Lidhje

Vdes nga COVID-19 Peshkopi i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Amfilohije


Kreu i kishës ortodokse serbe në Mal të Zi, peshkopi Amfilohije, i cili kishte udhëhequr protestat disa mujore kundër qeverisë pro-perëndimore malazeze, vdiq në spital pas infektimit me koronavirus.

Mjekët njoftuan se gjendja shëndetësore e peshkopit Amofilohije, 82 vjeçar, u përkeqësua të enjten pas problemeve me frymëmarrje dhe dhimbjeve në gjoks.

Ai ishte shtruar në një spital të Podgoricës, pasi u testua pozitiv për COVID-19.

Para zgjedhjeve parlamentare të gushtit, kisha serbe e drejtuar nga kleriku Amofilohije organizoi protesta për muaj të tërë kundër një ligji për pronën të miratuar nga parlamenti në dhjetor.

Peshkopi Amfilohije gjatë protestave në Podgoricë
Peshkopi Amfilohije gjatë protestave në Podgoricë

Kisha pro-ruse prentendon se ligji e lejonte shtetin malazez të konfiskonte pronat e saj, gjë që sipas tyre ishte hapi i parë drejt krijimit të një kishe të veçantë malazeze.

Kjo është mohuar nga qeveria.

Protestat, disa prej të cilave u mbajtën në kundërshtim me udhëzimet shtetërore për grumbullimet publike gjatë pandemisë, mobilizuan opozitën, e cila fitoi zgjedhjet e gushtit me rezultat të ngushtë.

Kleriku Amfilohije, i njohur për pikëpamjet e tij politike anti-perëndimore dhe pro-ruse, luajti rol kryesor në udhëheqjen e protestave anti-qeveritare dhe krijimin e një koalicioni opozitar që aktualisht po mundohet të formojë qeverinë e re të vendit.

Amfilohije dikur tha se myslimanët janë “një popull i rremë me një fe të rreme”. Ai ishte i njohur edhe për deklaratat e tij të shpeshta kundër komunitetit LGBT dhe barazisë gjinore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG