Lidhje

Akuza për evazion fiskal rekord ndaj miliarderit Robert Brockman


IRS Building
IRS Building

Presidenti i një kompanie teknologjike në Houston, Robert Brockman është akuzuar në rastin më të madh të evazionit fiskal në historinë e Shteteve të Bashkuara, pasi miliarderi tjetër Robert Smith u kthye kundër tij për të shmangur ndjekjen penale, tha të enjten Departamenti i Drejtësisë.

Brockman, shefi ekzekutiv 79-vjeçar i kompanisë “Reynolds and Reynolds Co.”, me bazë në Ohajo, pretendohet në një aktakuzë të mbyllur të enjten se ka fshehur 2 miliardë dollarë në të ardhura nga agjencia amerikane e taksave gjatë dy dekadave, duke përdorur një rrjet të kompanive jashtë vendit në Bermuda, si dhe në Shën Kits dhe Nevis.

“Reynolds and Reynolds Co.” ofron programe kompjuterike që përdoren nga shitësit e automjeteve për të ndihmuar në menaxhimin e bizneseve të tyre.

Padia pretendon se zoti Brockman ka emëruar njerëz për të menaxhuar entitetet jashtë vendit për të si një mënyrë për të fshehur përfshirjen e tij, duke thënë se ai madje shkoi aq larg sa krijoi një sistem të koduar të postës elektronike dhe përdorte kode me fjalë si "Permit", "Redfish" dhe "Snapper" për të komunikuar.

Në një konferencë shtypi në San Francisko, Prokurori amerikan David Anderson tha se ndaj zotit Brockman janë ngritur akuza edhe për një skemë mashtrimi të letrave me vlerë, pasi ai bleu dhe shiti letra me vlerë të borxhit të kompanisë së tij, "duke shkelur një premtim për investitorët se ai nuk do të blinte ose shiste borxhin e kompanisë ".

Borxhi u ble falë informacionit të brendshëm që zotëronte zoti Brockman, shtoi prokurori Anderson.

Ai përballet me shtatë akuza për evazion fiskal, gjashtë akuza për dështim të raportimit të llogarive bankare të huaja dhe akuza të tjera të shumta, duke përfshirë mashtrim, pastrim parash dhe ndërhyrje në prova.

Përfaqësuesit e zotit Brockman nuk iu përgjigjen thirrjeve për komente të menjëhershme, por ai ishte planifikuar të paraqitej në një gjykatë federale të enjten vonë.

Prokurori Anderson tha se Smith, i cili ndihmoi në sigurimin e akuzave kundër zotit Brockman dhe njoftoi në fjalimin e famshëm në Kolegjin Morehouse vitin e kaluar se ai do të paguante huatë e studentëve të diplomuar në vitin 2019, pranoi përgjegjësinë për krimet e tij në skemën e evazionit fiskal.

Si pjesë e marrëveshjes së tij të mosndjekjes penale, Smith pranoi se kishte shfrytëzuar një kujdestar të besueshëm dhe një menaxher të korporatës për të fshehur kontrollin e tij në katër kompani të themeluara jashtë vendit. Një pjesë e të ardhurave të tij të pataksuara u përdorën për të blerë një shtëpi pushimi në Sonoma të Kalifornisë, prona skijimi në Alpe dhe për të financuar kauza bamirësie, tha prokurori Anderson.

Ai do të paguajë 139 milionë dollarë taksa, gjoba dhe do të heqë dorë nga një shumë prej 182 milionë dollarësh të agjencisës së taksave dhe do të paguajë interes si pjesë e marrëveshjes.

"Megjithëse zoti Smith me dashje dhe me vetëdije shkeli ligjin, ai ka pranuar përgjegjësinë dhe ka rënë dakord të sigurojë një bashkëpunim të plotë dhe të vërtetë", tha prokurori Anderson.

Robert Smith themeloi firmën private të kapitalit “Vista Equity Partners”. Ai renditet nga revista Forbes si investitori më i pasur afrikano-amerikan i vendit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG