Shefi ekzekutiv i kompanisë së medias sociale Facebook, Mark Zuckerberg tha në një takim me anëtarët e stafit të enjten, se ish-këshilltari i Presidentit Trump, Steve Bannon nuk i ka shkelur politikat e kompanisë në atë shkallë që të mund të justifikonte pezullimin e llogarisë së tij në FB. Komentet e zotit Zuckerberg konfimohen sipas një regjistrimi të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters.
"Ne kemi rregulla specifike rreth asaj se sa herë duhet të shkelen politika të caktuara përpara se të çaktivizojmë plotësisht një llogari në Facebook" tha zoti Zuckerberg. "Ndërsa shkelja në këtë rast, mendoj se ishte pranë kalimit të atij kufiri, ajo qartësisht nuk e ka tejkaluar atë", shtoi ai.
Në një video javën e kaluar zoti Bannon sugjeronte t'u priteshin kokat drejtorit të FBI-së Christopher Wray dhe ekspertit të qeverisë për sëmundjet infektive Anthony Faucit, duke thënë se ata nuk kishin qenë besnikë ndaj Presidentit Donald Trump, i cili javën e kaluar humbi garën për Shtëpinë e Bardhë.
Facebook-u e hoqi videon, por jo faqen e zotit Bannon. Kompania nuk i është përgjigjur pyetjeve në lidhje me këto veprime, si dhe një kërkese të agjencisë Reuters mbi komentet e zotit Zuckerberg.
Ndërkohë javën e kaluar kompania Twitter hoqi llogarinë e zotit Bannon lidhur me komentet e tij në videon e shpërndarë në median sociale.
Zoti Zuckerberg foli për këtë çështje në një takim javor me punonjësit e Facebook-ut ku ndonjëherë atij i duhet t’u japë përgjigje pyetjeve rreth politikave të kompanisë, sikurse pyetjes të ngritur të enjten nga një anëtar i stafit, se pse zotit Bannon nuk ishte bllokuar llogaria në Facebook.
Zoti Bannon u arrestua në muajin gusht, i akuzuar për mashtrim të qindra mijëra donatorëve lidhur me një nismë për të grumbulluar 25 milionë dollarë për ndprtimin e murit në kufirin e ShBA-së me Meksikën. Zoti Bannon është deklaruar i pafajshëm duke i hedhur poshtë akuzat si të motivuara politikisht.
Si këshilltari kryesor i Presidentit Trump, zoti Bannon ndihmoi për përhapjen e politikës së zotit Trump "Amerika e Para". Zoti Trump e shkarkoi atë në gusht 2017, duke i dhënë kështu fund mandatit të zotit Bannon, të karakterizuar nga konfliktet.
Facebook Forum