Lidhje

Projekti i rindërtimit të stadiumit të Barcelonës 


Projekti i rindërtimit të stadiumit të Barcelonës
please wait

No media source currently available

0:00 0:11:39 0:00

Barcelona duhet të vazhdojë me planet për të rinovuar stadiumin “Camp Nou” për të nxjerrë të ardhurat e humbura nga pandemia e koronavirusit, thotë nënpresidenti i ekipit spanjoll të futbollit, Jordi Moix. Ai theksoi se projekti prej 815 milionë eurosh do të paguajë për veten. Klubi njoftoi një marrëveshje financimi me kompaninë “Goldman Sachs” të hënën (më 5 tetor) për të modernizuar stadiumin ikonik dhe për të rritur kapacitetin e tij nga 99,000 në 105,000 mijë vende.

Nëse plani miratohet nga anëtarët e klubit vitin e ardhshëm, puna mund të fillojë në qershor të vitit 2021 dhe do të duhen rreth pesë vjet për ta përfunduar renovimin e stadiumit.

Nënpresidenti i ekipit të futbollit të Barcelonës, Jordi Moix tha se nuk është bërë asnjë renovim në stadium që nga vitit 1982.

"Na mungojnë aktivitetet dhe pikat që krijojnë të ardhura në stadium. Nuk kemi nevojë t’i rishpikim pasi ato tashmë janë testuar në të gjitha stadiumet e reja. Pra, le të përdorim një skemë, sipas së cilës ne kemi të drejtë të paguhemi nga ato aktivitete çdo vit", tha ai.

Njoftimi për projektin e rindërtimit erdhi në të njëjtën ditë që ekipi i Barcelonës publikoi të dhëna të zymta financiare të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit, ku përmendej një humbje prej 97 milionë eurosh dhe dyfishimi i borxhit të klubit që ka arritur në 488 milionë euro.

Të ardhurat u ulën gjithashtu me 19 përqind ose 135 milionë euro nga shitja e biletave krahasuar me vitin e kaluar, të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit që bllokoi mundësinë e tifozëve për të parë ndeshjet në stadium.

Klubi është dëmtuar edhe nga rënia e madhe e turizmit në qytet për shkak të pandemisë, duke ndikuar në të ardhurat nga muzeu i tij, i cili zakonisht vizitohet nga 1.2 milion vizitorë në vit.

Sipas zotit Moix, renovimi i stadiumit dhe zonës përreth, i njohur si “Espai Barca”, është bërë më urgjent nga pandemia.

Marrëveshja e financimit me kompaninë “Goldman Sachs” siguron që kostoja e stadiumit nuk do të ndikonte në funksionimin e ekipit ose në aftësinë e tij për të tërhequr dhe mbajtur lojtarët më të mirë në botë.

"Në unazën e parë me punën e re ne mund të krijojmë 100 kabina të reja, që mund të sjellin 50 milionë euro në të ardhura vjetore. Pastaj ne kemi të drejtat e titullit dhe hapësirat e sponzorëve komercialë që nuk i kemi në stadiumin aktual, që do të gjeneronin 30, 40, ose 50 milionë euro të tjera", tha nënpresidenti i ekipit të Barcelonës, Jordi Moix.

Zoti Moix shtoi se klubi priste të fitonte 50 milionë euro shtesë në vit nga shitja e biletave dhe rritja e të ardhurave nga ushqimi dhe pijet për shkak të zgjerimit të kapacitetit të stadiumit nga 99,000 në 105,000 vende.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG