Lidhje

Paris, qindra vetë protestojnë kundër masave kufizuese


Nga sot (e premte) në Francë kanë hyrë në fuqi masat e reja kufizuese pas rritjes së rasteve me koronavirus në të gjithë vendin. Francezët mund të largohen nga shtëpitë vetëm për arsye thelbësore, të tilla si për të blerë ushqime apo vajtur tek mjeku. Shkollat do të qëndrojnë të hapura ndërsa universitetet do ta zhvillojnë mësimin në internet. Masat e reja do të qëndrojnë në fuqi deri të paktën më 1 dhjetor dhe pritet të rishikohen pas 15 ditësh. Franca është aktualisht vendi me numrin më të lartë të infeksioneve në Evropë. Kufizimet e reja, më pak të ashpra se ato të pranverës, u pritën me protesta nga një pjesë e francezëve.

Paris, qindra vetë protestojnë kundër masave kufizuese
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:53 0:00

Disa qindra vetë dolën në rrugët e Parisit për të protestuar ndaj masave të reja bllokuese të qeverisë franceze që synojnë frenimin e korovirusit. Të rinj, disa prej të cilëve veshur me jelekë të verdhë, dolën në rrugë duke u bërë thirrje drejtuesve të automjeteve e kalimtarëve, që t'u bashkoheshin në përpjekjet kundër atyre që ata thanë se ishin rregulla të padrejta e antidemokratike.

"Jam gati të dal në rrugë për të mbrojtur lirinë e fjalës, do të dal për karikaturat. Bëhet fjalë për democracinë tonë, për vendin ynë. Në fakt jam e gatshme të dal më shumë për të mbrojtur lirinë e fjalës sesa kundër bllokimit dhe maskave apo gjërave të tjera si këto", thotë Valérie Bourgois, 51 vjeç.

"Është për të ardhur keq, E dimë se kjo është darka e fundit jashtë për momentin dhe realisht nuk e dimë se kur do të ndodhë përsëri", thotë Alexander Berger, 24 vjeç student praktikant nga Belgjika.

"Unë jam meksikane, por jetoj këtu. Kjo që po ndodh nuk është një gjë e mirë për mua sepse u largova nga vendi im për të shijuar përvojën e të jetuarit në një vend tjetër, por të qëndruarit mes katër mureve, larg familjes dhe miqve është shumë e vështirë", thotë Laura Beimberg, e cila punon për kompaninë L'Oreal.

Shumë francezë u treguan të gatshëm të pajtohen me kufizimet duke pasur parasysh numrin në rritje të vdekjeve të lidhura me virusin dhe pacientët COVID-19 që po mbushin spitalet franceze.

"Është për të mirën e Francës dhe ne nuk jemi të vetmit që e bëjmë këtë në Evropë. Mund të kishte qenë më shqetësuese nëse do të ishim të vetmit. Eshtë e vështirë për ne që kemi restorante e për të tjerë pronarë biznesesh që po vuajnë. Duhet të qëndrojmë të bashkuar e të shpresojmë që hapemi sërish në kushte më të mira dhe të kthehemi të punojmë si zakonisht", thotë Yoann Boullé menaxher restoranti.

Masat e reja izoluese janë më të buta krahasuar me ato që vendi zbatoi në pranverë, por gjithsesi një tronditje për restorantet dhe bizneset e tjera jo thelbësore që janë urdhëruar të mbyllin dyert në një nga ekonomitë më të mëdha në botë. Tashmë 60 për qind e njësive të kujdesit intensiv të vendit janë të mbushura me pacientë me COVID-19. Të mërkurën Franca raportoi 244 vdekje të lidhura me virusin brenda një ditë të vetme, nga një total prej mbi 35 mijë të vdekurish që nga fillimi i pandemisë, ndër shifrat më të larta të raportuara në botë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG