Lidhje

SHBA do të shkurtojë trupat në Afganistan dhe Irak deri në mesin e janarit


Pentagoni do të kthejë në shtëpi mijëra pjesëtarë të ushtrisë amerikane në javët e ardhshme, pas urdhrit të presidentit Donald Trump për të tërhequr rreth 2 mijë trupa nga Afganistani dhe 500 trupa nga Iraku, para inaugurimit të presidentit më 20 janar.

“Deri më 15 janar, numri i trupave tona në Afganistan do të jetë 2 mijë e 500. Po ashtu numri i forcave tona në Irak do të jetë gjithashtu 2 mijë e 500 në të njëjtën datë”, tha ushtruesi i detyrës së sekretaritë të Mbrojtjes, Chris Miller.

Zoti Miller tha se zvogëlimi i trupave nuk paraqet “një ndryshim në politikën ose synimet e Shteteve të Bashkuara” në luftën globale kundër terrorizmit dhe do të kryhet në atë mënyrë që të sigurojë mbrojtjen e trupave amerikane, diplomatëve, oficerëve të zbulimit dhe aleatëve. Ai nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve.

Shkurtimet janë të ngjashme me planet e parashtruara në tetor nga Këshilltari i presidentit për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien, ekzistencën e të cilave Pentagoni nuk pranoi ta konfirmonte në atë kohë.

Zoti Miller tha se kishte biseduar të martën me disa nga udhëheqësit kryesorë për t'i njoftuar me planet amerikane, përfshirë udhëheqësit e Kongresit, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe presidentin Afganistan Ashraf Ghani.

“Presidenti Ghani vuri në dukje cilësinë e trupave tona, të cilat ai vuri në dukje se ka qenë gjithmonë më e rëndësishme sesa sasia. Ne vazhdojmë të qëndrojmë me të ndërsa qeveria e tij punon drejt një zgjidhjeje të negociuar për paqen”, tha zoti Miller.

NATO-ja tani ka më shumë trupa në Afganistan sesa Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarët ushtarakë thonë se Pentagoni po i nxit ata të mbajnë numrin e tyre edhe pasi që presidenti Trump të shkurtojë praninë e trupave amerikane.

Njoftimet për reduktime në numrin e trupave filluan të qarkullonin të hënën dhe zgjuan kritika të menjëhershme nga ekspertë, ish-zyrtarë dhe madje edhe nga një prej aleatëve më të fortë të presidentit, kreu i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell.

“Nuk ka amerikan që nuk do që të kishte përfunduar tashmë lufta kundër terroristëve dhe përkrahësve të tyre në Afganistan. Por një tërheqje e shpejtuar do të dëmtonte aleatët tanë dhe do të gëzonte ata që na duan të keqen,” tha zoti McConnell.

Ai i bëri thirrje presidentit të vazhdojë të ushtrojë presion “deri kur të arrihen kushtet për mposhtjen e pakthyeshme të ISIS-it dhe Al-Kaidës”.

Pa këtë, paralajmëroi ai, largimi do të na kujtojë “tërheqjen e turpshme amerikane nga Saigoni,” i Vjetnamit në 1975 dhe do të ishte më e keqe se tërheqja amerikane nga Iraku në 2011 që u bë një ndër faktorët që ushqyen shfaqjen e Shtetit Islamik.

“Tërheqja jonë do t’u jepte zemër talebanëve, sidomos krahut gjakatar Haqqani dhe do të rrezikonte gratë e vajzat afgane duke i kthyer tek periudha e viteve 1990,” tha zoti McConnell duke iu referuar periudhës kur gratë nuk lejoheshin të arsimoheshin apo të kryenin aktivitet ekonomik jashtë shtëpisë.

Ligjvënësi republikan Adam Kinzinger tha për Zërin e Amerikës se tërheqja nga Afganistani para se të krijohen kushtet e duhura në terren “do të ishte gabim” duke shtuar se do të dëmtonte peshën që gëzon Uashingtoni në negociatat e paqes që synojnë ndaljen e konfliktit mes autoriteteve afgane dhe talebanëve.

“Në negociata gjithmonë duhet të negociosh nga pozita të forta,” tha ai.

Kur Presidenti Trump fitoi zgjedhjet në 2016 ai premtoi kthimin e trupave nga zonat e konfliktit në tokë të huaj.

Zyrtarë të lartë ushtarakë thanë se reduktimi i propozuar në kushtet aktuale është shqetësues, sidomos në periudhë tranzicioni mes administratash. Një zyrtar i lartë ngriti shqetësimin se nuk është e qartë se cilat misione do të shkurtohen, si do të shkurtohen dhe si do të ndikohen partnerët afganë.

“Ky është moment i çuditshëm; vështirë të thuash se ka një strategji të mirëfilltë pas këtyre makinacioneve,” tha një tjetër zyrtar të hënën për Zërin e Amerikës.

Presidenti Trump shkarkoi papritur Sekretarin amerikan të Mrojtjes Mark Esper një javë më parë dhe e zëvendësoi me Christopher Miller, drejtor i Qendrës Kombëtare për Kundër-Terrorizmin.

Zoti Esper i dërgoi Shtëpisë së Bardhë një letër këtë muaj ku shprehte shqetësim lidhur me tërheqjen e vazhdueshme të trupave në Afganistan, në një kohë kur dhuna vazhdon dhe bisedimet e paqes nuk duket se po përparojnë, sipas gazetës Washington Post.

Këshilltari kryesor i zotit Miller, koloneli në pension Douglas McGregor, ka bërë thirrje për tërheqje të plotë të trupave amerikane nga Afganistani, si dhe për mbylljen e ambasadës amerikane në Kabul.

Rreth 4,500 trupa amerikane janë aktualisht të dislokuara në Afganistan ku SHBA është angazhuar prej afro dy dekadash për të luftuar al Kaidën dhe për të mos i lejuar kësaj organizate dhe rrjeteve të tjera terroriste të krijojnë baza të sigurta.

Zyrtarë të lartë afganë nuk po u kushtojnë rëndësi njoftimeve se Shtetet e Bashkuara kanë në plan të tërheqin trupat amerikane, duke thënë se forcat vendase po kryejnë tashmë në mënyrë të pavarur thuajse të gjitha operacionet në mbarë vendin dhe varen vetëm për mbështetje të kufizuar ajrore nga partnerët e huaj.

Të martën, ministri afgan i Mbrojtjes Asadullah Khalid, në komentet para parlamentit, u përpoq të zbuste shqetësimet në vend se një tërheqje e menjëhershme e trupave amerikane do të minonte aftësinë e Afganistanit për të luftuar kryengritjen e talebanëve, duke thënë se forcat afgane të sigurisë përballojnë vetë 96 për qind të operacioneve kundër talebanëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG