Lidhje

Mbyllen seancat dëgjimore për Gjykatësen Barrett në Komisionin e Gjyqësorit


Komisioni i Senatit për Gjyqësorin dëgjoi të enjten argumente pro dhe kundër konfirmimit të kandidates për Gjykatën e Lartë Amy Coney Barrett në ditën e katërt dhe të fundit të seancave për të mbushur një vend të lirë në gjykatën më të lartë të vendit.

Demokratët cituan rregullat e komisionit duke kërkuar që votimi përfundimtar në komision të shtyhej një javë, deri të enjten tjetër. Votimi në Senatin e plotë mund të bëhet në fund të muajit, vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve kombëtare presidenciale dhe për Kongres më 3 nëntor.

Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell u tha gazetarëve në shtetin e tij në Kentaki, "Ne kemi numrin e votave që na duhen" për të konfirmuar emërimin e 48-vjeçares Barrett. McConnell tha se Senati i plotë do të fillojë shqyrtimin e emërimit të saj më 23 tetor.

Barrett do të bëhej gruaja e pestë anëtare e gjykatës. 48-vjeçarja Barrett aktualisht është gjyqtare federale e apelit. Nëse konfirmohet kandidatura e saj, do t’u siguronte konservatorëve një avantazh të ndjeshëm ideologjik 6-3 në Gjykatën e Lartë që ka të ngjarë të ndikonte në rezultatin e problemeve ligjore të Shteteve të Bashkuara për dekada.

Barrett iu përgjigj pyetjeve të senatorëve për orë të tëra të martën dhe të mërkurën. Të enjten, ligjvënësit republikanë dhe demokratë thirrën dëshmitarë për të mbështetur argumentet e tyre pro dhe kundër konfirmimit të kandidates Barrett.

Dy anëtarë të komitetit të përhershëm për gjykatat federale në Shoqatën e Juristëve Amerikanë dëshmuan për vlerësimin e tyre pozitiv për zonjën Barrett si "të mirëkualifikuar" për të shërbyer në Gjykatën e Lartë.

Republikanët thirrën gjithashtu një nga ish-vartësit e saj dhe një ish-studente të saj në shkollën juridike të Universitetit të Notre Dame për të dëshmuar në favor të saj. Ndërkohë, demokratët thirrën dëshmitarë për të dëshmuar në lidhje me përvojat e tyre që kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor dhe të drejtën e abortit në SH.B.A., dy çështje me të cilat zonja Barrett do të përballej si anëtare e Gjykatës së Lartë.

Gjatë dy ditë pyetjesh, zonja Barrett, si të emëruarit e tjerë për kandidatë të Gjykatës së Lartë të presidentëve si republikanë ashtu edhe demokratë në dy dekadat e fundit, nuk u përgjigj drejtpërdrejt ndaj një numër pyetjesh në lidhje me pikëpamjet e saj mbi çështjet ligjore me të cilat mund të përballet në gjykatë.

Të mërkurën, demokratët përsëri i bënë presion zonjës Barrett për një çështje të rëndësishme lidhur me ligjshmërinë e aktit për kujdesin shëndetësor, i cili, nëse deklarohet i pavlefshëm, do të ndikonte tek miliona amerikanë.

Barrett përsëriti se ajo nuk ka qëndrim negativ ndaj Aktit Ligjor për Kujdesin e Përballueshëm Shëndetësor të vitit 2010, i njohur gjerësisht si Obamacare, që u miratua gjatë administratës së ish-presidentit Barack Obama. Ligji po përballet me një sfidë të re kur të dalë para Gjykatës së Lartë më 10 nëntor, kur zonja Barrett mund të jetë bërë anëtare e këtij institucioni.

Zonja Barrett i doli në mbrojtje refuzimit për të dhënë përgjigje të qarta lidhur me një numër temash ligjore.

"Një gjykatës duhet të ketë një mendje të hapur, në çdo hap të rrugës," u tha Barrett senatorëve. "Nëse do të thoja thjesht se si mendoja se do të zgjidhja një çështje vetëm me një shikim, do të ishte një zgjidhje e përshpejtuar në vend të procesit të nevojshëm”.

Zonja Barrett preferohet nga konservatorët amerikanë që kërkojnë t'i japin gjykatës një shumicë të vendosur konservatore. Ajo ka cituar ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë Antonin Scalia, për të cilin shërbeu si ndihmëse ligjore dy dekada më parë, si modelin e saj në mendimin filozofik, për interpretimin e tij të rreptë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara siç ishte shkruar dy shekuj më parë dhe jo interpretimin e dokumentit në një formë që shërben për të trajtuar jetën aktuale në Shtetet e Bashkuara.

Por zonja Barrett të mërkurën i tha anëtares më të lartë demokrate të komisionit, Senatores Dianne Feinstein, "Kur thashë se filozofia juridike e Gjykatësit Scalia është edhe e imja, sigurisht nuk doja të thoja se do të pajtohesha me çdo fjali që dilte nga goja e Gjykatësit Scalia ose me çdo fjali që ai shkroi".

Barrett, një katolike e devotshme, i ka thënë Komisionit të Gjyqësorit se nuk do të linte pikëpamjet e saj personale dhe fetare të diktonin se si do të votonte për çështjet ligjore.

"Unë nuk kam agjendë," tha Barrett të martën. "Unë do të ndjek ligjin."

Por zonja Barrett në mënyrë të përsëritur nuk pranoi të thoshte se si ajo mund të votonte lidhur me ligjin e vitit 1973 që bëri të ligjshme abortet në SHBA, apo lidhur me të drejtën e armëmbajtjes të sanksionuar nga Kushtetuta e SHBA dhe nëse duhet të mbetet në fuqi ligji Obamacare, kur gjykata të analizojë më 10 nëntor këtë ligj mbi kujdesin shëndetësor.

Ajo gjithashtu hodhi poshtë një pyetje nëse do të shkëputej nga procesi i analizës dhe votës nëse lindin mosmarrëveshje lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe para Gjykatës së Lartë paraqitet padi për të marrë vendim mbi rezultatin e zgjedhjeve.

Presidenti Trump ka shprehur haptazi mungesë besimi tek votat me postë dhe ka thënë se do që të mbushen të gjitha vendet e Gjykatës së Lartë në mënyrë që ky institucion të votojë për të zgjidhur mosmarrëveshje ligjore lidhur me rezultatin e votimeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG