Lidhje

Presidenti Trump shkarkon Sekretarin e Mbrojtjes Mark Esper


Presidenti Donald Trump shkarkoi të hënën nga detyra Sekretarin e Mbrojtjes Mark Esper, një akt i pashembullt nga një president që nuk po pranon humbjen në zgjedhje dhe që ka qenë kritik ndaj një udhëheqësi të Pentagonit, për të cilin beson se nuk është treguar besnik sa duhet.

Vendimi, i cili mund të shqetësojë aleatët ndërkombëtarë dhe udhëheqësit e Pentagonit, injekton një element tjetër pasigurie në një periudhë të vështirë tranzicioni ndërsa Joe Biden përgatitet të marrë detyrën e presidentit.

Presidentët të cilët janë rizgjidhur për një mandat të dytë shpesh i kanë zëvendësuar anëtarët e Kabinetit, përfshirë edhe sekretarin e Mbrojtjes, por ata që kanë humbur garën i kanë mbajtur shefat e tyre të Pentagonit në detyrë deri ditën e inaugurimit (të presidentit të ri), për të ruajtur stabilitetin në emër të sigurisë kombëtare.

Zoti Trump e njoftoi vendimin nëpërmjet një postimi në twitter duke thënë se ai "hyn në fuqi menjëherë". Christopher Miller, drejtori i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, do të shërbejë si sekretar i përkohshëm, duke anashkaluar në këtë mënyrë zyrtarin e dytë sipas rangut në departamentin e mbrotjes, zëvendës sekretarin e Mbrojtjes David Norquist.

"Chris do të bëjë një punë të shkëlqyer!", shkruante zoti Trump në Twitter. “Mark Esper e ka përfunduar detyrën. E falënderoj për shërbimin e tij", shkruante më tej presidenti.

Lëvizja e papritur e zotit Trump për të larguar nga detyra zotin Esper ngre pikëpyetje rreth asaj se çfarë do të përpiqet të bëjë presidenti në muajt e ardhshëm përpara se të largohet nga detyra, përfshirë këtu riformatimin e pranisë së trupave amerikane jashtë vendit ose ndryshime të tjera të lidhura me sigurinë kombëtare.

Zoti Biden nuk e ka bërë ende të ditur se kë do të emërojë si shef të mbrojtjes, por është përfolur gjerësisht se ai po shqyrton emrin e zonjës Michele Flournoy, e cila nëse emërohet do të jetë gruaja e parë në këtë detyrë.

Zonja Flournoy ka shërbyer disa herë në Pentagon, duke filluar në vitet 1990 dhe së fundmi si nënsekretare e Mbrojtjes për Politikat nga viti 2009 në 2012-n.

Ajo njihet në Capitol Hill (Kongres) si një demokrate e moderuar dhe njihet në mesin e aleatëve e partnerëve të SHBA-së si një njeri që e ka situatën nën kontroll dhe që favorizon bashkëpunimin e fortë ushtarak amerikan jashtë vendit.

Zoti Miller ka shërbyer së fundmi si drejtor i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit dhe para kësaj ai mbante detyrën e zëvendës ndihmës Sekretarit të Mbrojtjes si dhe këshilltar i lartë i presidentit Trump kundër terrorizmit. Ai ka një histori të gjatë në ushtri pasi ka qenë i regjistruar në trupat rezervë të ushtrisë dhe pas kësaj ka shërbyer si oficer i forcave speciale. Ai ka shërbyer gjithashtu në luftërat në Afganistan dhe Irak. Pas daljes në pension nga ushtria, zoti Miller ka punuar si kontraktor me departamentin e mbrojtjes.

Marrëdhënia e tensionuar e zotit Esper me Presidentin Trump u prish verën e kaluar gjatë trazirave civile që shkaktuan një debat brenda administratës mbi rolin që duhet të kishte ushtria në raport me trazirat e brendshme. Kundërshtimi i zotit Esper për të përdorur trupat aktive për të ndihmuar në shuarjen e protestave në kryeqytetin e vendit Uashington, shkaktoi zemërimin e zotit Trump dhe nxiti spekulime të gjera se shefi i mbrojtjes do të përgatiste dorëheqjen në rast se do të përballej sërish me një çështje të tillë.

Gjatë mandatit të tij afërsisht 16-mujor, zoti Esper në përgjithësi i ka mbështetur politikat e zotit Trump, por kohët e fundit shumë prisnin që ai të dorëhiqej ose të shkarkohej nëse zoti Trump do të rizgjidhej.

Presidentët historikisht i kanë dhënë një përparësi të lartë stabilitetit në Pentagon në periudhën e tranzicionit politik. Që nga krijimi i Departamentit të Mbrojtjes dhe pozicionit të sekretarit të Mbrojtjes në vitin 1947, tre presidentët e vetëm që nuk janë rizgjedhur për një mandat të dytë, Gerald Ford, Jimmy Carter dhe George H.W. Bush, të gjithë e kanë mbajtur sekretarin e tyre të mbrojtjes në detyrë deri në ditën e inaugurimit.

Zoti Esper, i cili ishte pasuesi zyrtar i ish-gjeneralit të marinës amerikane James Mattis, ka theksuar në mënyrë të vazhdueshme rëndësinë e mbajtjes së ushtrisë dhe Departamentit të Mbrojtjes larg politikës. Por kjo u provua të ishte një sfidë ndërsa zoti Trump vlerësonte ata që ai i quante "gjeneralët e tij" dhe denigronte udhëheqësit e lartë të Pentagonit si tregtarë lufte të përkushtuar për të bërë biznes për industrinë e mbrojtjes.

Zoti Trump kritikoi sekretarin e tij të parë të Mbrojtjes, Mattis, i cili dha dorëheqjen në dhjetor 2018 mbi vendimin e papritur të zotit Trump, i cili më vonë u shfuqizua, për të tërhequr të gjitha trupat amerikane nga Siria. Ndarjet pasqyrojnë pikëpamjet thelbësisht të ndryshme të zotit Trump mbi vendin e Amerikës në botë, vlerën e aleancave ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes si dhe rëndësinë e mbrojtjes së ushtrisë nga lufta e brendshme politike.

Gjatë mandatit të zotit Trump, Pentagoni ka qenë shpesh në qendër të tronditjeve, shpesh në mesin e një debati të vazhdueshëm dhe çorientues mbi përdorimin e forcave amerikane në luftën në Irak, Siri dhe Afganistan, sikurse dhe në tokën amerikane, në kufirin me Meksikën dhe në qytetet e përfshira nga trazirat civile e të tronditura nga koronavirusi.

Largimi i zotit Esper dukej i pashmangshëm që kur marrëdhëniet e tij me zotin Trump u prishën publikisht në qershor për shkak të presionit të presidentit për të dislokuar trupa ushtarake në rrugët e kryeqytetit të vendit, si përgjigje ndaj trazirave civile pas vdekjes në duart e policisë të afro-amerikanit George Floyd.

Zoti Esper kundërshtoi publikisht kërcënimet e zotit Trump për të zbatuar një akt të miratuar dy shekuj më parë mbi rebelimet, i cili do t'i mundësonte presidentit të përdorte trupat aktive për të detyruar zbatimin e ligjit.

Komenti i zotit Esper për gazetarët se ky akt gjen zbatim "vetëm për situata më urgjente e tejet të rrezikshme" dhe se "aktualisht vendi nuk ndodhej në një situatë të tillë", shkaktoi zemërimin e zotit Trump.

Trazirat civile të muajit qershor e tërhoqën zotin Esper fillimisht në polemikë kur ai iu bashkua një grupi që shoqëronte zotin Trump nga Shtëpia e Bardhë tek kisha episkopale e Shën Gjonit për një fotografi, ku zoti Trump u shfaq duke mbajtur në dorë një bibël.

Kritikët e dënuan zotit Esper, duke thënë se ai ishte vetëpërdorur politisht.

Por zoti Esper tha se nuk e dinte se po shkonte për një fotografi, por mendonte se po shkonte të shihte dëmet që i ishin shkaktuar kishës si dhe trupat e Gardës Kombëtare në vendosura në atë zonë. Ai shoqërohej nga gjenerali Mark Milley, Shefi i Shtatmadhorisë i cili më vonë shprehu keqardhje publike që kishte marrë pjesë me uniformë.

Zoti Trump la të kuptohej në muajin gusht se pozita e zotit Esper ishte lëkundur, duke i dhënë një përgjigje të shpejtë pyetjes së një gazetari nëse ai ende vazhdonte të kishte besim tek zoti Esper.

“Mark Yesper? Mos the gjë Yesper?, i tha zoti Trump gazetarit, si përgjigje ndaj aludimeve nëse zoti Esper ishte një njeri që i bindej atij.

I pyetur nëse po mendonte për shkarkimin e tij, Presidenti Trump tha se "në një moment, kjo ndodh".

XS
SM
MD
LG