Lidhje

Qendra Carter sjell përvojën ndërkombëtare në ndihmë të votuesve amerikanë


Qendra Carter sjell përvojën ndërkombëtare në ndihmë të votuesve amerikanë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:04 0:00

Ndërkohë që amerikanët ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në një periudhë pandemie, Qendra Carter, me seli në Atlanta të Xhorxhias, themeluar nga ish-presidenti amerikan Jimmy Carter, po punon për të informuar votuesit.

Themeluar në vitin 1986 nga ish-presidenti Carter dhe bashkëshortja e tij, Rosalynn, Qendra Carter prej kohësh ka punuar për të nxitur paqen dhe demokracinë në botë.

Në kuadër të misionit të saj, kjo qendër u bë një ndër institucionet kryesore që mbikqyr zgjedhjet, duke ndjekur mbarëvajtjen e zgjedhjeve në 110 gara në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine.



“Gjithmonë kemi punuar për paqen në botë, por kemi lënë në harresë Shtetet e Bashkuara,” u shpreh ish-presidenti Carter.

Një ndër arsyet është fakti se gjykimi i mbarëvajtjes së zgjedhjeve amerikane është një mision kolosal në një vend ku 50 shtetet përbërëse ndjekin rregulla të ndryshme për procesin e votimit dhe numërimin e votave.


“Kushtetuta thotë se secili shtet vepron në mënyrë të pavarur; për këtë arsye kemi mënyra kaq të ndryshme të zhvillimit të zgjedhjeve,” shpjegon ish-presidenti Carter.

Por pasi agjencitë amerikane të zbulimit diktuan ndërhyrje të huaja në zgjedhjet e 2016-ës si dhe paralajmëruan për ndërhyrje të ngjashme në 2020, Qendra Carter arriti në përfundimin se përvoja e saj në vëzhgimit e zgjedhjeve jashtë vendit mund të shërbente për të informuar votuesit amerikanë:

“Kur njerëzit kuptojnë se si funksionon procesi zgjedhor, janë më të përgatitur të krijojnë pritshmëri për procesin. Kjo ndihmon për të ushqyer besim tek procesi i administrimit të procesit zgjedhor,” thotë Avery Davis-Roberts, zëvendës drejtoreshë e Programit për Demokraci pranë Qendrës Carter.

Kjo qendër po punon për te informuar amerikanët se si të votojnë në mungesë apo me postë. Këtë radhë numra rekordë votuesish kanë kërkuar të votojnë me postë për arsye të pandemisë.

“Këto janë zgjedhje të pazakonta për Shtetet e Bashkuara. Në jetën tonë nuk kemi hasur zgjedhje të tilla. Po mësojmë në proces e sipër,” thotë zonja Davis-Robers.


Qendra Carter kohët e fundit bashkoi forcat me Grupin Dypartiak të Punës për Zgjedhje të Sigurta në Xhorxhia dhe po ofrojnë “ekspertizë dhe udhëzime” për zyrtarët e zgjedhjeve në këtë shtet, ku votuesit do të zgjedhin këtë radhë jo vetëm presidentin dhe ligjvënësit, por edhe dy senatorët.

Qendra ofron edhe trajnim për gazetarët lidhur me standardet ndërkombëtare mbi transparencën si dhe konferenca virtuale mbi procesin zgjedhor. Por zonja Davis-Roberts thekson se Qendra Carter nuk është zyrtarisht vëzhguese e zgjedhjeve.

“Nuk do të bëjmë deklarata për të krahasuar mbarëvajtjen e zgjedhjeve me standardet ndërkombëtare, siç bëjmë në vende të tjera ku dërgohemi me misionin e vëzhguesit,” thotë ajo.


Qendra Carter thotë se synon të nxisë transparencën dhe durimin.


“Duam që të gjitha votat të numërohen, duam që çdo zë të dëgjohet. Duhet të tregohemi të duruar që të lejojmë zhvillimin e procesit”.

Ish-presidenti Carter shpreson të shohë shumë më tepër se thjesht rritjen e pjesëmarrjes në votime dhe shtimin e besimit tek procesi zgjedhor.

“Jo vetëm për paqen, por edhe për të drejtat e njeriut, cilësinë e mjedisit dhe trajtimin e të gjithëve si të barabartë pavarësisht nga besimi, apo përkatësia partiake,” thotë ish-presidenti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG