Lidhje

NYT: Taksat e Presidentit Trump tregojnë përpjekjet e tij për projekte në Kinë


Presidenti Donald Trump kaloi një dekadë në kërkim të projekteve në Kinë, duke mbajtur atje një zyrë gjatë fushatës së tij të parë presidenciale dhe duke krijuar një partneritet me një kompani të madhe të kontrolluar nga qeveria, njoftoi të martën gazeta New York Times.

Kina është një nga tre vendet e huaja, krahas Britanisë dhe Irlandës, ku Presidenti Trump mban llogari bankare, sipas një analize të gazetës mbi të dhënat tatimore të presidentit. Llogaritë jashtë vendit nuk shfaqen në deklarimet financiare publike të zotit Trump, ku ai rendit pasuritë personale, sepse këto llogari mbahen nën emrin e kompanive në zotërim të tij.

Llogaria e tij në Kinë kontrollohet nga firma Trump International Hotels Management LLC, që sipas të dhënave tatimore, ka paguar në Kinë 188,561 dollarë taksa, ndërsa kërkonte të arrinte marrëveshje liçensimi atje nga viti 2013 në 2015.

Në përgjigje të pyetjeve të gazetës New York Times, Alan Garten, avokat i Organizatës Trump, tha se kompania kishte “hapur një llogari në një bankë kineze që kishte zyra në Shtetet e Bashkuara për të paguar taksat lokale” që lidheshin me përpjekjet për të bërë biznes atje. Ai tha se kompania e kishte hapur llogarinë pasi krijoi një zyrë në Kinë "për të eksploruar mundësinë për marrëveshje hoteliere në Azi".

"Asnjë marrëveshje, transaksion ose veprimtari tjetër biznesi nuk është materializuar ndonjëherë dhe, që nga viti 2015, zyra ka mbetur joaktive," tha zoti Garten. "Megjithëse llogaria bankare mbetet e hapur, ajo kurrë nuk është përdorur për ndonjë qëllim tjetër."

Zoti Garten nuk e identifikoi bankën në Kinë ku mbahet llogaria.

Kina vazhdon të jetë temë në fushatën presidenciale të vitit 2020, nga lufta tregtare e presidentit te kritikat e tij mbi origjinën e pandemisë së koronavirusit. Fushata e tij është përpjekur ta portretizojë ish-nënpresidentin Joe Biden si dikë që nuk i ka lexuar drejt rreziqet që paraqet rritja e fuqisë së Kinës. Presidenti Trump gjithashtu ka kërkuar që ta njollosë rivalin e tij me pohime të fryra ose të pabazuara në lidhje me marrëdhëniet e biznesit që ka patur atje djali i tij Hunter Biden, ndërsa i ati ishte në detyrë.

Sa i përket ish-nënpresidentit, deklarimet e tij publike financiare, së bashku me deklaratat tatimore që ai publikoi vullnetarisht, nuk tregojnë të ardhura ose marrëdhënie biznesi në Kinë. Ndërkaq, ka prova të shumta të përpjekjeve të zotit Trump për të bërë biznes atje.

Ashtu si me Rusinë, ku u përpoq pa sukses për projekte hotelesh dhe kullash në Moskë, zoti Trump ka kërkuar prej kohësh një marrëveshje liçencimi në Kinë. Përpjekjet e tij fillojnë të paktën që nga viti 2006, kur ai paraqiti aplikime për marka tregtare në Hong Kong dhe në kontinent. Shumë miratime të qeverisë kineze erdhën pasi ai u bë president.

Në vitin 2008, zoti Trump u përpoq të merrte një projekt kulle për zyra në Guangzhou, që nuk u bë kurrë realitet. Por përpjekjet e tij u përshpejtuan në vitin 2012 me hapjen e një zyre në Shangai dhe të dhënat tatimore tregojnë se një nga kompanitë e zotit Trump e lidhur me Kinën, THC China Development LLC, kërkoi atë vit 84,000 dollarë zbritje për kostot e udhëtimit, tarifat ligjore dhe shpenzimet e zyrës.

Gazeta New York Times tha se të dhënat tatimore të zotit Trump tregojnë se ai ka investuar të paktën 192,000 dollarë në pesë kompani të vogla të krijuara posaçërisht për të kërkuar projekte në Kinë gjatë shumë viteve. Këto kompani kanë bërë të paktën 97,400 dollarë shpenzime biznesi që nga viti 2010, duke përfshirë disa pagesa të vogla për taksa dhe tarifa kontabiliteti deri në vitin 2018, sipas gazetës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG