Lidhje

Mali i Zi, parlamenti miraton qeverinë e re


Pas tre ditësh debatesh në Parlamentin e Malit të Zi, të premten u miratua qeveria e re e vendit. Përfaqësuesi i opozitës, Zdravko Krivokapiq, i cili me dy koalicionet tjera të opozitës fituan zgjedhjet e 30 gushtit, është zgjedhur kryeministër i ri i Malit të Zi. Në seancë morën pjesë 70 deputetë. 41 deputetë votuan pro qeverisë së re, 28 kundër ndërsa një deputet abstenoi.

Qeveria e re ka 12 ministra dhe një zëvëndëskryeministër. Ministrat e rinj janë figura jopartiake dhe ekspertë të fushave të ndryshme të panjohur për opinionin e gjerë.

kryetari i koalicionit “E zeza në të bardhë”, Dritan Abazoviq u zgjodh zëvendëskryeministër i vetëm nga radhët e politikës.

Kryeministri Krivokapiq në paraqitjen e tij, vuri në dukje, zbatimin e demokracisë së drejtpërdrejtë nga qeveria e re.

“Qëllimi i kësaj qeverie është të mos ju zhgënjejmë. Elementi themelor është pritja dhe realizimi, ne nuk kemi dashur të bëjmë premtime sepse të dhënat që kemi nuk janë të gjitha”, tha Krivokapiq.

Në debatin përgjatë tri ditëve, u bënë kritika të shumta nga opozita ndaj programit dhe përbërjes së qeverisë së re dhe vetë kryeministrit.

Ata vlerësuan se qeveria e re është teokratike, e caktuar nga udhëheqësit e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, dhe se është monoteiste dhe mono-etnike dhe se nuk është qeveri e ekspertëve dhe evropiane siç paraqitet.

Qeveria e re është e para që prej tri dekadash që u formua pa Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit Milo Gjukanoviqit, që humbi në zgjedhjet e 30 gushtit të këtij viti duke fituar 40 vende në parlamentin e Malit të Zi, i cili numëron 81 vende.

Vendi i vogël ballkanik me më shumë se 600 mijë banorë historikisht ka qenë i ndarë mes forcave politike pro-prendimore dhe të atyre proserbe dhe proruse.

Mali i Zi është anëtare e NATO-s dhe vendi i parë në rajon që ka nisur negociatat e anëtarësimit me BE.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG