Lidhje

Biden prezanton anëtarët kryesorë të ekipit të tij ekonomik


Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden u zotua të martën të ndërtojë një "ekonomi të re që funksionon për të gjithë amerikanët" kur të marrë detyrën më 20 janar.

"E di që kohët janë të vështira, por dua që ju ta dini se ndihma po vjen”, tha zoti Biden në qytetin e tij të lindjes Uilmington, ndërsa prezantoi këshilltarët e tij kryesorë ekonomikë, duke përfshirë ish-kryetaren e Rezervës Federale Janet Yellen si të emëruarën e tij për sekretare të thesarit.

Zoti Biden i kërkoi Kongresit, ku negociatat janë bllokuar prej muajsh, "të miratojë një paketë të fuqishme lehtësimi" në dhjetor përpara se ligjvënësit e sapozgjedhur të marrin detyrën në janar.

Por ai pranoi se çdo ndihmë e re "ka të ngjarë të jetë - në rastin më të mirë - vetëm fillimi", dhe premtoi të paraqesë propozime të reja shpenzimesh sapo të fillojë mandatin e tij katër-vjeçar.

Rimëkëmbje ekonomike në formë K

Në kushtet kur në SHBA regjistrohen çdo ditë dhjetëra mijëra raste të reja me koronavirus, zoti Biden tha se fatet ekonomike për amerikanët kanë qenë të pabarabarta, pjesë e asaj që ekonomistët po e quajnë një rimëkëmbje në formë K.

"Për ata që janë në krye," tha zoti Biden, "vendet e punës janë kthyer dhe pasuria e tyre po rritet. Por për ata që janë në mes dhe në fund, është një rrëshqitje në rënie. Ata nuk dinë nëse do t’i paguajnë dot faturat dhe a do të kenë ushqim në tryezë."

"Pothuajse një në çdo gjashtë qiramarrës është prapa me pagesat e qirasë që nga fundi i tetorit," tha ai.

Zoti Biden shtoi se ekipi i tij i këshilltarëve ekonomikë "do të krijojë një rimëkëmbje për të gjithë dhe do ta bëjë ekonominë të lëvizë përsëri".

Këshilli i ri ekonomik

Zoti Biden dhe Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris prezantuan anëtarët kryesorë të ekipit të tyre ekonomik.

Emrat u bënë fillimisht publikë në një deklaratë të hënën. Mes tyre bie në sy emri i ish-kryetares së Rezervës Federale Janet Yellen, e cila pritet të jetë gruaja e parë që do të drejtojë Departamentin e Thesarit në historinë 231 vjeçare të këtij institucioni.

Ekipi ekonomik do të përballet me sfidën e menjëhershme të trajtimit të efekteve të pandemisë së koronavirusit në vendin me ekonominë më të madhe në botë.

Neera Tanden u emërua në detyrën e drejtores së Zyrës qeveritare për Menaxhimin dhe Buxhetin. Ajo është aktualisht presidente e Qendrës për Përparimin Amerikan, një grup liberal hulumtimi e që trajton çështje që lidhen me politikat publike në Uashington. Nëse konfirmohet nga Senati, zonja Tanden do të ishte gruaja e parë me ngjyrë dhe e para amerikane me origjinë nga Azia Jugore që do të drejtonte agjencinë.

Zoti Biden emëroi gjithashtu Wally Adeyemo, i cili ka trajtuar prej kohësh çështje që lidhen me politikat ekonomike, si zëvendës të zonjës Yellen. Ai pritet të jetë i pari afrikano-amerikan që do të mbajë pozicionin e rangut të dytë në Departamentin e Thesarit.

Ekonomistja Cecilia Rouse, dekane e shkollës së Çështjeve Publike e Ndërkombëtare në Universitetin Princeton, u emërua kryetare e Këshillit të Konsulentëve Ekonomikë të Shtëpisë së Bardhë. Ajo pritet të jetë e para afrikano-amerikane në këtë pozitë dhe e katërta grua në këtë detyrë.

Zoti Biden zgjodhi dy ekonomistë të tjerë, Jared Bernstein dhe Heather Boushey-n si anëtarë të këshillit ekonomik.

Në komentet e saj, zonja Yellen tha se Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një krizë historike për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe pasojave të saj ekonomike, gjë që kërkon veprim urgjent për të shmangur një spiral në rënie.

"Është një tragjedi amerikane prandaj është shumë e rëndësishme që të lëvizim me urgjencë. Mosveprimi do të sjellë një spiral në rënie, duke shkaktuar akoma më shumë shkatërrime," tha zonja Yellen.

Ajo tha se pandemia ka ndikuar në mënyrë joproporcionale tek amerikanët më në nevojë. Zonja Yellen shtoi se është e rëndësishme që rimëkëmbja ekonomike të mos përjashtojë askënd. Ajo u zotua se do të "gjente një synim të përbashkët për të kontrolluar pandeminë dhe për ta ndërtuar ekonominë më mirë se sa ishte më parë".

Gjithashtu të martën, Sekretari i Thesarit në ikje Steven Mnuchin i kërkoi Senatit të mbështesë bizneset e vogla me grante në shumën prej 300 miliardë dollarësh për të mos i lejuar të dështojnë në klimën e intensifikimit të krizës së shëndetit publik.

"Këto biznese nuk mund të presin dy ose tre muaj" për ndihmë, tha zoti Mnuchin.

Ndërkohë, negociatat e bllokuara për një paketë të re ekonomike për koronavirusin morën një shtytje të re. Një grup ligjvënësish nga të dyja partitë hodhi një propozim për ndihmë prej 908 miliardë dollarësh.

Dëmi ekonomik i pandemisë

Pandemia e koronavirusit ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm në ekonominë amerikane.

Aktualisht shumë prej 22 milionë vendeve të punës të humbura me shpërthimin e virusit janë rikuperuar.

Ndërsa numri i të papunëve ishte në miliona disa muaj më parë, për pjesën më të madhe të tetorit dhe nëntorit, më shumë se 700,000 mijë vetë paraqitën kërkesë për asistencë papunësie, një nivel i pashembullt që prej vitit 1960.

Emërimet e fundit të zotit Biden nënvizojnë premtimin e presidentit të ardhshëm për të krijuar një ekip zyrtarësh që "duket si Amerika", nga pikëpamja demografike, në përbërje të të cilit ka gra e njerëz me ngjyrë. Të emëruarit e zotit Biden për postet e larta janë në kontrast me listën kryesisht me burra të bardhë në postet kryesore të administratës në largim të Presidentit Donald Trump.

Të dielën zoti Biden dhe Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris emëruan një ekip komunikimi i përbërë i gjithi nga gra, me në krye drejtoreshën e komunikimit gjatë fushatës, Kate Bedingfield, ndërsa Jen Psaki pritet të mbajë pozicionin e sekretares së Shtypit.

Zoti Biden u informua për herë të parë të hënën nga komuniteti amerikan i zbulimit mbi çështje të sigurisë kombëtare me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara. Ai po përgatitet të marrë detyrën me inaugurimin e tij si presidenti i 46-të i SHBA-së më 20 janar. Zoti Biden gëzon një epërsi prej 306 votash elektorale ndaj 232 të zoti Trump, një rezultat që duhet ende të zyrtarizohet. Në SHBA është Kolegji Zgjedhor ai që përcakton rezultatin e zgjedhjeve presidenciale dhe jo vota popullore. Por zoti Biden kryeson edhe me votë popullore, me më shumë se 6 milionë vota.

Votimi shtet për shtet i Kolegjin Zgjedhor është caktuar më 14 dhjetor, më pas në fillim të janarit do të jetë Kongresi ai që çertifikon rezultatin e zgjedhjeve.

Procesi i tranzicionit të zotit Biden në postin e presidentit filloi zyrtarisht javën e kaluar pasi një agjenci qeveritare e shpalli atë fituesin e dukshëm të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Megjithatë Presidenti Trump vazhdon përpjekjet e tij ligjore për të zhbërë fitoren e zotit Biden edhe pse ai ka thënë se do t'i përmbahet rezultatit të Kolegjit Zgjedhor.

Zoti Trump ka refuzuar të pranojë humbjen ndërsa pretendon, por pa ofruar prova, se zgjedhjet u manipuluan.

Zoti Trump dhe zyrtarët e fushatës së tij kanë humbur apo janë tërhequr nga më shumë se 30 procese gjyqësore nëpërmjet të cilave kanë pretenduar për parregullsi në procesin e votimit dhe numërimit të votive. Ekipi ligjor i zotit Trump ka apeluar në Gjykatën e Lartë të vendit të paktën një nga vendimet e rrëzuara në një gjykatë më të ulët.

XS
SM
MD
LG