Lidhje

Pompeo: 6 media kineze në Amerikë do të përcaktohen si “misione të huaja”


Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha të mërkurën se Departamenti i Shtetit do t’i përcaktojë operacionet e gjashtë kompanive kineze të medias në SHBA si “misione të huaja”.

Zoti Pompeo tha gjithashtu gjatë një konference shtypi në Departamentin e Shtetit se të premten Shtetet e Bashkuara do të fillojnë një dialog mbi Kinën me Bashkimin Evropian.

Sekretari Pompeo nuk i përmendi emrat e mediave kineze. Departamenti i Shtetit i quajti mediat kineze mjete propagande dhe të varura nga Partia Komuniste e Kinës.

Ky është një tjetër hap i SHBA për të frenuar aktivitetin kinez në Shtetet e Bashkuara në prag të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, ku presidenti Trump e ka bërë qëndrimin e ashpër ndaj Kinës një temë kryesore të politikës së jashtme.

Departamenti i Shtetit u kishte kërkuar më parë mediave kineze të regjistroheshin si “misione të huaja” dhe njoftoi në muajin mars se do të shkurtonte numrin e gazetarëve që lejohen të punojnë në SHBA nga 160 në 100.

Shtetet e Bashkuara thanë muajin e kaluar se do të kërkonin që diplomatët e lartë kinezë të marrin miratimin e Departamentit të Shtetit para se të vizitojnë kampuset universitare amerikane ose kur zhvillojnë aktivitete kulturore me më shumë se 50 persona jashtë mjediseve të misionit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG