Lidhje

Zyrtari shtetëror: Rinumërimi nuk pritet të ndryshojë rezultatin në Xhorxhia


Marietta, Xhorxhia.
Marietta, Xhorxhia.

Rinumërimi i votave që vazhdon në Xhorxhia nuk ka gjasa të ndryshojë rezultatin, në bazë të të cilit demokrati Joe Biden u shpall fitues i zgjedhjeve në këtë shtet të jugut amerikan, tha të mërkurën gjatë një interviste për rrjetin CNN sekretari i shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger.

"Po e mbarojmë rinumërimin; presim edhe një numër të vogël komunash që ende nuk na kanë sjellë rezultatin – këto janë ndër komunat më të mëdha të shtetit – por nuk besoj se do të ndryshojë totalen e rezultatit,” tha zoti Raffensperger, zyrtari përgjegjës për procesin zgjedhor në shtetin e Xhorxhias.

Zyrtarët e zgjedhjeve në gjithë shtetin e Xhorxhas përballen të mërkurën me një afat për të përfunduar numërimin në mënyrë manuale të votave të shtetit të tyre për zgjedhjet presidenciale.

Numërimi i 5 milion votave erdhi si rezultat i një kërkese të parashikuar në një ligj të ri të shtetit dhe nuk ishte në përgjigje të ndonjë problemi të dyshuar me rezultatet e zgjedhjeve në këtë shtet ose një kërkese zyrtare për rinumërim. Ligji kërkon që kontrolli të bëhet para se rezultatet e qarqeve të mund të certifikohen nga shteti.

Afati i fundit për qarqet për të përfunduar kontrollin është të mërkurën në orën 23:59, përpara afatit të së premtes për certifikimin shtetëror.

Zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve kanë thënë në mënyrë të përsëritur se numërimi ka për qëllim të sigurojë që makineritë e reja zgjedhore të shtetit i kanë përpiluar saktë votat dhe nuk pritet të ndryshojë rezultatin e përgjithshëm.

Para se të bëhej numërimi manual, demokrati Joe Biden rezultonte me një epërsi prej rreth 14,000 votash ndaj Presidenti Republikan Donald Trump. Votat e pa numëruara më parë të zbuluara në dy komuna gjatë numërimit një nga një do ta ulin atë diferencë në rreth 13,000, tha Gabriel Sterling, i cili mbikëqyri zbatimin e sistemit të ri të votimit të shtetit për zyrën e Sekretarit të Shtetit.

Pasi të jenë certifikuar rezultatet, nëse diferenca midis kandidatëve mbetet brenda 0.5%, fushata humbëse mund të kërkojë një rinumërim. Kjo do të bëhej duke përdorur skaner që lexojnë dhe vlerësojnë votat dhe do të paguhen nga shteti, ka thënë sekretari i shtetit Brad Raffensperger.

Një ligj i miratuar vitin e kaluar kërkon auditimin, por ia lë sekretarit të shtetit të përcaktojë se cila garë rikontrollohet. Zoti Raffensperger tha se ai zgjodhi garën presidenciale për shkak të rëndësisë së saj dhe diferencës së ngushtë. Për shkak të rezultateve të ngushta, tha ai, do të nevojitej një rinumërim i plotë për të përfunduar kontrollin.

Gjatë dy javëve që nga zgjedhjet, zoti Raffensperger ka qenë nën sulm nga republikanët, që nga presidenti e gjithë të tjerët.

Dy senatorët amerikanë të Xhorxhas, të cilët përballen me konkurrencë të fortë nga demokratët në zgjedhjet e balotazhit të 5 janarit, javën e kaluar kërkuan dorëheqjen e zotit Raffensperger.

"Sekretari i Shtetit ka dështuar të sigurojë zgjedhje të ndershme dhe transparente," shkruajnë senatorët David Perdue dhe Kelly Loeffler në një letër.

Anëtari i Kongresit, Doug Collins, i cili po drejton përpjekjet e zotit Trump për rinumërimin në Xhorxhia, ka shkëmbyer polemika në mediat sociale me Sekretarin e Shtetit. Dhe gjatë fundjavës, presidenti shkroi në Twitter se zoti Raffensperger - të cilin ai e mbështeti në një balotazh dy vjet më parë - është "një i ashtuquajtur Republikan (RINO)", duke përdorur shkurtesën për "Republikan vetëm me emër".

Zoti Raffensperger ka mbrojtur me vendosmëri trajtimin e zgjedhjeve nga shteti dhe numërimin pasues. Ai ka thënë se zyra e tij nuk ka parë prova mashtrimi të gjerë të votimit ose parregullsi dhe ai ishte i bindur se kontrolli do të konfirmonte rezultatet e zgjedhjeve.

Associated Press nuk ka deklaruar fitues në garën presidenciale në Xhorxha, ku zoti Biden udhëhiqte me një diference 0.3 për qind ndaj zotit Trump. Në Xhorxha nuk ka një ligj për rinumërim të detyrueshëm, por ligji shtetëror siguron atë mundësi për kandidatin që ka më pak vota nëse diferenca është më pak se 0.5 për qind. AP nuk bën parashikim për rezultatin e një garë që ka të ngjarë të bëhet subjekt i një rinumërimi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG