares Slavina u cilësua nga Askhat Kayumov, një aktivist për mjedisin në Nizhny Novgorod, si "një tragjedi e madhe njerëzore" dhe "humbje për të gjithë rajonin".

"Ka shumë pak gazetarë të ndershëm në vend, dhe ne kemi humbur njërën prej tyre," tha zoti Kayumov për shërbimin rus të Zërit të Amerikës, para se të shtonte se nuk kishte më fjalë përveç se, "Vdekja e saj është shumë e dhimbshme".

Arkady Galker, kryetar i degës së Interantional Memorial në Nizhny Novgorod, një organizatë jofitimprurëse që hulumton shtypjen politike në Rusi, tha se Slavina ishte gazetarja më e shquar e pavarur në rajon.

"Botimet e saj ndiqeshin nga afër," tha zoti Galker. "Edhe në qarqet e fuqishme, artikujt e Irina Slavinas trajtoheshin me vëmendje të veçantë, sepse ata e kuptonin se ishte një informacion i vlefshëm."

"Nëse Irina Slavina shkruante diçka negative për zyrtarët e qytetit, ata mund të kishin probleme shumë serioze me shefat e tyre," tha zoti Galker.

Koza Press, gazeta e themeluar nga Slavina, kishte reputacionin e një botimi serioz që lexohej jo vetëm në rajon, por edhe jashtë vendit, tha zoti Galker.

"Irina dhe unë e njihnim shumë mirë njëri-tjetrin dhe kemi punuar veçanërisht ngushtë kur bënim përgatitje për tubime në kujtim të Boris Nemtsovit," tha zoti Galker.

"Irina mori pjesë jo vetëm në organizimin e tyre, por gjithashtu e mbuloi ngjarjen në gazetën e saj," tha zoti Galker. "Ajo ishte personi më i guximshëm që udhëhoqi pjesëmarrësit që erdhën për të nderuar Nemtsovin në përvjetorin e katërt të vrasjes së tij."

Zoti Galker tha se ai beson se hetimi ndaj Mikhail Ioseleviçit është një përpjekje për të frikësuar aktivistët e opozitës në rajon.

Ai tha se agjentët e sigurimit që bastisën apartamentin e gazetares Slavina shkuan të armatosur me sharrë elektrike që mund të priste një derë në disa minuta.

"Unë i konsideroj këto veprime kundër Irinës si terror shtetëror, si presion dhe kërcënim të qëllimshëm," tha Galker.

“Si në materialet e saj gazetareske, ashtu edhe në deklaratat publike Irina ka qenë gjithmonë shumë këmbëngulëse dhe nuk ka treguar asnjëherë se si u dëmtua nga fushata buliste, e ndërmarrë mbi të në rajonin e Nizhny Novgorod, kur u përpoqën ta diskreditonin. Dhe tani është e qartë se në një moment ajo thjesht nuk mund ta duronte dot më një gjë të tillë".

Zyra rajonale e Komitetit Hetues të Rusisë(SKR) tha se vdekja e gazetares Slavina nuk ishte e lidhur me kontrollin e banesës së saj sepse ajo ishte dëshmitare dhe jo e pandehur.

Në përgjigje, Igor Kalyapin, kryetari i Komitetit Ndër-rajonal Kundër Torturës, shkroi në blogun e tij, "Me sa duket, sipas mendimit të SKR-së në Nizhny Novgorod, vetëm i akuzuari mund të pësojë trauma psikologjike nga një bastisje në një vendbanim privat. Njeriu duhet ta perceptojë si normale bastisjen në mëngjes nga një ekip prej 12 personash me pjesëmarrjen e forcave speciale të policisë. Dhe konfiskimin gjatë këtij kontrolli të mediave dixhitale, kompjuterit dhe pajisjeve të tjera, personi që zbaton ligjin, gazetari profesionist duhet ta perceptojë me ngazëllin dhe mirënjohje".

Alexander Kynev, një profesor i shkencave politike që e njihte Slavinën, tha se situata politike në Nizhny Novgorod është përkeqësuar në tre vitet e fundit.

“Çfarë po ndodh në qytet vitet e fundit? Çështje të pafundme penale kundër të gjithëve. Gjithçka nisi me shpërbërjen e elitës së vjetër të ish-kryetarit të qytetit. Nuk u ndal këtu: kërcënimi i gazetarëve; gjobat pafund; gjykatat; bastisjet. I njëjti presion filloi kundër publikut”, tha zoti Kynev.

Sociologu dhe publicisti Igor Yakovenko i tha Zërit të Amerikës se çështja e gazetares Slavina ilustron dëshpërimin dhe persekutimin e gazetarëve rusë.

"Mendoj se çdo gazetar, nëse dëshiron të qëndrojë në Rusi, herë pas here, ndjen një lloj mungese shprese", tha zoti Yakovenko. "Nëse kërkon të jesh gazetar në Rusi, mund të fillosh ose të shkrush për vete për pak të ardhura, ose të vritesh, ose të futesh në burg.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG