Lidhje

Amerikani i ndaluar në Bjellorusi kthehet në vend 

Një amerikan i ndaluar në Bjellorusi para zgjedhjeve presidenciale të debatuara të gushtit, ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara të mërkurën pasi Sekretari i Shtetit Mike Pompeo bëri thirrje për lirimin e tij, i tha Zërit të Amerikës avokati i zotit Shkliarov.

Vitali Shkliarov, një analist politik bjelloruso-amerikan i cili ka punuar në të kaluarën në fushatat politike të ish-Presidentit Barack Obama dhe Senatorit Bernie Sanders, u ndalua nga agjentët e sigurimit të shtetit ndërsa po vizitonte prindërit e tij në Grodno me 28 korrik.

Autoritetet e akuzuan për rol në organizimin e tubimeve të paligjshme për një pjesëtar të opozitës para zgjedhjeve të 9 gushtit, votime të cilat Lukashenko pretendon se i fitoi fuqishëm, por që nga ana tjetër janë parë si të manipuluara prej tij për të mbajtur pushtetin 26 vjeçar.

Dhjetëra mijëra bjellorusë i janë bashkuar që atëherë një kryengritjeje popullore, ndërsa janë përballur me shtypjen policore në përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund në rrugë paqësore sundimit të Lukashenkos.

Por Lukashenko argumenton se protestat mbështeten nga fuqitë perëndimore, ndërsa ka sjellë arrestimin si provë e drejtpërdrejtë e ndërhyrjes amerikane.

Megjithatë, rrethanat e lirimit të zotit Shkliarov u varën nga një telefonatë që bëri Sekretari Pompeo me Lukashenkon të shtunën e kaluar, kontakti i parë i nevelit të lartë që dihet publikisht mes Shteteve të Bashkuara dhe Lukashenkos që nga fillimi i krizës politike.

“Sekretari bëri thirrje për lirimin e tij dhe largimin e menjëhershëm nga Bjellorusia të shtetasit amerikan Vitali Shkliarov të ndaluar padrejtësisht, dhe riafirmoi mbështetjen amerikane për aspiratat demokratike të popullit bjellorus,” u shpreh në atë kohë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Avokati i zotit Shkliarov, Anton Gashinsky tha për Zërin e Amerikës se klienti i tij paraqiti një kërkesë për të dalë nga vendi në pritje të gjykimit.

“Fakti që ata e miratuan kërkesën e tij është pa diskutim rezultat i telefonatës së zotit Pompeo”, tha avokati Gashinsky në një intervistë nga Minsku.“Ata e panë se mbajtja e tij në burg ishte toksike për vendin dhe për autoritetet. Ata morën vendimin e duhur,”tha ai.

“Shtetet e Bashkuara e mirëpresin largimin nga Bjellorusia të shtetasit amerikan Vitali Shkliarov të ndaluar padrejtësisht,”tha Sekretari Pompeo përmes një deklerate të publikuar të mërkurën.“Siç e kemi bërë të qartë Presidenti dhe unë, ne nuk do të tolerojmë që qeveritë e huaja të ndalojnë padrejtësisht shtetasit amerikanë.”

Avokati Gashinsky konfiromoi për Zërin e Amerikës se zoti Vitali Shkliarov tani ndodhet në Uashington dhe i është nënshtruar trajtimit mjekësor lidhur me simpotmat e shkaktuara nga koronavirusi dhe përfundimisht do të kthehet në Bjellorusi për t’u paraqitur në gjykatë sapo të jetë më mirë me shëndet.

This item is part of

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG