Lidhje

COVID 19, rritja e rasteve, Shqipëria i rikthehet kufizimeve të lëvizjes


Në Shqipëri autoritetet shëndetësore njoftuan sot rivendosjen e disa kufizimeve si masë për parandalimin e përhapjes së Koronavirusit, pasi virusi po merr një shtrirje gjithnjë e më të madhe.

Duke filluar që nga dita e mërkurë do të kufizohet lëvizja nga ora 22.00 deri në orën 06.00. Përgjatë këtij orari baret dhe restorantet do të duhet të qëndrojnë mbyllur.

Komiteti Teknik i Ekspertëve, rekomandoi gjithashtu që për administratën publike puna të kryhet nga shtëpia. Këto masa do të jenë në fuqi për një periudhë 3 javore, ndërsa situata do të monitorohet në vijim.

Rikthimi i kufizimeve u bë i pashmangshëm pasi, veçanërisht në dy javët e fundit, pati një rritje të ndjeshme të rasteve, vdekjeve dhe shtim të numrit të pacientëve që trajtohen në spital.

Komiteti teknik i ekspertëve njoftoi sot masat e reja kufizuese, të cilat siç shpjegoi edhe kryetarja e këtij Komiteti Mira Rakacolli, erdhën si pasojë e një rritje të ndjeshme të përhapjes së virusit

“Gjatë kësaj periudhe është rritur transmetueshmëria e infeksionit, gjë e cila është reflektuar në vlerën e R në shifrën 1.3. Për pasojë është rritur dhe incidenca dyjavore 177.4 raste për 100 mijë banorë” - tha zonja Rakacolli.

Nga ana e saj drejtuesja e hetimit epidemiologjik, në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino shpjegoi se na bazë të incidencës dy javore, vendi është ndarë në tre zona, zona e kuqe ku përhapja është më e madhe dhe zonat protokalli dhe e verdhë me një situatë më pak të rënduar. Në zonën e kuqe, ku incidenca luhatet nga 195 në 414 raste për 100 mijë banorë, përfshihen 13 qytete: Fieri, Gjirokastra, Gramshi, Kavaja, Korça, Mallakastra, Mirdita, Përmeti, Puka Saranda, Tepelena, Tirana, Tropoja.

Zonja Bino njoftoi se është bërë gati udhëzimi për nisjen edhe të testeve të shpejta të cilat, siç shpjegoi ajo, do të përmirësojnë testimin dhe gjurmimin e rasteve.

Spitali Covid 2, Shefqet Ndroqi, i mirënjohur si sanatoriumi, përjetonte edhe sot një situatë të tensionuar si në mjediset e jashtme ashtu edhe në ato të brendshme, ndonëse te porta një numër policësh dhe punonjësish të mjekësisë nuk lejonin të hynte kushdo.

Oborret e spitaleve jane plot me automjete të familjarëve të sëmurë, ndërkohë që pacientët më të fundit mbërrijnë në rresht me ambulanca si tek Sanatoriumi ashtu edhe tek Spitali Infektiv tek Nënë Tereza

Në lagjet e kryeqytetit është shtuar përdorimi i maskave, por ende lokalet janë plot dhe fare pak po ndjehet aty rreziku i infektimit. '

Shqipëri: Kufizime të reja për parandalimin e koronavirusit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:31 0:00

Rastet u rritën me 53 përqind javën e shkuar. 12 viktima në 24 orët e fundit

Java që sapo u mbyll shënoi një rritje të fortë të rasteve të reja, duke arritur në 3209 të prekur, ose 53 përqind më shumë se java e mëparshme. Vetëm në 24 orët e fundit numri i të infektuarve shënoi një tjetër rekord, me 525 të prekur. Mesatarja ditore, sipas të dhënave të përpunuara nga Zëri i Amerikës, arriti ne 458 raste nga 298 të një jave më parë.

Paralelisht edhe testimet u rritën po ndjeshëm (+32.2 përqind) duke arritur në 12.943 tampona, ose një mesatare prej 1849 teste në ditë, nga 1398 të një jave më parë. Por shtimi i testimeve, nuk është shkaku i vetëm i rritjes së shifrave të të infektuarve. Përhapja e virusit sa vjen e po shtrihet. Pozitiviteti (raporti mes tamponëve dhe rasteve) gjatë javës së shkuar u ngjit në 24.8 përqind, nga 21.2 përqind që ishte më parë). Pozitiviteti është treguesi i nivelit të transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Ndonëse në kuota pak më të ulta, numri i viktimave mbeti sërish i lartë, me 44 vdekje, nga 47 në javën e mëparshme. Vetëm në 24 orët e fundit u rregjistruan 12 humbje jete, një shifër që nuk ishte rregjistruar më parë. Sipas të dhënave zyrtare bëhet fjalë për “një 34 vjeçar nga Durrësi, një 66 vjeçar nga Lezha, një 69 vjeçar dhe një 77 vjeçar nga Pogradeci, një 71 vjeçar nga Berati, një 51 vjeçar, një 56 vjeçar, një 69 vjeçar, 75 vjeçar dhe 78 vjeçare nga Tirana, një 67 vjeçar nga Elbasani, një 70 vjeçar nga Korça, me sëmundje bashkëshoqëruese”.

Gjendja në spitale mbetet e rënduar me një shtim progresive të rasteve që të dielën shënuan pikun me 374 të shtruar nga 328 që u raportuan të hënën e shkuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG