Lidhje

SHBA, mundësi për reduktimin e karantinës për të ekspozuarit ndaj korovirusit


Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve po shqyrtojnë mundësinë e shkurtimit të periudhës që rekomandohet për qëndrimin në karantinë të atyre njerëzve që mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj COVID-19-s.

Udhëzimet aktuale rekomandojnë që në rastëe të tilla njerëzit të vetëizolohen për 14 ditë, por një zyrtar tha të martën se periudha mund të shkurtohej nëse personi rezulton negativ gjatë periudhës së izolimit. Ai nuk specifikoi se me sa ditë mund të ulej periudha e izolimit.

Qeveria po punon gjithashtu rreth planeve për të shpërndarë sa më shpejt sasinë e parë të vaksinave kundër koronavirusit, pasi ato të marrin miratimin nga entet rregullatore amerikane.

Të martën zyrtari kryesor i programit të qeverisë të ashtuquajtur “Me shpejtësinë e dritës" Gustave Perna, u tha gazetarëve se deri në fund të dhjetorit do të ishin në dispozicion 40 milionë doza vaksinash të prodhuara nga dy kompani farmaceutike.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave pritet të vendosë më 10 dhjetor nëse do të japë miratimin për përdorimin urgjent të vaksinës së kompanisë Pfizer, ndërsa Moderna pritet të aplikojë së shpejti për të marrë miratimin për vaksinën e sak. Të dyja kompanitë kanë publikuar rezultatet paraprake të provave që tregojnë se vaksinat e tyre duket të jenë efektive.

Javën e kaluar qeveria njoftoi autoritetet shtetërore dhe ata të territoreve amerikane, se sa doza vaksinash do të shpërndahen në ciklin e parë dhe ka në plan të lëshojë rekomandime të mëtejshme se kush do të ketë përparësi për t’u vaksinuar në fillim.

Pritet që punonjësit e kujdesit shëndetësor të jenë të parët që do të vaksinohen. Ndërkohë zyrtarët kanë bërë të ditur se deri në prill vaksina do të jetë në dispozicion për të gjithë popullatën amerikane.

Vendi vazhdon të udhëheqë botën për nga numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë dhe ka shënuar një rritje të infeksioneve gjatë muajit të kaluar. Gjatë javës së kaluar u raportuan çdo ditë mesatarisht më shumë se 170 mijë infeksione të reja si dhe 1,500 vdekje. Një numër rekord njerëzish janë aktualisht të shtruar në spital.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave dhe zyrtarët në shumë shtete i kanë nxitur njerëzit të mos udhëtojnë me rastin e Ditës së Falënderimeve ose të grumbullohen në pak veta, për të mos ndikuar në rritjen e numrit të infeksioneve.

Kanadaja e festoi ditën e saj të Falënderimeve në fillim të tetorit dhe që nga ajo kohë shifrat e infeksioneve ditore me COVID-19 janë dyfishuar.

Në Japoni, qeveria reduktoi një fushatë të synuar për të rritur turizmin pas një rritje të rasteve me COVID-19 që filluan këtë muaj.

Disa vende evropiane po planifikojnë të lehtësojnë kufizimet përpara festës së Krishtlindjeve. Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi të martën se duke filluar nga e diela, disa dyqane mund të hapen sërish dhe se urdhrat për qëndrimin në shtëpi në nivel kombëtar, të vendosura për të kontrolluar një valë tjetër të pandemisë, do të hiqen më 15 dhjetor.

“Francezët do të jenë në gjendje të udhëtojmë pa marrë autorizim dhe t’i kalojnë Krishtlindjet me familjet e tyre”, tha zoti Macron.

XS
SM
MD
LG