Lidhje

Biden takohet me zyrtarët e tij të tranzicionit


Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden po takohet me këshilltarët e tij të tranzicionit ndërsa vazhdon planifikimet për të marrë kontrollin e qeverisë kur ai të inaugurohet më 20 Janar.

Zoti Biden ka emëruar një varg këshilltarësh për të shqyrtuar operacionet e agjencive në të gjithë qeverinë. Ai tha të martën se mund të njoftonte disa emërime kryesore përpara festës vjetore të Falënderimeve më 26 nëntor.

Lista e këshilltarëve të tij të tranzicionit është e gjatë, me emra ekspertësh të njohur për çështjet me të cilat ai do të përballet qysh herët në administratën e tij.

Kathleen Hicks, nënpresidente në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, po drejton punën për shqyrtimin e operacioneve të Departamentit të Mbrojtjes.

Në Departamentin e Shtetit, Linda Thomas-Greenfield, ish ndihmës sekretare e shtetit për çështjet afrikane, po drejton shqyrtimin e operacioneve. Don Graves, ekzekutiv në KeyBank, po shqyrton operacionet e Departamentit të Thesarit, ndërsa Martha Gimbel, menaxherja e lartë e kërkimit ekonomik në Schmidt Futures, po studion Grupin e Këshilltarëve Ekonomikë.

BIDEN: ASGJË NUK E NDAL TRANZICIONIN

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden tha të martën se nuk është i shqetësuar për refuzimin e Presidentit Donald Trump për të pranuar humbjen pas zgjedhjeve të javës së kaluar, por se ai mendon se kjo e vë në pozitë të vështirë si Presidentin Trump ashtu edhe vendin.

"Unë mendoj se nuk do ta ndihmojë trashëgiminë e presidentit," u tha zoti Biden gazetarëve në Uilmington të shtetit Delauer, ku ai po punon për tranzicionin e tij në pushtet dhe po planifikon hapat e parë pas inaugurimit të tij të pritshëm më 20 Janar.

Ai tha se asgjë nuk e ndal transferimin e pushtetit.

Presidenti Trump, pa ofruar prova të rëndësishme për parregullsi në votim ose në numërimin e votave, ka ngritur më shumë se 10 procese gjyqësore në disa shtete, duke u përpjekur të përmbysë fitoren e shpallur nga organizatat kryesore mediatike të zotit Biden në zgjedhje.

Por Presidenti i zgjedhur Biden tha, "Ne tashmë e kemi filluar tranzicionin" dhe se refuzimi i zotit Trump për të pranuar humbjen "nuk e ndryshon dinamikën". Zoti Biden po përqendrohet së pari në çështjen e pandemisë së koronavirusit, e cila ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 238,000 amerikanëve, më tepër se në çdo vend tjetër.

Zoti Biden tha se ai mund të bënte disa emërime me rëndësi në administratën e tij përpara festës vjetore të Falenderimeve, që është 26 nëntori i këtij viti.

"Fakti që ata nuk janë të gatshëm të pranojnë fitoren tonë nuk ka shumë pasoja," tha ai.

Presidenti Trump, në përpjekje për të kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve, i ka ndaluar zyrtarët e administratës së tij të bashkëpunojnë me përfaqësuesit e zotit Biden për të ndihmuar në kalimin e pushtetit.

Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme, një agjenci qeveritare e SHBA, ka refuzuar të njohë zotin Biden si president i zgjedhur. Kjo nuk po i lejon zyrtarët e zotit Biden të marrin hapësira për zyra në agjencitë federale dhe fonde federale për të financuar tranzicionin.

Por zoti Biden nuk shprehu ndonjë shqetësim.

"Ne mund të bëjmë edhe pa financim," tha ai, ndërsa pranoi gjithashtu se ende nuk kishte filluar të merrte Informimin e Përditshëm Presidencial nga inteligjenca amerikane.

"Informimi i Inteligjencës do të ishte i dobishëm," tha ai, "por unë nuk jam presidenti aktual."

Zoti Biden tha se nuk ishte nevoja që ekipi i tij të ngrinte proces gjyqësor për të detyruar administratën aktuale të pranonte fitoren e tij.

"Unë mendoj se gjithçka do të realizohet në 20 Janar," tha ai.

I pyetur se çfarë do t'i thoshte Presidentit Trump nëse ai po shikonte në TV konferencën për shtyp, zoti Biden buzëqeshi dhe tha: "Zoti President, mezi po pres të flas me ju."

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG