Lidhje

Shqipëri, rriten të shtruarit në spitale, hapet COVID 3


Në Shqipëri autoritetet shëndetësore njoftuan sot hapjen edhe të spitalit të tretë që do të trajtojë të sëmurët e prekur nga COVID 19-a, të cilët janë me shenja klinike, ndërsa numri i pacientëve shënoi rritjen më të madhe ditore.

Spitali gjendet në mjediset e Qendrës Universitare Nënë Tereza të Tiranës dhe pritet të ofrojë një maksimum prej 150 shtretërish. Në këtë spital parashikohet të trajtohen pacientë që kanë dalë nga gjendja kritike dhe janë drejt përmirësimit. Vënia e tij në funksion erdhi pas një rritje të vazhdueshme të të shtruarve.

Sot numri i pacientëve shënoi një rekord të ri duke shkruar në 319 të shtruar, 18 më shumë se një ditë më parë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, 9 janë në terapi intensive dhe 7 të tjerë të intubuar

Po ashtu dhe numri i viktimave shënoi një ndër nivelet më të larta me 7 persona që kanë humbur jetën, mes të cilëve dhe një 34 vjeçar me sëmundje shoëruese dhe një tjetër 44 vjeçar, pa sëmundje të mëparshme. Në total janë 509 vdekje që nga fillimi i pandemisë.

Nga ana tjetër, rastet e reja shënuan një rënie të ndjeshme nga piku prej 319 të infektuarve një ditë më parë, duke zbritur në 241 persona që rezultuan pozitiv nga 1260 testimeve, në ulje nga 24 orët pararendëse.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG