Lidhje

Vazhdon numërimi i votave ndërsa Trump ankimon shtetet kyçe


Shtabi elektoral i Presidentit Donald Trump po intensifikon veprimet ligjore për të sfiduar integritetin e procesit të numërimit të votave në disa shtete kyçe, ndërsa kandidati demokrat Joe Biden po i afrohet gjithnjë e më shumë pragut prej 270 votash elektorale që i duhen një kandidati për të fituar Shtëpinë e Bardhë.

Vazhdon numërimi i votave ndërsa Trump ankimon shtetet kyçe
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:01 0:00

Protesta e kundër-protesta si dhe akuza mbi procesin e numërimit të votave, kjo është panorama në Filadelfia, qytet i një prej shteteve përcaktuese për rezultatin e zgjedhjeve, Pensilvani.

"Kam parë në televizor njerëz tek numërojnë votat në qendrat e votimit në Filadelfia, me maska në fytyrë e bluza me fotografinë e Bidenit", thotë Edward Young, mbështetës i Presidentit Trump.

"Kërkesa për të ndalur procesin e numërimit të votave, do të thotë mohim i të drejtës ligjore për të votuar", thotë Lisa Haver, mbështetëse e zotit Biden.

Kandidati demokrat për President, Joe Biden, i cili ndodhet shumë më pranë se Presidenti Donald Trump për të arritur kufirin prej 270 votash elektorale për të siguruar fitoren, foli për besim e bëri thirrje për qetësi.

Ndonjëherë demokracia është e rrëmujshme ndaj dhe duhet pak durim. Ky durim është shpërblyer tashmë prej më shumë se 240 vitesh me një sistem qeverisjeje të cilin e ka patur zili e gjithë bota", thotë Joe Biden, kandidati demokrat.

Ndërkohë Presidenti Trump, akuzoi demokratët, por pa paraqitur prova, për mashtrim, si dhe përpjekje për të grabitur zgjedhjet.

Nëse numërohen votat e ligjshme unë fitoj me lehtësi. Por nëse numërohen ato të paligjshme, kjo është një përpjekje e tyre (demokratëve) për të na vjedhur zgjedhjet", thotë Presidenti Donald Trump.

Ndërsa numërimi i votave vazhdon, provat për manipulim kanë qenë të pakta. Megjithatë zyrtarët e fushatës së zotit Trump po krijojnë terrenin për ta ankimuar rezultatin e zgjedhjeve, duke nisur me dhjetëra procese gjyqësore lidhur me numërimin e votave në shtetet kyçe sikurse Xhorxhia, Miçigani dhe Pensilvania.

"Mendoj se ata do ta bëjnë këtë në të gjitha shtetet ku diferenca mes kandidatëve është e ngushtë me shpresën se disa prej këtyre ankimeve mund të përfundojnë në Gjykatën e Lartë me një shumicë konservatore 6 me 3”, thotë Steve Mulroy, autor i librit "Rikonceptimi i ligjit elektoral amerikan".

Në Nevada, zyrtarët e fushatës së zotit Trump ngritën një padi, por pa ofruar prova, se në këtë shtet kishin votuar me mijëra vetë, pa qenë banorë të tij.

"Ata vazhdojnë të numërojnë vota të paligjshme. Kjo është e papranueshme", thotë Richard Grenell, përfaqësues i fushatës së zotit Trump.

Zyrtarët e fushatës së zotit Trump fituan një proces gjyqësor duke siguruar që përfaqësuesit e tyre të kishin një qasje më të mirë tek procesi i numërimit të votave në Filadelfia. Por një ankim i ngjashëm në Miçigan, nëpërmjet të cilit kërkohej "ndalimi i numërimit, derisa vëzhguesve të fushatës së zotit Trump t'u sigurohej mundësia për të parë nga afër procesin e numërimit të vota”, u hodh poshtë. Një tjetër padi gjyqësore në Xhorxha ku akuzoheshin zyrtarët e zgjedhjeve për përzierje të fletëve të pavflefshme të votimit me ato vlefshme, u hodh gjithashtu poshtë.

Zyrtarët e fushatës së zotit Biden e quajtën morinë e proceseve gjyqësore një "strategji për të ngritur dallgë".

Ato nuk kanë asnjë bazë dhe kjo nuk është asgjë më shumë sesa një përpjekje për të shpërqendruar dhe vonuar atë që tashmë është e pashmangshme. Joe Biden do të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara", thotë Jen O'Malley Dillon, menaxhere e fushatës së zotit Biden.

Tashmë e gjithë vëmendja është përqëndruar tek Pensilvania dhe Xhorxhia. Presidentit Trump i duhet t'i fitojë të dyja këto shtete për të siguruar një rrugë drejt Shtëpisë së Bardhë, ndërsa zoti Biden mund të bëjë edhe pa ato, nëse ruan avantazhin e tij të ngushtë në Arizona dhe Nevada.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG