Lidhje

Kosovë, protestë e punonjësve të Telekomit


Dhjetëra punonjës të Postës dhe Telekomit të Kosovës, u hodhën në protestë të hënën para ndërtesës së qeverisë, duke kërkuar një zgjidhje për zhbllokimin e llogarive bankare të kësaj ndërmarrjeje.

Llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës u bllokuan në muajin tetor meqë kjo ndërmarrje i ka borxh mbi 25 milionë euro kompanisë private Z-Mobile për shkak të mospërmbushjes së një kontrate.

Kontrata ishte nënshkruar në vitin 2009 ndërmjet Telekomit të Kosovës dhe kompanisë "Dardafon.net LLC", e njohur me emrin tregtar “Z Mobile”, e cila veproi operator virtual i telefonisë celulare Vala, që funksionon në kuadër të Telekomit të Kosovës.

Kjo kontratë, megjithëse e shoqëruar me kritika se ka futur në krizë financiare Telekomin e Kosovës, ka zgjatur deri në korrik të vitit 2019, kur bordi i Telekomit të Kosovës vendosi shkëputjen e saj.

Z-Mobile e dërgoi çështjen ne arbitrazh dhe e fitoi padinë duke e detyruar Telekomin të paguajë një gjobë prej mbi 25 milionë eurosh për dëmin e shkaktuar. Për shkak të mospagesës së kësaj shume për herë të dytë janë bllokuar llogaritë bankare të Telekomit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Tahiri siguroi protestuesit se deri të martën qeveria do të gjejë një zgjidhje për këtë problem.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG