Lidhje

Rezistencë nga Gjykata e Lartë ndaj tentativave të presidentit për përjashtime nga censusi


Anëtarët e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara kanë ngritur dyshime mbi autoritetin e Presidentit Trump për të përjashtuar kategorikisht nga numërimi i popullatës personat që ndodhen në mënyrë të paligjshme në vend. Numërimi përmes censusit dikton se sa fonde marrin komunat individuale, gjithashtu edhe si ndahen vendet në Kongresin amerikan.

Por ka të ngjarë që gjykatësit të mos marrin vendim mbi këtë temë deri kur të jetë e qartë se çfarë masash të tjera do të marrë administrata e Presidentit Trumë në ditët e saj të fundit. Asnjë president nuk është përpjekur të heqë miliona vetë pa shtetësi nga numërimi i popullatës.

Presidenti Trump lëshoi një udhëzim në korrik për heqjen e miliona banorëve nga censusi që zhvillohet çdo 10 vjet. Numërimi i popullatës përmes censusit përcakton sa ligjvënës do të ketë çdo shtet, po ashtu edhe si do të ndahen fondet federale për komunat individuale.

Anëtarët e gjykatës, të cilët zhvilluan mbledhje me telefon për arsye të pandemisë, dëgjuan argumente në padinë e dytë brenda dy vjetësh lidhur me imigrantët e paligjshëm dhe numërimin e popullatës.

Censusi është ndeshur edhe me sfida të tjera në përmbushjen e pyetsorëve brenda afatit, cilësinë e të dhënave dhe ndërhyrjen e politikës. Nuk është e qartë nëse administrata e ardhshme Biden do të ndërmarrë masa për të anuluar vendimet e marra nga Presidenti Trump.

Një mundësi, sipas avokatit të zotit Trump që po argumenton çështjen para Gjykatës së Lartë, Jeffrey Wall, është që Presidenti Trump të përjashtojë nga numërimi personat që mbahen në qendra paraburgimi nga autoritetet e imigracionit apo ata që janë urdhëruar të largohen nga vendi.

Por, i pyetur nga anëtarja e Gjykatës së Lartë, Elena Kagan, zoti Wall nuk përjashtoi mundësinë që të përjashtoheshin edhe kategori të tjera, përfshirë të rinjtë e mbrojtur nga deportimi nga një program i administratës Obama që ofron status mbrojtjeje për ata që u sollën në moshë të mitur në SHBA.

“Nuk jemi të sigurtë në këtë moment dhe nuk e dimë çfarë mund të vendosë presidenti, tha zoti Wall.

Gjykatësja Amy Coney Barrett ishte një ndër shumë prej anëtarëve të institucionit më të lartë gjykues të vendit që tha se argumentet e administratës për autoritet të gjerë për të vendosur se kush mund të përjashtohet nga numërimi, janë shqetësuese sepse “dëshmitë e së kaluarës dhe praktika e deritanishme bie ndesh me argumentet tuaja,” i tha ajo ekipit juridik që po prezantonte argumentet e presidentit.

Gjykata e Lartë vendosi ta marrë në shqyrtim çështjen në mënyrë të përshpejtuar, bazuar në kërkesën e administratës për të dhënë vendim në fillim të janarit, kur administratës së Presidentit Trump i kërkohet me ligj t’ia përcjellë rezultatet e censusit Kongresit. Byroja e Censusit kërkohet t’ia dorëzojë të dhënat presidentit brenda datës 31 dhjetor.

Zoti Wall tha të hënën “Nuk po ecet me ritmet e duhura për të arritur t’ia dorëzojnë presidentit raportin brenda këtij viti”. Ai tha se zyrtarët e censusit i kishin thënë se shpresojnë që të dhëna shtesë për numërimin e popullatës të bëhen gati në janar.

Vonesa prej të paktën tre javësh nënkuptojnë se rezultatet e numërimit të popullsisë do t’i dorëzohen presidentit të ri, Joe Biden kur të marrë postin më 20 janar.

Gjykata mund të vendosë të mos marrë asnjë vendi, thjesht duke e injoruar çështjen, ose ta hedhë poshtë si çështje. Nëse e hedh poshtë, kjo i jep mundësi administratës së Presidentit Trump të çojë përpara planin e saj, gjë që do të pasohet nga aktpadi të reja.

Presidenti Trump ka ndeshur në rezultate të përziera në paditë e paraqitura para Gjykatës së Lartë. Gjykatësit lejuan vendimin e administratës për të mos lejuar udhëtimet për në SHBA nga individë nga vende me shumicë myslimane. Por ekipi i presidentit humbi në përpjekjet për të anuluar programin që mbron nga deportimi të rinjtë e sjellë në moshë të mitur në mënyrë të paligjshme në SHBA. Po ashtu gjykata bllokoi përpjekjet e administratës për të shtuar për herë të parë në 70 vjet një pyetje për shtetësinë në censusin e 2020.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG