Lidhje

Vdes legjenda e futbollit Diego Armando Maradona


Legjenda e futbollit argjentinas Diego Armando Maradona, i konsideruar gjerësisht si një nga lojtarët më të mirë të futbollit të të gjitha kohërave vdiq të mërkurën si pasojë e një ataku në zemër.

Lajmi u njoftua nga avokati i tij.

60 vjeçari, vuante nga probleme shëndetësore dhe i ishte nënshtruar disa javëve më pare një operacioni urgjent si pasojë e një mbledhje të gjakut të krijuar jashtë trurit.

Sipas medias argjentinase si dhe të njohurve të ish-lojtarit ai pësoi atak në zemër ndërsa ndodhej në shtëpinë e tij në periferi të Buenos Airesit të mërkurën.

Presidenti i argjentinës Alberto Fernandez deklaroi tre ditë zi kombëtare për nder të ish-futbollit.

Ylli në pension i futbollit brazilian Pele ishte ndër ata që shprehu pikëllimin e tij për lojtarin argjentinas.

"Sigurisht një ditë ne do të luajmë së bashku atje lart në qiell", shkruante ai në një deklaratë të shkurtër të siguruar për agjencinë Reuters nga një përfaqësues i tij.

Diego Armando Maradona një nga futbollistët më të talentuar në histori, e pati kulmin e lavdisë së tij kur në cilësinë e kapitenit të skuadrës, drejtoi ekipin e Argjentinës drejt fitores së Kupës së Botës në 1986. Më pas ai do të zhytej në mjerim e do të përjashtohej nga Kupa e Botës e vitit 1994 për përdorim dopingu.

Për shkak të vite të tëra përdorimi të drogës, ngrënies së tepruar dhe alkoolit, karriera e tij e jashtëzakonshme do të zbehej gradualisht. Ai u shndërrua nga një sportist energjik që bënte magji me topin në fushë, në një person tërësisht të varur, që pothuajse vdiq nga kokaina në vitin 2000.

XS
SM
MD
LG