Lidhje

Veteranët të prirur të votojnë për Presidentin Trump; ka megjithatë edhe të zhgënjyer


Veteranët e ushtrisë amerikane kanë prirjen të votojnë për republikanët në zgjedhjet presidenciale dhe një shumicë e tyre ka të ngjarë ta bëjë këtë përsëri këtë vit. Por disa veteranë po rishikojnë prirjet e tyre politike dhe po votojnë për çështjet që kanë më shumë rëndësi për ta.

Një sondazh i fundit i portalit “Military Times” tregon se 52% e veteranëve planifikojnë të mbështesin Presidentin Donald Trump në këto zgjedhje.

"Unë mendoj se shumë njerëz po e shikojnë Presidentin Trump dhe thonë, ‘Unë mund të votoj për të për faktin e thjeshtë se ka mbajtur premtimet e bëra’,” thotë zoti Jordan.

Nga familje me veteranë lufte prej pesë brezash, Jeff Jordan, i cili shërbeu në Irak dhe Afganistan, përshëndet zvogëlimin e forcave në Afganistan dhe negociatat e paqes me Talibanët.

"Unë mendoj se në këtë pikë, gjëja e duhur për të bërë është të tërhiqemi, sepse kemi qenë në Afganistan gati 20 vjet. Çfarë nxorrëm nga kjo?”, thotë zoti Jordan.

Jo vetëm që zoti Jordan i ka dhënë mbështetjen e tij Presidentit Trump, por ai edhe vendosi të kandidojë për në Kongres. Një pjesë e madhe e platformës së tij është komunikimi me veteranët më të vjetër, si Curtis Herrick, veteran i Vietnamit dhe mbështetës i Presidentit Trump.

"Nëse besoni se ai ka një personalitet të keq dhe nuk mendoni për të gjithë pjesën tjetër, mund të jeni duke e hedhur foshnjën jashtë bashkë me ujin e banjës, sepse ai me të vërtetë po realizon gjëra", thotë zoti Herrick.

Zoti Herrick thotë se ai vlerëson aftësitë vendimmarrëse të Presidentit Trump.

Ai punon rreth 20 orë në ditë dhe vendos me të vërtetë shpejt. Kur Presidenti Obama pati valën e parë, ai u mundua për nëntë muaj para se të merrte vendime”, tha zoti Herrick.

Por, rreth 42% e veteranëve të anketuar thanë se do të votonin për sfiduesin demokrat, ish-Nënpresidentin Joe Biden.

"Unë kurrë nuk kam votuar demokratët", thotë njëri prej tyre.

Ndër ta është edhe veterani i hershëm republikan Jim Naylor, i cili votoi për Presidentin Trump në vitin 2016.

Ishte vërtet për të ardhur keq. Pas kësaj u ndjeva jo mirë”, thotë ai.

Zoti Naylor thotë se ai krijoi një video për grupin “Votuesit Republikanë Kundër Trump-it” në vitin 2020, pasi Presidenti Trump kritikoi veteranët dhe anëtarët e shërbimit, përfshirë senatorin e ndjerë John McCain, ish-Sekretarin e tij të Mbrojtjes Jim Mattis dhe Nënkolonelin Alexander Vindman, i cili dëshmoi kundër Presidentit Trump për çështjen e Ukrainës gjatë procesit hetimor për shkarkimin e tij.

Zoti Naylor gjithashtu tha se tërheqja nga Presidenti Trump e forcave në Siri tetorin e kaluar çnderoi ushtrinë.

Ai nuk i dërgoi në shtëpi. Ai i dërgoi ata thjesht në vendet, siç tha vetë, që po paguajnë që ne të jemi atje. Ai i dërgoi ata në Arabinë Saudite sepse Arabia Saudite paguan. Kjo thjesht duket kundër asaj për të cilën ne shkojmë atje për të luftuar. Ne nuk jemi mercenarë. Ne nuk luftojmë për atë që bën ofertën më të lartë. Ne luftojmë për atë që është e drejtë”, tha zoti Naylor.

Gati dy të tretat e veteraneve femra të anketuara nga portali “The Military Times” nuk e miratojnë presidencën Trump.

Si ish-drejtuese anijesh, veterania e Marinës, Lauren Symmes, e krahason menaxhimin e pandemisë së koronavirusit nga Presidenti Trump me drejtimin e një anijeje përmes një stuhie.

Detyra e Donald Trump-it është të vendosë një kurs për vendin tonë dhe të bëjë korrigjimet e kursit për këtë pandemi dhe luftimin e saj. Ai nuk ka kurfarë kursi, e jo më ta korrigjojë atë dhe kjo është me të vërtetë e frikshme”, thotë zonja Symmes.

"Vërtet besoj se Joe Biden është personi që do ta bëjë këtë", thotë ajo.

Ashtu si votuesit e pavendosur në popullatën e përgjithshme, një përqindje e vogël e veteranëve të anketuar janë të ndarë midis kandidatëve të palëve të treta ose po i ndjekin zgjedhjet në mënyrë pasive.

"Sipas mendimit tim, alternativat që kam janë mes cianidit dhe arsenikut", thotë veterani i pavendosur Josh Hill.

Veterani i Luftës në Irak, Josh Hill, votoi për një parti të tretë herën e fundit, në formë proteste dhe përsëri nuk i pëlqen asnjë nga alternativat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG