Lidhje

Heqja e statujave historike përplas politikën me trashëgiminë


Një statujë e dëmtuar e Kristofor Kolombit në Boston.
Një statujë e dëmtuar e Kristofor Kolombit në Boston.

Një debat po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara për statujat që janë ngritur në nderim të figurave historike. Disa i përshkruajnë personat e nderuar si heronj që ndihmuan në ndërtimin e vendit. Të tjerë thonë se përfshirja e tyre në skllavëri dhe kolonializëm njollos trashëgiminë e tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O'Sullivan njofton lidhur me debatin kombëtar, se çfarë duhet bërë me statujat që disa amerikanë i shohin si pjesë e trashëgimisë së tyre kulturore, ndërsa të tjerë i shohin si një kujtesë ofenduese e shtypjes.

Një pjesë e mirë e debatit është e përqëndruar në Jug, ku permendoret e Konfederatës janë rrëzuar ose vandalizuar, dhe në disa raste janë hequr në mënyrë të paqartë nga autoritetet.

Disa thonë se statujat nderojnë trashëgiminë e zonës, ndërsa të tjerë i shohin si vlerësim ndaj skllavërisë dhe të kaluarës raciste.

Në Nju Jork, disa thonë se një statujë e Presidentit Theodore Roosevelt duhet gjithashtu të hiqet pasi ofendon indianët e Amerikës dhe afrikano-amerikanët.

Një tjetër objektiv është Kolombi, eksploruesi italian që çeli Amerikat për kolonizimin nga Evropa - me pasoja shkatërrimtare për vendasit, thonë kritikët.

Debati ka vendosur italiano-amerikanët, të cilët e përkujtojnë eksploruesin, kundër atyre që përkujtojnë grupet indigjene që ai pushtoi.

Cilat mund të ishin figurat e tjera nga historia, politika dhe kultura? Këtë duhet ta vendosin njerëzit, thotë një banor i San Françiskos.

"Është veprim i drejtpërdrejtë. Është shumë më efektiv se ndjekja e proceseve të shumta demokratike. Është mosbindje civile", thotë Jordan Schneider, banor i San Françiskos.

Statujat e tjera të vendosura në shënjestër ngjallin edhe më shumë konfuzion. Një statujë në San Françisko nderon Miguel de Cervantes, shkrimtarin e mirënjohur spanjoll që u kap nga piratët dhe kaloi pesë vite si skllav në anije.

Statuja e tij u përçudnua, por vazhdon të qëndrojë.

Një tjetër objektiv është në Jugperëndim. Junipero Serra është misionari spanjoll i shekullit 18, trashëgimia e të cilit përkujtohet nga katolikët hispanikë, por refuzohet nga shumë indianë të Amerikës.

"Ai është shkaku i rënies së popullsisë sonë, humbjes së gjuhëve, kulturës, dhe fesë sonë", thotë udhëheqësi fisnor Rudy Ortega.

Zoti Ortega thotë se shumë anëtarë të fiseve kanë përzierje hispanike dhe vendase, kështu që jo të gjithë janë dakord.

Një studiues i cili është gjithashtu i trashëgimisë së përzier thotë se rasti i zotit Serra tregon kompleksitetin e çështjes.

Më dhemb që njerëzit e komunitetit tim, prejardhja ime autoktone dhe hispanike, mestizaja (trashëgimia) ime siç e quajmë ne, përzierja e kulturave tona, do të shihnin njërën pjesë ose tjetrën e trashëgimisë sonë si diçka për t'u sharë. Unë i kam kushtuar tërë jetën time përpjekjes për t'i pajtuar ato, dhe këtu në një moment të veçantë, po shoh që ato t'i largohen njëra-tjetrës", thotë Ruben Mendoza, i Universitetit Shtetëror të Kalifornisë.

Çdo brez duhet të rivlerësojë heronjtë e tij, qoftë Kolombusi, Serra apo presidentët e Shteteve të Bashkuara, thotë udhëheqësi fisnor Ortega:

((SKYPE, Rudy Ortega, udhëheqës fisnor))

"Jemi duke bërë histori. 100 vjet nga tani, njerëzit do ta lexojnë këtë në një libër shkollor, dhe do të thonë kjo është ajo që njerëzit bënë për të përmirësuar jetën në Amerikë, për t'u siguruar që ka më shumë përfshirje".

Sidoqoftë ai dëshiron një proces të rregullt në marrjen e vendimeve.

Profesor Mendoza ankohet se kritikët shpesh dinë pak histori.

((SKYPE, Ruben Mendoza, Universiteti Shtetëror i Kalifornisë))

"Le të shpresojmë se ata që po e bëjnë këtë nuk do ta gjejnë veten në pozicionin për t'u nderuar një ditë sepse do të ketë një grup tjetër që do të vijë dhe gjithashtu do të përdhosë kuptimin e asaj që ata kontribuan në shoqëri", thotë zoti Mendoza.

Ndërsa rivlerësimi vazhdon, njerëzit pyesin, "kush duhet të nderohet në monumentet publike?" dhe "kush duhet të vendosë?" - pyetje pa përgjigje të lehta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG