Lidhje

Shtëpia e Bardhë: Biden do të ketë qasje në raportet e sigurisë kombëtare


Drejtori i Shërbimeve të Zbulimit, John Ratcliffe
Drejtori i Shërbimeve të Zbulimit, John Ratcliffe

Shtëpia e Bardhë ka dhënë miratim që Presidenti i zgjedhur, Joe Biden të marrë dosjen e përditshme të informimit të presidentit, ku përfshihen raporte sekrete të shërbimeve të zbulimit që inforrmojnë presidentin amerikan, tha një zyrtar i administratës të martën.

Ky vendim nënkupton se zoti Biden do të marrë të dhënat më të fundit që kanë mbledhur shërbimet e zbulimit lidhur me kërcënime madhore për sigurinë kombëtare si dhe zhvillime serioze në mbarë globin.

Njoftimi bëhet ndërkohë që Presidenti i zgjedhur Joe Biden nisi të martën një fazë të re në tranzicionin e tij drejt Shtëpisë së Bardhë pasi administrata Trump i lejoi atij qasje në fonde dhe burime të tjera që do t'i mundësojnë të marrë frenat e pushtetit në janar.

Njoftimi i Administratës së Shërbimeve Qeveritare të hënën mbrëma se do të njihte zyrtarisht tranzicionin e zotit Biden erdhi pas pretendimeve të pambështetura në fakte, të bëra nga Presidenti Trump, se në zgjedhjet e 3 nëntorit kishte patur mashtrim në shkallë të gjerë.

Në një postim në Twitter, Presidenti Trump ofroi mbështetje për fillimin e tranzicionit të pushtetit.

Kritikët kanë thënë se refuzimi i tij për të pranuar rezultatet minon demokracinë si dhe aftësinë e administratës së re për të luftuar kundër pandemisë së koronavirusit.

Dy zyrtarë të administratës Trump thanë se ekipet e zotit Biden mund të fillojnë të komunikojnë me zyrtarët e agjencive qeveritare, duke filluar që nga e marta.

Një zëdhënëse e Pentagonit, tha se Departamenti i Mbrojtjes ishte kontaktuar nga ekipi Biden-Harris.

Në zgjedhjet e 3 nëntorit, zoti Biden mori 306 vota elektorale kundrejt 232 të marra nga Presidenti Trump. Ai siguroi gjithashtu një epërsi prej më shumë se 6 milion votash popullore në shkallë vendi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG