Lidhje

Çfarë është një tranzicion presidencial?


Administrata e Presidentit Trump ende nuk ka filluar procesin për të ndihmuar ekipin e tranzicionit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden në fazat fillestare të marrjes së kontrollit të qeverisë.

Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme (GSA), një agjenci qeveritare në Uashington, po vonon miratimin e fondeve të plota dhe burimeve të procesit të tranzicionit derisa "të konstatohet" një fitues. Presidenti Donald Trump ka refuzuar të pranojë humbjen dhe pretendon për mashtrime në numërimin e votave.

Ekspertët e qeverisë paralajmërojnë se është jetike që tranzicioni të fillojë për të garantuar një transferim të rregullt të pushtetit.

Çfarë është një tranzicion presidencial?

Koha midis fitores së zgjedhjeve nga një kandidat presidencial e deri tek ceremonia e inaugurimit të tij njihet si periudhë "tranzicioni". Tranzicioni drejtohet nga një ekipi jofitimprurës i tranzicionit i presidentit të zgjedhur, i cili është i ndarë nga fushata dhe ka stafin dhe buxhetin e vet.

Çfarë ndodh gjatë tranzicionit?

Tranzicioni shënon fillimin e detyrës komplekse të një presidenti të zgjedhur për të marr kontrollin e administratës së qeverisë federale. Gjatë kësaj periudhe, një president i zgjedhur shpesh përqendrohet në zgjedhjen e stafit të tij të Shtëpisë së Bardhë, të udhëhequr nga një shef i stafit, si dhe postet kryesore të kabinetit.

Një president emëron rreth 4,000 njerëz në poste në të gjithë qeverinë, me më shumë se një të katërtën e tyre që kërkojnë konfirmim nga Senati. Këta administratorë ndihmojnë në mbikëqyrjen e 2.1 milionë punonjësve civilë dhe 1.4 milionë të personelit ushtarak në detyrë aktive, pjesë e një burokracie federale me një buxhet vjetor prej më shumë se 4.5 trilionë dollarë.

Përveç plotësimit të posteve, zyrtarët e tranzicionit eksplorojnë mënyrat se si një president i ri mund t'i kthejë premtimet e fushatës në politika federale. Ata shpesh shikojnë të gjejnë se çfarë veprimesh mund të ndërmerren shpejt, siç janë kthimi mbrapsht i veprimeve ekzekutive të ndërmarra nga presidenti i mëparshëm. Ata studiojnë çdo agjenci federale për të kuptuar politikat dhe nevojat e personelit.

Kur fillon tranzicioni?

Planifikimi për tranzicionin mund të fillojë jozyrtarisht në çdo kohë, megjithatë ai fillon zyrtarisht kur bëhet i ditur rezultati i zgjedhjeve. Akti Presidencial i Tranzicionit i vitit 1963 lejon agjencinë GSA t'i sigurojë ekipit të presidentit të zgjedhur zyra dhe pajisje. Qeveria gjithashtu bën kontrolle të biografisë për qëllime të sigurisë.

Një ligj i përditësuar, i miratuar në vitin 2010 i lejon kandidatët e partive të mëdha të fillojnë të marrin ndihma qeveritare për tranzicionin më herët në proces, duke i lejuar ata të përdorin hapësirat e zyrave qeveritare, kompjutra dhe shërbime të tjera menjëherë pas kuvendeve të emërimit të partive, të cilat këtë vit u zhvilluan në gusht.

Ligji federal gjithashtu u jep nëpunësve civilë të karrierës fuqi të konsiderueshme për transferimin e të dhënave dhe njohurive tek zyrtarët e administratës së re, një veprim që synon të zvogëlojë rrezikun e politizimit.

A ndryshon kohëzgjatja e tranzicionit?

Tranzicioni zakonisht zgjat rreth 11 javë, nga dita e zgjedhjeve në fillim të nëntorit në ditën e inaugurimit, e cila është mandatuar me kushtetutë të mbahet më 20 Janar. Sidoqoftë, tranzicioni mund të shkurtohet nëse rezultati i zgjedhjeve nuk mësohet shpejt.

Në vitin 2000, një luftë e zgjatur ligjore mes demokratit Al Gore dhe republikanit George W. Bush, i cili përfundimisht do të fitonte presidencën, çoi në një tranzicion që ishte vetëm sa gjysma e kohës së parashikuar. Presidenti Bush u shpall fitues pesë javë pas zgjedhjeve, duke shkurtuar periudhën e tranzicionit në vetëm 39 ditë.

Si financohet tranzicioni?

Tranzicionet paguhen nga një kombinim i fondeve federale dhe private. Administratori për agjencisë GSA ka autoritetin ligjor për të dhënë mbi 6 milionë dollarë në fondet federale për ekipin e tranzicionit të zotit Biden. Përveç kësaj, gazeta The New York Times njoftoi se zoti Biden ka grumbulluar të paktën 7 milionë dollarë në donacione private për tranzicionin e tij. Komisioni Federal i Zgjedhjeve lejon donatorë ose organizata individuale të japin deri në 5,000 dollarë në tranzicionin presidencial të një kandidati, fonde që duhet të deklarohen publikisht.

Kush po e drejton planifikimin e tranzicionit të zotit Biden?

Biden ka ngarkuar ndihmësin e tij të vjetër Ted Kaufman të drejtojë ekipin e tij të tranzicionit. Zoti Kaufman ka qënë shefi i personelit të zotit Biden në Senat dhe është gjithashtu një ish senator nga shteti i Delauerit - i emëruar për të plotësuar vendin e lënë bosh nga zoti Biden në vitin 2009 pas zgjedhjes së tij në postin e nënpresidentit. Në prill, zoti Biden i kërkoi zotit Kaufman të fillojë të punojë për tranzicionin në rast se ai fiton presidencën. Zoti Kaufman gjithashtu punoi në ekipin e tranzicionit të ish Presidentit Barack Obama në vitin 2008 dhe ndihmoi në hartimin e legjislacionit të vitit 2010 që siguronte mbështetjen e hershme të qeverisë për procesin e tranzicionit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG