Lidhje

Pentagoni: Karantina për shkak të Covid-19 nuk ka asnjë ndikim në gatishmërinë e ushtrisë 


Chairman of the Joint Chiefs of Staff Gen. Mark Milley testifies to Senate Armed Services Committee, March 4, 2020, on Capitol Hill in Washington.
Chairman of the Joint Chiefs of Staff Gen. Mark Milley testifies to Senate Armed Services Committee, March 4, 2020, on Capitol Hill in Washington.

Shefi i shtatmadhorisë amerikane, paralajmëroi kundërshtarët se nuk ka pasur asnjë dobësim në mbrojtjen e vendit edhe pse ai dhe oficerët e tjerë të rangut të lartë janë detyruar të vetëizolohen për shkak të koronavirusit.

Në një mesazh të postuar të enjten në Twitter, shefi i shtatmadhorisë, gjenerali Mark Milley tha se karantina nuk ka "asnjë ndikim" në aftësinë e Pentagonit për të mbrojtur vendin ose aleatët e tij.

"Amerika është e aftë dhe e gatshme", tha gjenerali Milley në mesazhin e tij. "Krerët ushtarakë dhe unë mbetemi në komunikim të vazhdueshëm ndërsa jemi në vetëizolim dhe zinxhiri i komandës mbetet i njëjtë".

Milley, së bashku me zëvendës shefin e shtatëmadhorisë amerikane John Hyten dhe shefat e Marinës, Forcave Ajrore dhe Forcës Hapësinore, u vetëizoluan në fillim të kësaj jave, "si një masë shtesë kujdesi", sipas Pentagonit, pasi mësuan se një tjetër zyrtar i lartë ushtarak, nënkomandanti i rojes bregdetare amerikane admirali Charles Ray, ishte infektuar me Covid-19.

Zyrtarët thanë se admirali Ray rezultoi pozitiv pas një testi për koronavirusin të hënën, i pasuar nga ndihmësi i komandantit të forcave detare, gjenerali Gary Thomas, i cili doli pozitiv pas testimit për koronavirus të martën.

Zyrtarët thanë se të gjithë oficerët ushtarakë, së bashku me shefin e Byrosë së Gardës Kombëtare, gjeneralin Daniel Hokanson, shefin e komandës kibernetike, gjeneral Paul Nakasone dhe anëtarët e rangut të ulët të Shtabit të Përgjithshëm morën pjesë në takimet e javës së kaluar në Pentagon.

Pentagoni tha se ishte e paqartë se si Ray, i cili filloi të shfaqte simptoma të lehta gjatë fundjavës, u ekspozua ndaj koronavirusit.

Protokollet e ndjekura

"Nga të dhënat e disponueshme që kam, drejtuesit më të lartë të departamentit (të mbrojtjes) po ndjekin dhe kanë ndjekur të gjitha protokollet për të mbajtur veten të sigurt dhe stafin e tyre të sigurt", u tha të ejten gazetarëve gjenerallejtënanti Ronald Place, drejtor i Agjencisë së Shëndetit në departamentin e mbrojtjes.

"Ajo që kjo tregon në të vërtetë është se përkundër të gjitha praktikave më të mira që ne mendojmë se i dimë në përpjekjet për të kontrolluar këtë virus të veçantë, ato nuk janë 100 përqind efektive", tha Place. "Kjo vetëm e përforcon faktin që ne duhet të vazhdojmë të jemi vigjilentë në një kohë kur vetëkënaqësia bëhet një faktor rreziku edhe më i madh në të gjithë botën, por në veçanti për ne në të gjithë Amerikën."

Shefi i shtatëmadhorisë Milley, Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper dhe zyrtarë të tjerë të lartë të mbrojtjes janë testuar shpesh që nga 27 shtatori, kur ata morën pjesë në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë për familjet e grupit “Gold Star” të trupave të rënë. Presidenti Donald Trump dhe zonja e parë Melania Trump ishin gjithashtu të pranishëm në atë aktivitet dhe dolën pozitiv në testet për koronavirus më vonë gjatë javës.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb kontriboi në këtë raport.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG