Lidhje

Kongresi planifikon sanksione ndaj gazsjellësit rus


Dy ndihmës të Kongresit amerikan bënë të ditur të mërkurën se në projektligjin mbi politikën e mbrojtjes, janë përfshirë sanksione që mund të pengojnë realizimin e një prej projekteve më të rëndësishme të Moskës në Evropë, gazsjellësin Nord Stream 2.

Sanksionet e përfshira në Aktin për Mbrojtjes Kombëtare, një produkt kompromisi mes ligjvënësve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, do të penalizonin ato kompani të cilat krijojnë lehtësira në ndërtimin e gazsjellësit, përfshirë anijet që do të ndihmonin operacionet për vendosjen e tubacioneve apo në lëvizjen e formacione shkëmbore në shtratin e detit.

Sanksionet vendosin gjithashtu në shënjestër ato kompani që ofrojnë siguracion, qoftë edhe dytësor, për ndërtimin dhe çertifikimin e gazsjellësit në Danimarkë.

Projektligji do të shndërrohet në ligj vetëm pasi të jetë miratuar nga të dyja dhomat e Kongresit dhe nënshkruar nga Presidenti Donald Trump.

Projekti prej 11 miliardë dollarësh i gazsjellësit Nord Stream 2, i udhëhequr nga Agjencia Shtetërore Energjitike ruse Gazprom, do të dyfishonte tubacionin e saj ekzistues për të çuar gazin nëpërmjet detit në Evropë përmes Gjermanisë. Projekti do të anashkalonte Ukrainën, e cila varet nga tarifat fitimprurëse të tranzitit.

Gazpromi dhe Gjermania thonë se Nord Stream 2 është thjesht një projekt tregtar. Kërkesa për gaz në Gjermani po rritet ndërsa vendi ka ulur varësinë ndaj energjisë bërthamore dhe asaj të prodhuar nga qymyri.

Administrata Trump dhe ligjvënësit e të dyja palëve besojnë se gazsjellësi do të forconte ndikimin ekonomik dhe politik mbi Evropën të Presidentit Vladimir Putin. Administrata Trump gjithashtu mbështet rritjen e eksporteve të gazit të lëngshëm natyror në Evropë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG