Lidhje

Tiranë, Forumi i parë ballkanik kundër antisemitizmit


Në Shqipëri nisi sot pasdite Forumi Ballkanik kundër antisemitizmit, një nismë e parlamentit shqiptar, e cila bëri bashkë në një platformë virtualë, autoritetet të larta nga vendet e Ballkanit, por dhe nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi europian dhe Izraeli

Në ndërhyrjen e tij në këtë Forum, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo vlerësoi fillimisht lart Shqipërinë dhe ndhihmën që populli i saj ofroi gjatë luftës së Dytë botërore ndaj hebrenjve. Për këtë arsye theksoi ai “është me vend që kjo konferencë zhvillohet në Shqipëri, një mike e madhe e Shteteve të Bashkuara”.

Zoti Pompeo tha më tej se përtej historisë, është e rëndësishmë që të gjithë “të ngrejnë zërin kundër antisemitizmit, ne kemi përgjegjësinë për t’i shkatërruar përpjekjet antisemitiste. Së pari duhet ta përkufizojmë qartë. Falë një urdhëri ekzekutiv të presidentit Trump, të gjitha qeveritë federale në Shtetet e Bashkuara miratuan përkufizimin e përdorshëm për antisemitizmin, të përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit. Ne nxisim kompanitë dhe shtetet e tjera që të bëjnë saktësisht të njejtën gjë”, u shpreh Sekretari Pompeo, duke nënvizuar se “nevoja për të luftuar antisemitizmin mbetet aktuale, siç vërejtëm me shqetësim edhe gjatë pandemisë”. Ai theksoi më tej se “duhet të garantohet siguria e çdo personi, për të mundësuar që të gjithë të jetojnë krah për krah në paqe”.

Për kryeministrin Edi Rama, “problemi më i madh dhe kërcënimi më i madh që ne na duhet të përballemi e ta konsiderojmë si diçka të përhershme në fokusin tonë në lidhje me shoqëritë tona, nuk është vetëm shprehja e menjëhershme e antisemitizmit në formën e vetëkuptueshme, por është relativizimi. Relativizimi në raport me atë çka u ndodhi hebrenjve, relativizimi i asaj çka ndodhi gjatë kësaj Lufte të Dytë Botërore, që është realisht burimi i kryerjes së kësaj të keqeje kaq të madhe, nëse nuk do jemi të bashkuar në mënyrë që ta shterojmë këtë burim”.

Sipas kryeministrit Rama, vëmendje i duhet kushtuar dhe “kërcënimit që vjen nga e gjithë veprimtaria që shfaqet në rrjetet sociale. Nuk ka dyshim që ka shumë shpresë në shoqërinë digjitale dhe një progres gjithëpërfshirës për njerëzimin që në fakt nuk duhet të kthehet në një makth të dalë jashtë kontrollit për askënd prej nesh. Për këtë, unë jam fort i bindur që Fuqitë e Mëdha, demokracitë e mëdha duhet realisht të veprojnë përpara se të jetë vonë. Sfida e luftës kundër antisemitizmit në format e veta më të sofistikuara duhet të jetë sot, më shumë se kurrë, një thirrje ndaj ndërgjegjes sonë kolektive”.

Javën e shkuar parlamenti shqiptar votoi në unanimitet një rezolutë për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, të përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit duke iu bashkuar 43 vendeve të tjera që e kanë miratuar atë.

“Rezoluta dhe Forumi i sotëm janë dy hapa të vendosur, që e bashkojnë Shqipërinë me përpjekjet e qytetërimit bashkëkohor në një prej veprimeve më domethënëse e simbolike, luftën kundër antisemitizmit. Të gjithë kombet që aspirojnë demokracinë, pluralizmin, diversitetin e tolerancën duhet t’i bashkohen frontit kundër antisemitizmit”, deklaroi kryetari i Parlamentit shqiptar Gramoz Ruçi.

Miratimi nga ana e deputetëve shqiptarë të rezolutës u vlerësua nga presidenti i Parlamentit europian David Sassoli “pasi duke aprovuar përkufizimin për antisemitizmin, zyrtarisht ju keni aderuar në përpjekjet globale në luftën kundër antisemitizmin, duke i treguar rrugën edhe të tjerëve. Ky vendim reflekton edhe historinë tuaj krenare, që në orët më të errta të historisë së Europës mbrojti hebrenjtë, kurajoja që populli juaj tregoi duke mbrojtur dhe fshehur ata që iknin nga persekutimi i regjimit nazist. Kjo është një shenjë e qartë e humanizmit tuaj dhe nuk mundem vetëm që të uroj që shembulli që keni dhënë atëherë dhe që jepni sot, të ndiqet nga vende të tjera të Ballkanit dhe të botës”, u shpreh presidenti Sassoli.

Për drejtuesin e parlamentit të Izraelit, Yariv Levin “Shqipëria ka një histori të gjatë të vendosur kundër antisemitizmit dhe nuk është surprizë që sot ka marrë një rol lidershipi në luftën kundër këtij fenomeni. Ne të gjithë kujtojmë trimërinë dhe sakrificat të popullit shqiptar gjatë Holokausit. Duke u dhënë strehë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ata e bënë Shqipërinë të vetmin vend në Europë që pati popullsinë më të madhe hebreje në vitin 1945 se në vitin 1939. Jam i nderuar për t’i shprehur vlerësimin tim Parlamentit shqiptar, që javën e kaluar votoi në unanimitet rezolutën për përkufizimin e antisemitizmit. Shpresoj që kjo të inspirojë vende dhe parlamente të tjera.”, nënvizoi zoti Levin.

Forumit të parë ballkanik kundër antisemitizmit, ju bashkuan dhe drejtuesit e parlamenteve të vendeve të tjera ballkanike, të cilët gjithashtu shprehën angazhimin në luftën ndaj këtij fenomeni.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG