Lidhje

Organizatat e shtypit: Ndryshimet e propozuara për vizat e gazetarëve sjellin censurë dhe përndjekje


Propozimet pë të kufizuar kohën e qëndrimit të korrespondentëve të huaj me banim dhe punë në SHBA do ta bëjnë më të vështirë raportimin mbi zhvillimet nëAmerikë dhe mund t’i ekspozojë korrespondentët e huaj ndaj masave të presionit në SHBA apo vende të tjera, thonë kritikët.

Sipas planeve të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, periudha e qëndrimit me vizë I, e cila u lejonte më parë gazetarëve të qëndronin me punë deri në pesë vjet në SHBA, tani do të shkurtohet në 240 ditë. Korrespondentët ndërkombëtare do të kenë mundësi të zgjasin vizën të paktën një herë, por propozimi nuk specifikon nëse do të lejohen zgjatje të mëtejshme.

Aktualisht, gazetarët e huaj nuk kanë nevojë të kërkojnë miratimin e vizës për qëndrim të zgjatur për sa kohë që punojnë për të njëjtën organizatë mediatike, pra Viza I është e vlefshme nëse gazetari vazhdon punën për të njëjtën organizatë.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha se është e vështirë të mbikqyren personat që kanë viza pesë vjeçare dhe shtoi se ndryshimet, të cilat do të prekin edhe studentë ndërkombëtarë dhe pjesëmarrës në programe të shkëmbimeve shkencore e kulturore, janë të nevojshme për të nxitur respektimin e rregulloreve, për të luftuar mashtrimet dhe për të përmirësuar sigurinë kombëtare.

Në një deklaratë në fund të shtatorit theksohej se ndryshimet “janë me rëndësi kritike për të përmirësuar mekanizmat mbikqyrëse të programit; parandalimin e kundërshtarëve të huaj që të mos shfrytëzojnë mjedisin arsimor amerikan, si dhe të zbatojmë dhe forcojmë ligjin amerikan të imigracionit”.

Në fushatën e tij, Presidenti i zgjedhur Joe Biden tha se sektorët kryesorë amerikanë mbështeten tek imigrantët dhe se ai do të anulonte shumë nga politikat e administratës së mëparshme.

Një zëdhënës për ekipin e tranzicionit nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për komente nëse zoti Biden do të ndryshonte ose anulonte propozimin lidhur me vizat I.

Organizata të ndryshme, përfshirë Shoqatën për Shtypin e Huaj, një grup i pavarur me seli në Nju Jork, thonë se veprimet e Departamentit të Sigurisë Kombëtare do ta bëjnë më të vështirë mbulimin e zhvillimeve në SHBA dhe mund të nxisin veprime të ngjashme nga vende të tjera.

Ky grup dhe organizata të tjera nxorën një deklaratë të përbashkët për shtyp ku e kundërshtojnë rregulloren e re. Po ashtu, ato kanë në plan të lobojnë pranë zyrtarëve të zgjedhur, tha presidenti i Shoqatës për Shtypin e Huaj, Ian Williams.

Një vizë shtatë-mujore nuk u jep mundësi gazetarëve të huaj të bëjnë planifikimet e nevojshme kur mbërrijnë në SHBA, tha për Zërin e Amerikës zoti Williams, i cili shkruan për gazetën britanike The Guardian. “Nuk mund të marrësh me qera apartament për 240 ditë. Nuk mund të sjellësh gruan e fëmijët për 240 ditë”.

Duke u dhënë gazetarëve mundësi të qëndrojnë për disa vite si reporterë në SHBA i ndihmon të kuptojnë vendin që po mbulojnë, thotë zoti Williams, por nëse viza lejon një qëndrim vetëm prej 240 ditësh, ata do të jenë në gjendje paqartësie.

Dan Kubiske, bashkë-drejtues i Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë është i të njëjtit mendim.

“Nevojitet një raportim krejt ndryshe, pasi Amerika është kaq e larmishme,” tha zoti Kubiske. “Amerika është kaq e madhe, kaq ndryshe nga kudo tjetër, pra nuk mundesh ta përcjellësh me saktësi realitetin e këtushëm me artikuj të shkurtër”.

Zoti Williams thotë se numri vjetor i vizave për punonjësit e shtypit – rreth 11, mijë -- nuk është aq i madh sa të kërkojë kufizime. Ai shton se nuk ka prova se ka pasur “mashtrime e abuzime” me sistemin e imigracionit që, sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, po adresohen nga rregullorja e re.

Për kategoritë e vizave studentore, që po ashtu preken nga propozimi i ri,Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka në zbatim një sistem për të ndjekur shkollat, programet e shkëmbimit dhe studentët me vizë. Sistemi nuk prek aplikantët për vizat I.

Sipas departamentit, propozimet synojnë “forcimin e sigurisë kombëtare”. Po sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, gazetarët mund të kërkojnë zgjatje të afatit të vizës nga Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit ose të dalin nga SHBA dhe të kërkojnë vizë të re në kufi. Kostoja e aplikimit për vizën I është 160 dollarë.

Thanos Dimadis, drejtor i Shoqatës së Korrespondentëve të Huaj dhe studiues pranë Departamentit të Gazetarisë në Universitetin Columbia, tha se propozimi është i arsyeshëm kur flitet vetëm për gazetarët që vijnë për një raportim specifik, apo për të mbuluar një ngjarje të caktuar dhe jo gazetarët që punojnë për organizata mediatike si reporterë nga SHBA.

Megjithëse mund të ketë raste shkeljesh, kur gazetarët nuk njoftojnë autoritetet që kanë ndryshuar pronar dhe punojnë për një organizatë tjetër shtypi, gazetarët e huaj nuk paraqesin kërcënim pasi ofrojnë dokumentacion të hollësishëm nga vendi i origjinës, si dhe nga organizata për të cilën punojnë, thotë zoti Dimadis i cili ka jetuar në SHBA për 10 vjet me vizë I.

Nëse afati i vizës I kufizohet në shtatë muaj, do të kufizonte aftësinë e gazetarëve për të përcjellë informacion mbi SHBA për audiencat e tyre. Zoti Dimadis thotë se afati i vizës I duhet të jetë të paktën dy vjet, shoqëruar me mundësinë për ta zgjatur edhe dy vjet vizën.

“Të jesh gazetar i huaj në SHBA nuk është një punë e përkohëshme, sidomos në rastet kur gazetari ka ardhur këtu nga një vend i largët, nga një kulturë e praktikë tjetër profesionale,” thotë zoti Dimadis, i cili ka mbuluar krizën financiare të Eurozonës nga Brukseli dhe Uashingtoni për grupe mediatike greke. Ai shton se duhen më shumë se 240 ditë që gazetarët të krijojnë lidhjet, të mësojnë të përditshmet e punës dhe të sigurojnë respektin e burimeve të tyre.

Shoqatat e huaja gazetareske me seli në SHBA paralajmërojnë se propozimi mund të rezultojnë në reagime negative ndaj gazetarëve amerikanë që punojnë në vende të tjera.

Gazetarët amerikanë janë në mes të një konflikti ekzistues mes SHBA dhe Kinës lidhur me kufizimet e vizave të vëna nga autoritetet përkatëse dhe që kanë ndikuar tek puna e gazetarëve të huaj.

Në mars, SHBA kufizoi në 100 numrin e gazetarëve kinezë që punojnë për grupe mediatike të zotëruara nga shteti kinez, të lejuar për të punuar në SHBA. Dy muaj më pas Uashingtoni kufizoi deri në 90 ditë lejen e qëndrimit të këtyre gazetarëve, me të drejtën për ta zgjatur lejen.

Pekini u kundërpërgjigj duke u kërkuar gazetarëve që punojnë për Wall Street Journal, Washington Post dhe New York Times të dorëzojnë kredencialet e shtypit dhe vuri kufizime të tjera për grupet e huaja mediatike.

Propozimi i Departamentit për Siguri Kombëtare do t’i japë Kinës një mundësi të re për të vendosur kufizime edhe më të forta ndaj korrespondentëve amerikanë, tha zoti Williams. “Me veprimet që marrim ndaj gazetarëve të huaj, i japin mundësi Kinës të bëjë të njëjtën gjë ndaj gazetarëve amerikanë,” tha ai.

Zoti Williams tha se ndryshimet e propozuara mund të kufizojnë edhe lirinë e shtypit, sidomos në vende me qeveri autoritare.

Zoti Kubiske thotë se me kufizimin e kohëzgjatjes së vizës, autoritetet amerikane kanë dorë më të lirë të hakmerren ndaj gazetarëve që shprehin kritika ndaj administratës.

“Nëse administrata arrin në përfundimin se nuk i pëlqen puna e një gazetari, ata mund ta kërcënojnë se do ta dëbojnë gazetarin, në periudhën kur ai kërkon zgjatjen e afatit të qëndrimit,” thotë zoti Kubiske.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për komente lidhur me mundësinë e masave hakmarrëse nga vende të tjera.

“Departamenti po analizon aktualisht komentet publike dhe do t’i ketë parasysh në hartimin e një politike përfundimtare,” tha një zëdhënës i Departamentit të Sigurisë Kombëtare në një email dërguar Zërit të Amerikës, duke shtuar se rregullat e reja pritet të hyjnë në fuqi këtë vit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG