Lidhje

Shqipëri, vdekjet nga COVID 19 përplasin Qeverinë me opozitën


Në Shqipëri, debati për numrin e viktimave të COVID 19 vijon të mbetet i nxehtë, duke provokuar një përplasje të fortë mes Qeverisë dhe opozitës. Kryeministri Edi Rama i cilësoi mbrëmjen e së shtunës si “çnjerëzore” akuzat për fshehje të numrit të vërtetë të vdekjeve, të lëshuara dy ditë më parë nga kryetari demokrat Lulzim Basha.

Në emisionin “Opinion”, zoti Basha bëri publike një listë që siç tha ai ishte marrë nga morgu. Lista përmbante emrat e 923 personave që siç shpjegoi zoti Basha, deri në fund të muajit tetor, kishin humbur jetën në spitalet COVID, ndërkohë që autoritet kanë deklaruar në të vërtetë 509 viktima për këtë periudhë.

Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat, duke i konsideruar ato ndër të tjera dhe si pjesë e luftës për pushtet nga opozita. “Sot kur pesha e ngarkesës mbi sistemet shëndetësore të cdo shteti po arrin në kufijtë e të papërballueshmes dhe kur barra mbi shpatullat e mjekëve dhe infermierëve po prek kufijtë e mbinjerëzores, të dalësh e ti thuash popullit që qeveria po fsheh numrin e të vdekurve do të thotë të kapërcesh çdo kufi të demokracisë, madje dhe çdo kufi të luftës më të përçartur për pushtet. Kjo është brutalisht çnjerëzore”.

Kryeministri Rama i doli në krah mjekëve, ndërsa e cilësoi si papërgjegjshmëri veprimin e opozitës. “Për fat të mirë nuk ka asnjë mundësi teorike, jo më praktike që qeveria të fsheh numrin e viktimave në spital, sikundër nuk ka asnjë parti normale politike në planet që të përcaktojë diagnozën e pacientëve që humbin jetën në spital e të ngrejë akuza që ngrenë dhe të vdekurit nga varri. Diagnoza – shtoi më tej zoti Rama - është përgjegjësi jo vetëm profesionale por dhe ligjore e cdo mjeku, ashtu siç është dhe akuza për fshehjen e vdekjeve, jo vetëm papërgjegjshmëri politike e qytetare, por dhe dobësi e frikshme e karakterit të kësaj opozite”.

Autoritetet deri më tani nuk kanë dhënë një shpjegim të drejtëpërdrejtë, nëse numri i të vdekurve në morg është ai të cilin pretendon opozita, apo nëse, po ashtu, bëhet fjalë po për persona që kanë qenë trajtuar në spitalet COVID, duke lënë të kuptohet se shkaqet e vdekjeve nuk kanë qenë nga COVID 19.

Drejtuesja e spitalit Infektiv, i cili njihet tanimë ndryshe dhe si COVID 1, Najada Çomo u shpreh një ditë më parë se “nuk është kurrësesi e vërtetë që janë fshehur vdekje nga COVID-19 dhe e themi me përgjegjësi të plotë. Jo vetëm praktikisht por edhe teorikisht është e pamundur. Çdo pacient që ndërron jetë përcillet për në morg bashkë me kartelën shoqëruese, e cila përmban edhe arsyen e vdekjes së qytetarit, është e firmosur dhe vulosur me përgjegjësi profesionale dhe ligjore nga mjeku, që e ka trajtuar deri në momentin dhe që konstatoi vdekjen e personit”.

Mbetet për të kuptuar se cilat janë kriteret e zbatuara në përcaktimin se kur një vdekje është shkaktuar ose jo nga COVID 19. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë “COVID 19 duhet të shënohet në çertifikatën e e shkaqeve të vdekjes, për të gjitha rastet në të cilat sëmundja (COVID 19) ka shkaktuar, ose mendohet të ketë shkaktuar ose kontribuar në humbjen e jetës”.

Zoti Basha i parapriu daljes publike të kryeministrit më një postim në Twitter, ku shkruajti se “Ramës ju deshën dy ditë për t'u përgjigjur. Dy ditë përpjekje për të manipuluar faktet dhe për të fshehur të vërtetën që pamë të gjithë. E ka kot sepse askush nuk i beson më!”.

Ndërsa më vonë në mbrëmje reagoi sërish duke deklaruar se “Rama vazhdon të gënjejë dhe t'i ikë përgjegjësisë. Ai ka gënjyer në lidhje me numrat e viktimave. Mashtrimi me shifrat zyrtare është përgjegjësi e Ramës, jo e mjekëve që po sakrifikojnë gjithçka në këtë betejë. Nëse nuk ke asgjë për të fshehur, prano direkt një hetim të plotë të të gjithë informacioneve që jo mjekët, por ti, ke fshehur në lidhje me viktimat e COVID-19”, theksoi zoti Basha.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG