Lidhje

Sfidë e re ligjore nga ekipi i fushatës zgjedhore të presidentit


Zyrtarët zgjedhorë numërojnë votat në Nevada

Ekipi i fushatës zgjedhore të Presidentit Donald Trump vazhdoi të paraqesë sfida ligjore ndaj numërimit të votave të enjten, megjithëse pësoi disa goditje në dy shtete të rëndësishme për të fituar zgjedhjet.

Në Nevada, shtet me prirje demokrate ku ish-nënpresidenti Joe Biden ruan një diferencë të ngushtë ndaj Presidentit Trump me vazhdimin e numërimit të votave, kampi zgjedhor i presidentit dhe republikanët e këtij shteti njoftuan se po paraqesin padi me pretendimin se të paktën 10,000 vetë, që nuk kanë status rezidenti në atë shtet, kishin votuar në mënyrë të paligjshme dhe votat e tyre ishin pranuar për numërim.

“Në këtë vend është e papranueshme të numërohen votat e paligjshme. Kjo po ndodh në shtetin e Nevadës,” tha ish-shefi në detyrë i shërbimeve të zbulimit, Richard Grenell, në një konferencë për shtyp në Las Vegas.

Joe Gloria, zyrtari përgjegjës për regjistrin e votuesve në Komunën Klark në Nevada i hodhi poshtë këto pretendime. “Nuk jemi në dijeni të fletëvotimeve të parregullta që janë pranuar për numërim,” tha zoti Gloria në një konferencë për shtyp.

Punonjësit e ekipit zgjedhor të presidentit njoftuan të mërkurën se do të paraqesin padi për të ndalur përkohësisht numërimin e votave në Pensilvani – një shtet kritik për rizgjedhjen e presidentit – deri kur vëzhguesve t’u lejohet qasje më e mirë për të ndjekur procesin e numërimit të votave.

Padia në Nevada, sfida e katërt kryesore ligjore që nga e marta për zgjedhjet 2020, pason vendimet e gjykatave në Xhorxhia dhe Miçigan që nuk pranuan të shqyrtojnë sfidën ligjore të ekipit për rizgjedhjen e presidentit lidhur me trajtimin e fletëvotimeve në këto shtete.

Në Xhorxhia, republikanët ngritën akuza se bordi lokal i zgjedhjeve po lejonte përfshirjen e fletëvotimeve të pavlefshme të dërguara me postë në procesin e numërimit. Por një gjykatës e hodhi poshtë padinë pasi një zyrtar lokal zgjedhor dëshmoi se fletëvotimet në fjalë “kishin arritur në kohë”.

Në Miçigan, një gjykatës lokal hodhi poshtë kërkesën e zyrtarëve të fushatës zgjedhore të Presidentit Trump për të ndalur numërimin deri kur të vihej në zbatim një “qasje e pranueshme” në procesin e përpunimit të fletëvotimeve, si për shembull kamera për të xhiruar pamjet dhe aktivitetin me kutitë ku hidhen votat. Një ditë më parë vendimit të gjykatësit, zoti Biden ishte shpallur fitues në këtë shtet nga organizatat mediatike.

Megjithëse humbi dy sfida ligjore në Xhorxhia dhe Miçigan, presidenti arriti një fitore fillestare në Pensilvani, ku një gjykatës i apelit dha urdhër që vëzhguesit republikanë të lejoheshin për të ndjekur numërimin e votave në një sallë konferencash, nga një distancë prej 2 metrash nga personi që bën numërimin.

Këshilltarë të ekipit zgjedhor të Presidentit Trump e përshëndetën vendimin, duke u zotuar se do të vazhdonin betejën në Pensilvani dhe shtete të tjera që i nevojiten presidentit për fitore.

"Do të vazhdojmë të luftojmë për këto zgjedhje sepse këtë dëshiron populli amerikan,” tha menaxheri i fushatës së zotit Trump për rizgjedhje, Bill Stepien gjatë një komunikimi me shtypin.

Kampi i zotit Biden i cilësoi paditë e rivalit si të pavlefshme.

“Synojnë t’i japin kampit të zotit Trump mundësinë për të argumentuar se duhet të ndalet numërimi i votave. Por nuk do të ndalet,” tha këshilltari i fushatës zgjedhore të zotit Biden, Bob Bauer.

Rezultatet e zgjedhjeve rrallë herë sfidohen. Por ky ka qenë procesi më i sfiduar përmes sistemit gjyqësor dhe presidenti tha se “rreziku më i madh” për të është humbja në gjykatë.

Duke mos përfillur thirrjet e zotit Trump për të ndalur numërimin e votave, zyrtarët e zgjedhjeve në gjashtë shtete ku rezultatet mbeten ende të pashpallura: Alaska, Arizona, Xhorxhia, Nevada, Karolina e Veriut dhe Pensilvani, vazhduan numërimin dhe ekspertët ligjorë thonë se nuk ka gjasa që gjykatat të ndalin numërimin.

“Nuk mendoj se ndonjë prej tyre (padive gjyqësore) do të ketë ndikim duke ndalur numërimin e votave në një mënyrë që ndikon tek zgjedhjet, në ditët e ardhshme,” tha Jordan Strauss, ish-prokuror federal dhe aktualisht drejtor menaxhues me firmën konsultuese, Kroll. “Ka plot zëra dhe aludime, por asnjë prej sekretarëve të shteteve në këto katër shtete nuk e ka certifikuar ende rezultatin”.

Nga shtetet e padeklaruara, Pensilvania ka gjasa të tërheqë vëmendjen më të madhe në paditë gjyqësore pasi ka 20 vota elektorale, që e bën të domosdoshme për rizgjedhjen e presidentit.

Para ditës së zgjedhjeve, republikanët u përpoqën pa sukses përmes një padie që u paraqit para Gjykatës së Lartë, të pengonin planet e Pensilvanisë për të numëruar vota të dërguara me postë që arrinin deri në tri ditë pas ditës së zgjedhjeve.

Por disa nga anëtarët konservatorë të Gjykatës së Lartë sinjalizuan se mund të jenë të hapur për ta marrë përsëri në shqyrtim këtë çështje.

Duke pasur parasysh numrin relativisht të vogël të votave që kanë mbërritur që nga e marta në Pensilvani, kjo çështje mund të jetë e pavlefshme, thonë ekspertët.

“Numri i fletëvotimeve që do të marrin nuk ka gjasa të jetë aq i madh sa të ndryshojë rezultatin në numërim, edhe nëse i përjashtojnë nga totali këto fletëvotime,” tha Sylvia Albert, drejtore për votimin dhe zgjedhjet pranë grupit “Common Cause”, një nismë qytetare.

Ish-prokurori federal Strauss pohon se mund të mos ketë vota të mjaftueshme që mbërrijnë me vonesë për të përmbysur rezultatin pro ose kundër njërës palë.

“Duhet të shohësh një rezultat, një mundësi për sukses që e bën sfidën të vlefshme jo vetëm nga ana ligjore, por edhe praktike,” tha zoti Strauss.

Aktivistë për të drejtën e votës, të cilët ndoqën votimet të marrtën dhe po ndjekin procesin e numërimit të votave thonë se nuk kanë marrë raportime për probleme sistematike në këtë proces. Megjithë sfidat dhe akuzat e kampit zgjedhor të Presidentit Trump se vëzhguesit nuk janë lejuar të ndjekin numërimin e votave, individë të emëruar nga të dy palët rivale në zgjedhje vazhdojnë të ndjekin procesin e numërimit, thonë ata.

“Nga raportimet që kam marrë dhe pamjet e xhiruara nga procesi, numërimi po vazhdon brenda parametrave të caktuara në ligj,” thotë zonja Albert.

Në disa zona numërimi po ecën shumë ngadalë, por zyrtarët zgjedhorë kanë paralajmëruar prej kohësh se mund të ndodhin vonesa pasi pati një pjesëmarrje shumë të lartë në votimet me postë si rezultat i pandemisë,” thotë zonja Albert.

“Nuk ka asgjë për t’u çuditur nga këto që po ndodhin tani,” thotë zonja Albert. “Zyrtarët zgjedhore thjesht po bëjnë punën duke numëruar votat, asgjë më shumë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG