Lidhje

Qeveria, fond të posaçëm për naftëtarët e Ballshit pas mbylljes së rafinerisë


Qeveria shqiptare arriti një marrëveshje për mbështetjen financiare të rreth 870 naftëtarëve të Ballshit për një vit, pas ndërprerjes disa ditë më pare, të një greve disa javore. Marrëveshja u njoftua pas një takimi të një përfaqësie naftëtarësh me Kryeministrin Rama, zhvilluar në Fier, të premten në mbrëmje.

Përfaqësuesi i sindikatës së Naftëtarëve Sokol Dautaj i tha Zërit të Amerikës, pas takimit, se me një fond të posaçëm qeveria do të mbështesë naftëtarët me një pagë prej 40 mijë lekësh (rreth 400 dollarë) për një periudhë 12 mujore, si dhe për mbulimin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Kryeministri Edi Rama u shpreh i kënaqur me arritjen e zgjidhjes me naftëtarët. “Natyrisht që në këtë kohë kaq të vështirë, ku duhet të kalkulojmë çdo ditë, si asnjëherë më parë në eksperiencën time në këtë detyrë, për të qenë largpamës, sepse jemi në kushtet e një paparashikueshmërie, për shkak të COVID-it, nuk është e lehtë, por jemi të bindur që kemi bërë qenë e duhur”.

Zoti Dautaj tha se nga kjo pagë do të përfitojnë 870 naftëtarë, pjesë e listës së pagesës së Rafinerisë së Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballshit nga dhjetori i vitit 2019. Qeveria dhe naftëtarët synojnë një marrëveshje të dytë për rivënien në punë të rafinerisë nga një kompani që do të merrte përsipër përpunimin e naftës kundrejt garancive financiare ndaj kompanive prodhuese.

Nga ana e tij kryeministri Rama, tha se qeveria nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për gjetjen e një investitori “pavarësisht se kërkon një investim të konsiderueshëm se është me një teknologji të vjetër.Vazhdojmë procesin, u kemi dhënë kohë këtyre njerëzve për të marrë frymë lirisht dhe në momentin që do të jetë investitori dhe do të vihet rafineria ato s'do të kenë më nevojë për këtë mbështetje se do kenë pagat e punës së tyre. Jemi në kontakt me 3 kompani dhe janë kompani të mëdha dhe të rëndësishme”, deklaroi zoti Rama, duke theksuar se nuk dëshiron të japë afate se kur mund të përmbyllet një proces i tillë. “Koha që jetojmë është jashtëzakonisht problem”, nënvizoi ai.

Që pas privatizimit të dështuar të kompanisë “Armo” e cila ka në zotërim rafinerinë, shfrytëzimi i saj ka kaluar nëpr duart e disa kompanive të cilat kanë marrë me qera asetet, por më pas kanë bllokuar aktivitetin duke lënë pas detyrime të mëdha financiare si ndaj naftëtarëve ashtu edhe institucioneve tatimore e fiskale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG